English

USAID lançon Programin për Sigurinë Kibernetike në Shqipëri

Tiranë, 15 Qershor 2011 NOA - USAID njoftoi fillimin e Programit të Sigurisë Kibernetike në Shqipëri, një nismë njëvjeçare që do të ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve të qeverisë shqiptare për të parandaluar dhe reaguar ndaj incidenteve kibernetike. Drejtori i Misionit të USAID në Shqipëri, Z. Xhozef Uilliams dhe Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, Z. Genc Pollo mbajtën fjalët e hapjes në ceremoni.

Në vijim të kësaj ceremonie, ekspertë nga Software Engineering Insitute (SEI) i Universitetit “Carnegie Mellon” do të mbajnë një seminar njëjavor për të ndihmuar institucionet qeveritare dhe joqeveritare të kuptojnë modelet e sigurisë kibernetike, të përfitojnë aftësi dhe të zhvillojnë procedura për t’u rezistuar dhe për të menaxhuar incidentet e sigurisë kibernetike.

Pjesëmarrësit në program do të jenë përfaqësues të Agjencisë Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit dhe specialistë të teknologjisë së informacionit nga institucione të ndryshme qeveritare, përfshirë Ministrinë e Financave, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, Policinë e Shtetit, Prokurorinë e Përgjithshme, Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, etj.

Gjatë periudhës Shtator 2011 - Mars 2012, SEI do të zhvillojë një sërë seminaresh që do të përcjellin për institucionet shqiptare metodat dhe njohuritë e nevojshme për të ngritur strukturën për sigurinë kibernetike, që do të mbrojë Shqipërinë nga kërcënimet kibernetike që vijnë nga katastrofat natyrore apo sulmet kibernetike. Temat e seminareve do të përfshijnë planifikim dhe zbatim të strategjive, modelet, afatet kohore, burimet e nevojshme, grumbullimi i raporteve për incidentet kibernetike, ngritja dhe mirëmbajtja e një baze të dhënash për incidentet e sigurisë, shërbimet e paralajmërimit, publikimi i rolit të strukturës në fjalë dhe lidhjet me organizata të ngjashme të sigurisë kibernetike.

Prej disa vjetësh, teknologjitë e informacionit dhe komunikimit (ICT) kanë qenë pjesë integrale e planifikimit të USAID në Shqipëri. Vitin e fundit, USAID ka kryer një vlerësim gjithëpërfshirës për këtë sektor në Shqipëri. Ky vlerësim konfirmoi rëndësinë dhe ndikimin që kanë zgjidhjet e teknologjisë së informacionit për çështje të transparencës dhe mirëqeverisjes, në veçanti për reformat e qeverisjes elektronike të zbatuar në kuadër të Programit të Pragut të Korporatës për Sfidat e Mijëvjeçarit.

e.t/NOA

KOMENTE