English

Berisha – Lidington: Roli i opozitës jo në rrugë, të respektohen institucionet

Tiranë, 9 qershor 2011 NOA – Zyra e shtypit e këshillit të ministrave ka zbardhur takimin mes kryeministrit Berisha dhe ministrit britanik David Lidington. Sipas njoftimit zyrtar për shtyp, Ministri Lidington vlerësoi progresin e jashtëzakonshëm që Shqipëria ka bërë gjatë viteve të fundit si dhe rolin personal të kryeministrit Berisha, të qeverisë dhe Partisë Demokratike në themelimin dhe konsolidimin e demokracisë shqiptare, transformimin rrënjësor të vendit dhe modernizimin e Shqipërisë nga një vend diktatorial dhe i prapambetur në një shtet demokratik.

Në takim u diskutua edhe për zgjedhjet e fundit lokale dhe zhvillimet pas tyre. Zyra e shtypit bën me dije se kryeministri Berisha, duke nënvizuar përmirësimet e infrastrukturës zgjedhore në dy vitet e fundit, i konsideori zgjedhjet e 8 majit si zgjedhjet më të mira dhe transparente të zhvilluara gjer më sot. “Kryeministri u shpreh i vendosur për garantimin e barazisë së votës dhe numërimit të drejtë të çdo vote të hedhur nga qytetarët shqiptarë”, vijon njoftimi i zyrës së shtypit të kryeministrisë. Duke u ndalur tek rezultati i ngushtë me të cilin kandidati i Partisë Demokratike fitoi bashkinë e Tiranës, kryeministri ka theksuar se një rezultat i tillë ishte një test shumë i rëndësishëm dhe i suksesshëm për funksionimin e drejtë të procesit ligjor dhe profesionalizmin e institucioneve të mandatuara për certifikimin përfundimtar të zgjedhjeve.

Ministri Lidington, sipas njoftimit zyrtar, theksoi se në përfundim të procesit zgjedhor palët duhet të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre kushtetuese, institucionale dhe politike në Parlament dhe organet e tjera të zgjedhura. Në mënyrë të veçantë ai theksoi se roli i vërtetë i opozitës është në institucione dhe jo në rrugë. Ai vlerësoi se bashkëpunimi me vullnet të mirë brenda institucioneve, në plotësimin e detyrimeve në kuadrin e integrimit evropian është garanci për një integrim të suksesshëm të Shqipërisë në BE.

Në përfundim kryeministri Berisha i kërkoi ministrit Lidington që ti përcjellë ftesën për një vizitë në Shqipëri kryeministrit britanik Cameron dhe ministrit të jashtëm Ëilliam Hague.

a.q/ NOA

KOMENTE