English

Inaugurohet rruga Cakran - Fier, Berisha: Kemi edhe shumë për të bërë

Fier, 18 qershor 2011 NOA- Kryeministri Berisha inauguroi sot përfundimin e punimeve për ndërtimin e rrugës Qafë e Koshovicës – Cakran një investim i buxhetit të shtetit me vlerë 298 milion leke, gjatësi 15 km dhe gjerësi 6 m.

Kreu i qeverisë deklaroi se rruga e Cakranit do të plotësojë parametrat e duhura dhe se gjatë 4 viteve në vijim, prioritet do të mbetet infrastruktura dhe më pas bujqësia. Berisha ka theksuar se në të ardhmen do te kryehen më shumë investime për të përmirësuar infrastrukturën rrugore në të gjithë vendin.

“Thirrja ime vëllazërore është, mbillni sa më shumë ullinj, mbillni sa më shumë dru frutorë. Imagjinoni ju paraardhësit tanë, në çfarë kushtesh ishin, dhjetë herë më të vështira se tonat dhe lanë një trashëgimi prej 5 milion rrënjësh ulliri. Ne brenda dy viteve që vijnë duhet të kemi të kemi të mbjellura 20 milion të tjera dhe të vështrojmë të shohim për 20 milion rrënjë të tjera më shumë për katër vitet e tjera. Ne këtë tokë shumë cilësore këtë tokë të begatë, këtë tokë shumë pjellore, duhet ta shndërrojmë në kopshtin më të bukur më të madh të Europës dhe do ta realizojmë këtë”, tha kryeministri

Rruga fillon në Qafën e Koshovicës dhe përshkon komunat Portëz dhe Cakran, përfitues janë mbi 20 mijë banorë. Vepra është me standardet më të mira me bordurë , trotuare, sinjalistikë e vepra arti. Në vazhdim, do të ndërtohet rruga nga hyrja e Fierit – Qafë e Koshovicës. Ky rikonstruksion lehtëson mjaft transportin e banoreve dhe produkteve bujqësore e blegtorale si dhe i jep inpakt zhvillimit të krejt zonës.

a.q/NOA

KOMENTE