Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
LDK dhe sindromi i Tiranës
English

LDK dhe sindromi i Tiranës

Nga Armand Shkullaku

Kritikat dhe akuzat që po i bëhen së fundi qeverisë “Thaçi” po shoqërohen në të njëjtën kohë edhe nga një lloj presioni mbi opozitën më të madhe në Kosovë, LDK. Ka një frymë që sa vjen e po zë vend më shumë, sipas së cilës, opozita nuk po e bën si duhet rolin e saj, po bën kompromise me pushtetin, se duhet të jetë më e zëshme, më radikale, më agresive. Shpesh, në këtë kontekst, po evidentohet Vetëvendosja si opozitë e vërtetë, duke tentuar të kompleksohet kështu LDK e, për pasojë, të nxitet për veprime më radikale. Marrëveshja që Isa Mustafa nënshkroi me Hashim Thaçin mund t’i ketë zhgënjyer të gjithë ata që nuk besojnë se kjo qeveri do të jetë më e mirë se tjetra, që nuk e kanë kapërdirë abuzimin me votën më 12 dhjetor dhe që do të donin që qeverisjes së PDK-së t’i vinte fundi një orë e më parë. Por a do t’i ndihmonte këtij qëllimi radikalizimi dhe agresiviteti i LDK-së si opozitë? Një sjellje e tillë me siguri do të shërbente për të shfryrë mllefin, për të nxjerrë inatin, për të bllokuar shumë procese, por vështirë se do ta rrëzonte qeverinë. Ajo mund të ishte shumë më atraktive për mediat, por jo gjithnjë efikase për të ardhur në pushtet. Një opozitë e tillë do të krijonte dy probleme të mëdha: atë të inflacionit të akuzave e, për rrjedhojë, zhvlerësimin e tyre si dhe krijimin e një gjendjeje kaotike, të dëmshme për qytetarët, ku vendin e alternativave e programeve do ta zinin bojkoti e protestat. Ajo që ka ndodhur vazhdimisht në Shqipëri e që po e vërejmë edhe këto dy vitet e fundit, ka të bëjë pikërisht me shndërrimin e konkurrencës politike në një betejë për eliminimin e tjetrit. Opozita, dhe jo vetëm kjo e tashmja, i ka zëvendësuar programet politike dhe alternativat qeverisëse me platforma denoncuese luftarake. Kundërshtari cilësohet kriminel, vrasës, bandit, hajdut e plot epitete të tjera, për vërtetimin e të cilave do të kishte tagër ligjor vetëm drejtësia. Por për të nuk pyet kush dhe akuzat e ndërsjella kanë arritur në një pikë të tillë sa nuk bëjnë më asnjë përshtypje te qytetarët, madje edhe kur janë plotësisht të vërteta. Ato e bëjnë opozitën më të ashpër, më të zhurmshme, e ekstremizojnë dhe ndajnë elektoratin, por gjithnjë e më shumë e humbin efektin. Lulzim Basha, për shembull, ka qenë kandidati më i anatemuar ndonjëherë dhe i cilësuar deri vrasës nga opozita, por qytetarët e Tiranës i dhanë po aq vota sa akuzuesit të tij. Ashpërsimi i gjuhës dhe i qëndrimit që po i kërkohet sot LDK-së në Kosovë nuk mund të prodhojë ndonjë efekt tjetër nga ai që po shohim në Tiranë. Opozita nuk duhet të vlerësohet nga zhurma që bën, por nga rezultati që arrin. Në një kohë rekord, sapo shpalli kandidaturën për President, Behgjet Pacolli u sulmua dhe u akuzua në të gjitha format, politikisht e personalisht. U quajt spiun, i padijshëm, biznesmen me të kaluar të errët, spekulant e plot të tjera. Asnjë prej këtyre akuzave, sado fort e me zë të lartë u thanë, nuk e ndalën dot zgjedhjen e tij me shumicën e thjeshtë të votave. Qetësisht, pa zhurmë e bujë (me gjithë akuzat që iu bënë për flirtim me Pacollin), LDK iu drejtua Gjykatës Kushtetuese dhe në mënyrë institucionale ia arriti qëllimit të saj për ta rrëzuar Presidentin e zgjedhur nga diktati i kartonëve. Në të njëjtën mënyrë vërtetoi edhe legjitimitetin e cunguar të 12 dhjetorit, duke e detyruar Thaçin të shkurtojë mandatin e qeverisë së tij. Duke vepruar si opozitë konstruktive, LDK shmangu inflacionin e akuzave, nuk mori përsipër rolin e Prokurorisë apo gjykatave dhe politikisht i bindi qytetarët se kishte të drejtë. Fakti se mund të bërtasësh fort nuk mjafton që e drejta të jenë në anën tënde. Çfarë mund të kishte bërë tjetër LDK përveç padisë në Kushtetuese dhe nënshkrimit të marrëveshjes që pasoi? Sigurisht që mund të kishte bojkotuar Parlamentin, të akuzonte PDK si bandë hajdutësh, t’i ftonte qytetarët në protesta e të rrethonte godinën e qeverisë. Mund t’ia arrinte edhe të provokonte menjëherë zgjedhje të jashtëzakonshme, por a ishte e sigurt që do t’i fitonte ato. Radikalizimi dhe mjetet e ashpra për të bërë opozitë nuk janë rruga më e mirë dhe më e sigurt për të ardhur në pushtet. Tetë vjet mbeti Sali Berisha në opozitë, derisa ndryshoi mënyrë dhe e njëjta gjë po e rrezikon edhe Edi Ramën. Dhe është çudi që shpesh, ata që i ndjekin me dëshpërim ngjarjet në Tiranë, kërkojnë opozitë më agresive në Prishtinë. Shfryrjet e inateve, sulmet verbale dhe aksionet që prodhojnë zhurmë, duket sikur ia bëjnë jetën e vështirë kundërshtarit, por në fakt nuk e rrezikojnë atë. Përkundrazi, e forcojnë. Çdo akuzë e lëshuar vend e pavend nga opozita do ta humbë peshën me kalimin e kohës dhe do t’ia bëjë më të lehtë mbrojtjen politike një qeveritari që vërtet mund të jetë i korruptuar. Nga ana tjetër, shndërrimi i konkurrencës politike në betejë eliminuese, i mobilizon militantët, ua humb arsyen dhe vë në plan të parë emocionet. Elektorati shkon drejt ekstremiteteve dhe, për pasojë, ndahet në dy kampe kundërshtare, ku triumfon më i forti dhe jo më i miri. LDK nuk do të vinte në pushtet më lehtë nëse do të bënte më shumë zhurmë, do të bojkotonte Parlamentin apo do të drejtonte protestat në rrugë. Ajo po ndjek një linjë të qartë brenda institucioneve dhe elektorati e gjykon nga vijimësia e qëndrimeve politike dhe jo nga shpërthimet momentale. Për të ardhur në pushtet duhen plotësuar edhe shumë kushte të tjera si reformat e brendshme, krijimi e forcimi i kapaciteteve drejtuese që nesër do të jenë në qeveri, koalicionet e duhura politike dhe shfrytëzimi me zgjuarsi i gabimeve të kundërshtarit. Mosarritja e këtyre objektivave do të përbënte një arsye për kompleksimin e LDK dhe jo mënyra se si ajo po bën sot opozitë. Ndryshimi i kursit nuk do të dëmtonte vetëm LDK, por gjithë Kosovën. Shembulli i keq është vetëm 250 kilometra larg.

KOMENTE