English

Reagon selia blu: Hipotezat e Ruçit për rivotim kryekëput mashtruese

Tiranë, 28 maj 201, NOA – Selia blu reagoi pas deklaratave të sotme të kreut të grupit kuvendor socialist Gramoz Ruçi duke e cilësuar hipotezën e tij për rivotimin në Tiranë si kryekëput qesharake dhe mashtruese. Zëdhënësja e Partisë Demokratike Albana Mustafaraj përgënjeshtroi akuzat duke deklaruar në konferencën më të fundit për shtyp se kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha me 81 vota më shumë se rivali i tij nuk ka asnjë arsye ligjore dhe morale të kërkojë të mbysë zërin e qytetarëve, që e kanë votëbesuar.

Zëdhënësja e PD-së tha se të gjitha akuzat e artikuluara nga selia rozë u hodhën vetëm për të përbaltur procesin zgjedhor.

Sipas saj Edi Rama ka një histori të gjatë të mospjesëmarrjes në procesin ligjor e të justifikimit të humbjes duke mosnjohur votat që hidhen kundër tij.

“Sot me zërin e Gramoz Ruçit shtron problemin e mospërputhjes së tabelave të rezultateve, dhe për këtë mospërputhje, nuk ka paraqitur asnjë ankesë në Komisionin Zonal të Tiranës, ndonëse ligjërisht ka patur 72 orë afat. Përveç kësaj, ai nuk paraqiti për këtë çështje, as edhe një ankesë të vetme, as në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, edhe pse kishte 72 orë të tjera afat sipas ligjit, për të paraqitur çdo ankesë që dëshironte pranë këtij komisioni”, theksoi zëdhënësja e PD-së.

Sipas Mustafaraj nga data 23 maj deri më sot, Edi Rama ka paraqitur në Kolegjin Zgjedhor dhe KQZ, jo më pak se 5 ankesa disa prej të cilave absurde, por nuk ka paraqitur dot asnjë ankesë të vetme për mospërputhjen e të dhënave në tabela.

“Siç dihet, në qendrat e votimit, forcat politike kanë përfaqësim të balancuar, por mesa duket Z. Rama sërish do të ndërmarrë, sulmet për korruptimet e komisionerëve të PS, për të justifikuar humbjen e tij në garën për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Ai do të ndërmarrë tashmë sulmin ndaj komisionerëve të tij për korrupsion, ashtu siç bëri për të justifikuar humbjen edhe në vitin 2009”, argumentoi Mustafaraj.

PD thekson se pretendimet e fundit të Ramës, të cilat nuk i paraqiten KQZ-së, dëshmojnë se ai ka frikë nga shqyrtimi i çdo tabele, për shkak të frikës nga humbja në këtë betejë.

“Ndërsa, nga data 8 maj deri më sot, nuk shqipëron qoftë edhe një herë të vetme, fjalën rinumërim votash, ndonëse nuk ka asnjë vendim gjykate për zgjedhjet vendore të vitit 2011. Ai nuk guxoi dot ta shqipërojë këtë fjalë, sepse e di që çdo proces vetëm thellon humbjen e tij”, përfundoi reagimin zëdhënësja e Partisë Demokratike, Albana Mustafaraj.

mit/NOA

KOMENTE