English

Klima e tensionit dhe Kolegji Zgjedhor

Nga Mustafa Nano

Vlerësimi i asaj që ka bërë KQZ-ja pas përfundimit të procesit të numërimit ka qenë me nota e tone negative, dhe për të arritur në këtë konkluzion nuk ka nevojë të kesh njohuri mbi ligjet apo mbi funksionimin e institucioneve. Edhe një njeri me njohuri zero në këto fusha, d.m.th. edhe një njeri që s’është në gjendje të ketë një mendim të vetin mbi këtë çështje, do të ketë vënë re një si topitje dhe shock të një numri aktorësh e faktorësh, që kanë qenë të interesuar për procesin e zgjedhjeve e të çinteresuar për palët. Kush ka folur, ka bërë kritika për KQZ-në. Ambasadorët e huaj në Tiranë janë kapur në befasi nga vendimi për të ndjekur procesin e ankimimit përpara shpalljes së rezultatit, vëzhguesit lokalë kanë bërë një mal me qortime, shefi i misionit të vëzhgimit të OSBE-ODIHR-it, Stonestreet, nuk i bëri dot ballë tundimit për të folur përpara se ta bëjë këtë gjë me raporte, dhe la të kuptohet se ka vënë re një numër lajthitjesh të KQZ-së, komisionerët Ashton dhe Fule bënë një kritikë të përbashkët, dhe me këtë donin të dëftenin se e shihnin njësoj këtë histori, europarlamentarët, të majtë e të djathtë, nuk lanë gjë pa thënë për atë që po ndodh edhe sot e kësaj dite në Tiranë, Thomas Countryman-i nxitoi për të dhënë disa konsiderata, dhe përfundimet e tij janë të njohura, Eduard Kukan, një europian i qendrës së djathtë, arriti deri atje sa t’i këshillojë Tiranës zyrtare (për të zgjidhur cul-de-sac-un ku na ka futur KQZ-ja) një konsultim me Komisionin e Venecias etj., etj.

Askush prej këtyre përfaqësuesve të grupeve, organizatave e shteteve nuk ka mundur ta pengojë, megjithatë, KQZ-në të bëjë atë që bëri. Tani çështja ka kaluar në duart e një institucioni tjetër, me emrin Kolegji Zgjedhor. Gjyqtarët Astrit Kalaja, Dhurata Haveri, Entela Prifti, Marie Qirjazi, Meriban Mullaj, Petraq Koço, Sashenka Jonuzi dhe Tom Ndreca, janë betuar para disa ditësh përpara kreut të shtetit, se “do të respektojnë, do të mbrojnë dhe do t‘i binden Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë, …. dhe do të përmbushin detyrat ….. me të gjitha mundësitë e tyre dhe në mënyrë të paanshme, të drejtë dhe pafavorizuar ndonjë person ose parti", dhe tanimë janë në qendër të vëmendjes së të gjithëve. I gjithë ai presion që ka qenë mbi KQZ-në para, gjatë e pas procesit të vlerësimit të rezultatit për kreun e Bashkisë së Tiranës, do të derdhet tanimë mbi këta tetë gjyqtarë. Madje, ka filluar të derdhet. Në të gjitha format. Berisha e filloi presionin me vendimin “për t’i marrë në mbrojtje me policët e vet” (!!!), dhe e vijon me premtimin se “do të numërohet çdo votë e shqiptarëve” (!!!!). Socialistët e kanë artikuluar presionin në formën e një mosbesimi gati fiziologjik ndaj të gjitha institucioneve të shtetit shqiptar. Gazetat e gazetarët nuk ka ditë që të mos flasin për këtë çështje e për Kolegjin Zgjedhor, duke futur në scanner-in e tyre secilin prej anëtarëve të kolegjit. Ambasadorët nuk lënë ditë pa u kujtuar këtyre të fundit, se “kanë në dorë fatet e stabilitetit të vendit”, dhe pa përcjellë mesazhin se “palët duhet të kenë besim tek Kolegji Zgjedhor”. Edhe shefat e tyre në Bruksel, Strasburg e Washington kanë bërë të njëjtën gjë.

Pakkush do donte të ishte gjyqtar i këtij kolegji në këto momente. Në pikëpamje profesionale, gjykimi i kësaj çështjeje mund të jetë një nga më të thjeshtat në botë, por ky fakt (sikur të ishte njimend kështu) nuk do të përbënte asnjë ngushëllim për secilin syresh. Ka shumë gjasa që ata të mos donin të ish e thjeshtë, pasi nesër, për çdo konsekuencë, nuk do të mund të kërkonin asnjë alibi te natyra e koklavitur dhe e ndërlikuar e çështjes. Por nga ana tjetër, ndërdyshjet dhe pasiguritë eventuale (në planin profesional) në përpjekjet për t’i dhënë dum kësaj pune marrin përmasa të tjera për shkak të rrethanave e të klimës së tensionit. Shkurt, kjo çështje, ngado që t’i vish rrotull, është një patate e nxehtë që u ka mbetur në dorë tetë gjyqtarëve të kolegjit; ka për të përbërë, me siguri, një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tyre prej gjyqtari.

Lind pyetja: a janë në gjendje ata të marrin vendime mbi bazën e dijes e vetëdijes së tyre në këtë situatë? Ata jetojnë në Shqipëri, dhe kjo do të thotë se dashur pa dashur janë përfshirë e thëthitur nga kjo garë, që s’ka pasur precedent e s’ka për t’u përsëritur një herë të dytë në zhvillimet demokratike të këtij vendi, dhe janë bërë pjesë e këtij momenti politik. Edhe sikur të kenë dashur t’u përvidhen etheve e vibrimit elektoral, nuk kanë pasur mundësi ta bëjnë këtë gjë. Ka qenë në limitet e së pamundurës. Kudo që kanë vënë këmbë, do jenë përplasur o me një mesazh elektoral, o me një bisedë të përflakur politike, o me një debat televiziv, o me flamuj e postera nëpër rrugë, o me agresion të natyrës kibernetike (Lulzim Bashës dhe Ferdinand Xhaferrit u kish vajtur mendja të më futeshin dhunshëm edhe në faqen time të facebook-ut; kisha frikë të hapja facebook-un, pasi do më fanepseshin ata të parët, e pastaj fotoja ime e profilit), o me britma mitingjesh, o me vargan makinash që formonin eskortën e improvizuar të politikanëve me axhendë të ngjeshur takimesh me zgjedhësit, o me edicione informative të përmbytura nga lajme elektorale etj., etj. Kjo klimë, jo vetëm që s’të lë t’i ikësh, por edhe të mobilizon. Kush nuk është i rreshtuar, futet fët e fët në rresht; e kush është i rreshtuar, ngjesh radhët më fort me të vetët. Gjyqtarët tanë të Kolegjit Zgjedhor nuk bëjnë përjashtim.

“Po ata janë gjyqtarë”, mund të thotë ndokush, “e rrjedhimisht, pozicionin politik do ta lënë te porta e aulës, ku do të marrin vendimin”. Po, do duhet ta bëjnë këtë gjë. Dhe askush nuk ka pse ta vërë në dyshim zotësinë apo gatishmërinë e tyre për të ndarë në mënyrë të prerë ndërgjegjen profesionale nga pasioni politik. Por puna është se nuk është vetëm kjo. Problemi kryesor është presioni i ditëpërditshëm, në të cilin atyre do duhet të vendosin. Ne njohim presionin që duket, por ka presione të tjera “nën dhé”, të cilat herë kanë formën e karrotës e herë të bastunit, herë të ledhave e herë të fshikujve, herë të kërcënimit e herë të premtimit. Një dreq e di se ç’formë mund të marrë presioni “nën dhé”. Por edhe dreqi, tok me ne, e di, se Kolegji Zgjedhor ka në dorë këtë herë nderin e gjithë sistemit të drejtësisë. Ka në dorë, gjithashtu, besimin e shqiptarëve tek institucioni i zgjedhjeve. Prandaj, kanë për detyrë të ngrihen mbi klimën e krijuar e t’i mundin të gjitha presionet.

KOMENTE