English

Shalsi: Saliu po përdor çdo mjet antiligjor për të ndryshuar me çdo kusht rezultatin

Tiranë, 19 qershor 2011, NOA- Partia Socialiste nëpërmjet nënkryetarit të grupit parlamentar Eduard Shalsi reagoi lidhur me mënyrën e numërimit të fletëve të votimit të bërë nga Komision Qendror i Zgjedhjeve.

Në fjalën e tij ai u shpreh se, që prej 14 majit, qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë panë qartazi se fituesi i Bashkisë së Tiranës ishte Edi Rama me 10 vota para.

Sakaq ai shtoi se ishte Sali Berisha ai që hapi një tjetër kapitull të turpshëm zgjedhjesh në Shqipëri.

“Gjatë gjithë kësaj kohe, kemi qenë dëshmitar të përpjekjeve të paskrupullta të Sali Berishës për të ndryshuar me çdo kusht rezultatin e Tiranës, duke tentuar kësisoj të deformojë vullnetin e qytetarëve të Tiranës. Duke përdorur çdo mjet antidemokratik dhe antiligjor, për të bërë fituesin humbës dhe humbësin fitues, Sali Berisha vazhdon të manipulojë në mënyrë të trashë dhe të paturpshme procesin dhe kutitë ku gjenden fletët e votimit”, deklaroi Shalsi.

Ai e cilësoi si një tjetër shfaqe të shëmtuar të KQZ, që vazhdon edhe sot, numërimi ne fletëve të votimit të bërë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke shtuar se u panë urdhra që nuk u mbështetën aspak në ligj.

Sipas tij, kutitë që hapeshin, ishin me numra kodesh sigurie që nuk përputheshin me ato të shënuara në procesverbale, madje u gjetën fletë votimi që gjendeshin jashtë zarfeve të mbyllura.

“Kjo është ajo që ndodh në KQZ, një Komision që i ngjan më shumë tregut të gjësë gjallë se sa një institucioni serioz dhe dinjitoz. Duke mos qenë i aftë të fitojë por duke mos patur as kurajën për të pranuar humbje Sali Berisha e ka çuar vendin drejt një shtegu të rrezikshëm, koston e të cilit do ta paguajnë të gjithë shqiptarët. Kjo shfaqe, sa e paimagjinueshme aq dhe e paprinciptë duhet të marrë fund një herë e mirë” u shpreh deputeti socialist.

Ndërkaq në mbyllje të fjalës ai u shpreh se e vërteta e zgjedhjeve të 8 majit është e patjetërsueshme dhe se qytetarët folën dhe se votat e tyre u numëruan në sy të milionave shqiptarëve, dhe i vetmi që humbi ishte Saliu.

a.y/NOA

KOMENTE