English

Shtrembërimi i realitetit me vendim gjyqësor

Nga Damian Gjiknuri

Jemi sot këtu për një bashkëbisedim për të sqaruar atë vendim që tashti është bërë i ditur publikisht. Pra, bëhet fjalë për vendimin e kolegjit që rrëzoi kërkesën tonë, si edhe të shprehim qëndrimin tonë në lidhje me mënyrën sesi kolegji arriti në këtë përfundim, por njëkohësisht duke denoncuar dhe disa elementë që të bëjnë të hedhësh hije dyshimi mbi punën e kolegjit zgjedhor përsa i përket arsyetimit të këtij vendimi.

Për ne ky vendim i Kolegjit është i papranueshëm për ato shkaqe që e kemi thënë. Kolegji nuk ka interpretuar ligjin korrekt, por njëkohësisht duke lexuar arsyetimin që ata kanë prezantuar në këtë vendim kemi edhe fakte të tjera shumë shqetësuese, që themi që kolegji ka shkelur rëndë procedurën civile, ato parime mbi të cilat duhet të udhëhiqet gjykata në nxjerrjen e një vendimi. Më konkretisht ju duhet të dini ka një parim të përgjithshëm që “gjykata shprehet mbi ato kërkesa që kanë palët”. Në fakt edhe në vetë arsyetimin e vendimit gjykata e ka përmendur këtë parim. Pra gjykata shprehet për gjithçka që kërkohet dhe vetëm për atë që kërkohet. Ky është neni 6 i Kodit të Procedurës Civile, një parim që gjykata duhet ta respektojë.

I njëjti parim përforcohet edhe në nenin 28 të Kodit të Procedurës Civile ku thuhet se “ gjykata shprehet për atë që kërkohet në padi pa i kaluar kufijtë e saj”. Këto janë parime të rëndësishme që e bëjnë procesin e rregullt ligjor dhe që normalisht duhet të udhëhiqet çdo gjykatë. Në fakt çfarë shikojmë. Në arsyetimin e bërë me shumë vonesë nga kolegji dhe besoj se kjo gjë është e qartë për publikun, vendimi doli dy ditë me vonesë dhe nuk ka asnjë justifikim ligjor përtej atyre deklarimeve justifikuese që nuk qëndrojnë. Nuk qëndrojnë as në afatet e kodit zgjedhor, por edhe sikur të përmendim afatin që ata thonë të kodit të procedurës civile, afati fundit për kolegjin për tu shprehur ka qenë dita e hënë. Sepse vetëm po të ndodhte që dita e fundit të binte ditë pushimi ky afat të mund të spostohej. Se kini parasysh se të njëjtin detyrim ligjor kemi edhe ne për të bërë ankesën. Nëse do të ishte ditë pushimi e shtuna dhe e diela, edhe PS duhej ti shtyhej afati përsa i përket ankimit. Dhe kjo ka qenë një shkelje shumë serioze që lidhej për mendimin tonë me afatin e padisë. Pra, është pritur marrja e kërkesë padisë nga ana e Partisë Socialiste dhe pastaj është zbardhur vendimi me qëllime dashakeqëse mund ta them.

Pse? Këtë dua t’ua referoj dhe mediave e publikut. Në faqen 11 të vendimit thuhet: “merret e mirëqenë se KQZ ka vendosur të këqyr të gjitha kutitë e votimit dhe të vlerësojë fletët e hedhura aksidentalisht duke i përfshirë ato në rezultat”. Ndërkohë si nga procesverbali i seancës gjyqësore, por dhe nga fakte që janë të njohura për të gjithë, madje dhe kolegji ka qenë në dijeni, KQZ-ja ka hetuar vetëm 117 kuti votimi. Pra nuk është e vërtetë. Ka mbi 2000 kuti Bashkia Tiranë dhe KQZ-ja hetoi vetëm 117 kuti. Pra, hapi 117 kuti. Ndërkohë në arsyetimin e kolegjit del sikur KQZ-ja na paska këqyrur të gjitha kutitë. Ky vlerësim i kolegjit nga pikëpamja jonë në rastin më të pakët është lapsus që lë shteg për keqinterpretim, ose prezantim faktesh të rreme. Dhe kjo është shumë shqetësuese dhe që cenon integritetin ligjor dhe moral të këtij vendimi.

Në vendim në faqen 18 të tij, referimi që i bëhet nenit 45 të Kushtetutës është i pavend, duke interpretuar sikur ky nen “ përcakton votën dhe detyrimin kushtetues të vlerësimit të votës, që e detyron KQZ jo vetëm të numërojë, por edhe të vlerësojnë votat e zgjedhësve”. Kjo mund të jetë një lajthitje me dashje ose pa dashje. Ose një mosnjohje e vetë nenit të kushtetutës nga ana e Kolegjit Zgjedhor, gjë që është shumë e rëndë. Për të gjithë publikun çfarë thotë neni 45 i Kushtetutës: “pika parë, çdo shtetas që ka mbushur moshën 18 vjeç ka ta drejtë të votojë. E dyta përjashtohen nga e drejta e zgjedhjeve shtetasit që janë deklaruar me vendim gjyqësor të formës së prerë si të paaftë mendërisht. Pika tretë, të dënuarit që janë duke vuajtur dënimin me heqje të lirisë kanë vetëm të drejtën për t’u zgjedhur. Pika katërt, vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë”. Më gjeni se ku përcaktohet detyrimi KQZ-së në Kushtetutë për të numëruar çdo votë, që më shumë sesa ka qenë një slogan, një shprehje, një dëshirë politike e z.Berisha. Duhet të dini një gjë që ligji zgjedhor pikërisht mishëron këto parime të kushtetutës. Sepse nuk është vetëm numërimi, është edhe fshehtësia, është edhe barazia e votës, është integriteti i procesit. Këtë bën ligji zgjedhor. Këtë thotë dhe kodi i procedurave të Venecias, që ata shpesh i referohen, që vullneti i zgjedhësit respekton rigorozisht procedurat e ligjit, sepse vota është në fund të fundit procedurë sesi hidhet e reflektohet në rezultat.

Kjo është shumë shqetësuese sesi një arsyetim politik që e ka përmendur PD kudo, gjen vend në arsyetimin e kolegjit. Kjo duhet të na shqetësojë sepse është një deklarim i mirëfilltë politik, nuk ka të bëjë me nenin 45 të Kushtetutës. Do t’ju kërkoja edhe gazetarëve ta shikojnë këtë fakt, ta hetojnë nga pikëpamja gazetareske dhe t’jua bëjnë publikut të njohur këtë nen të Kushtetutës dhe të mundoheni të gjeni sesi arsyetimi kolegjit qëndron me këtë nen të Kushtetutës.

Nga ana tjetër po në faqen 18 të këtij vendimi, thuhet se në asnjë moment për çka pretendohet nga pala paditëse nuk u paraqit asnjë provë, asnjë akt apo udhëzim shkresor i KQZ që ka rregulluar këtë situatë të krijuar më parë. Në fakt edhe kjo është një deklarim i rremë. Në provat që ju dorëzuan kolegjit dhe gjatë debateve gjyqësore, mund të konsultoheni dhe me procesverbalet e seancës, është përmendur fakti që raporti i ODHIR-it e ka thënë, që numëruesit ishin trajnuar që këto vota ti vlerësonin si të pavlefshme. Që ky problem dihej edhe në zgjedhjet e vitit 2007, por nuk ka patur një rregullim të posaçëm ligjor, përkundrazi kanë ndjekur precedentët që këto vota të konsideroheshin të pavlefshme. Po në këtë raport që ka qenë pjesë e dosjes gjyqësore është përcaktuar se deri në momentin që u shpall, pra deri në 14 maj kur doli rezultati i Tiranës, të gjitha këto vota ishin të vlerësuara si të pavlefshme. Kjo del edhe nga procesverbalet, edhe nga protokollet, edhe nga vendimet që kanë marrë KZAZ-të, por edhe nga vetë vendimi i KQZ-së, ku thuhet që deri në atë moment kanë pasur trajtim tjetër.

Pra të gjitha këto kanë qenë fakte të njohura, kolegji i ka administruar gjatë hetimit gjyqësor. Por unë shtroj pyetjen, si ka mundësi që tashti këto fakte nëpërkëmben, madje arrihet deri në konstatime të tilla që pala paditëse, pra PS, nuk i ka nxjerrë këto pretendime në gjyq?! Procesverbalet janë aty, provat janë aty, edhe kjo është një shtrembërim i realitetit dhe që fatkeqësisht ndodh në një vendim gjyqësor. Madje kolegji ka pasur në dispozicion, sepse është pjesë e akteve që u diskutuan aty dhe vendimin 541 të KQZ-së. Një akt i karakterit normativ vetëm për Bashkinë e Tiranës, i cili ka normuar radhën e numërimit. Pra që numërohet njëherë kutia për kryetarin, kutia për këshillin, nxirret tabela, plotësohet tabela e rezultateve dhe procesi në Tiranë quhet i mbyllur. Edhe ky akt ka qenë pjesë e diskutimeve dhe është përmendur nga pala paditëse. Të shtrembërosh faktet në këtë mënyrë të lë vërtet hije të forta dyshimi mbi integritetin e atij vendimi gjyqësor.

Një fakt që është bërë publik është një deklaratë edhe nëpër media, për Deutsche Ëelle nga ana e z. Tom Ndreca që ka qenë relator i trupës gjykuese ku thuhet që, e thotë shprehimisht “akti normativi KQZ-së i shtrinte efektet vetëm në Tiranë dhe jo në të gjithë Shqipërinë”. Në fakt kur lexojmë arsyetimin e kolegjit dhe unë them se ai ka folur atë që ka ndjerë dhe diskutimet për të cilën ata kanë zhvilluar përpara se të jepnin atë vendim, se në fund të fundit arsyetimi i vërtetë është pjesa e shkruar. Pra z.Tom Ndreca ka thënë që ky akt i karakterit normativ ishte vetëm për Tiranën. Në arsyetim nuk e gjejmë shprehjen akt i karakterit normativ. Kështu që ose ka qenë lapsus i tij ose ka pasur forca të tjera që kanë ndërhyrë në zbardhjen e vendimit. Këtë gjë i mbetet atij t’ia sqarojë publikut, por publiku është i njohur me atë deklaratë dhe të gjithë ju jeni dëshmitarë të kësaj që unë po them.

Këto janë disa nga elementët, ne vazhdojmë ta studiojmë atë vendim. Aty ka edhe shumë probleme të tjera, ne i mbetemi qëndrimit që kolegji ka zbatuar keq ligjin kur ka bërë këtë interpretim. Sepse normalisht të gjitha argumentet flisnin për shkelje të hapur nga ana e KQZ-së për atë vendimmarrje që kreu. Gjithsesi procesi gjyqësor vazhdon, thelbi i problemit akoma nuk është trajtuar sidomos fakti që a duhet të quhen këto fletë të vlefshme ose jo për tabelën përfundimtare të rezultateve. Unë këtë mesazh doja të përcillja që mënyra sesi është arsyetuar ky vendim ka tejkaluar ato parime, pra ka shkelur ato parime të rëndësishme që duhet të ndjekë gjykata në përpilimin e një vendimi gjyqësor. Këto fakte që unë i përmenda janë fakte të verifikueshme dhe që duhet të ngrenë pikëpyetje të mëdha për të gjithë.

KOMENTE