English

Apeli i Ashton për situatën, Topi takohet me Sequi

Tiranë, 21 qershor 2011, NOA – Pas apelit të mbrëmshëm të përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Baroneshës Catherine Ashton se situata politike në Shqipëri është tejet shqetësuese e se duhet vendosur me urgjencë dialogu politik mes palëve, Ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi do të takohet sot me Presidentin e Republikës.

Takimi është lajmëruar për në orën 11.00 në Presidencë dhe pritet që lajtmotiv i saj të jetë gjetja e një zgjidhjeje të menjëhershme për kapërcimin e ngërçit të tejzgjatur politik mes mazhorancës dhe opozitës dhe nisja e menjëhershme e dialogut për zgjidhjen e situatës.

Pritet që ambasadori Sequi t’i kërkojë Presidentit të ndërhyjë për thirrjen e tryezës së partive politike për të vënë në jetë atë, që aq shumë mungon në Shqipëri, dialogun institucional mes partive politike.

Ky takim vjen pikërisht kur baronesha Ashton, por edhe ministrat e Jashtëm të BE-së i bënë thirrje liderëve të politikës shqiptare të nisin dialogun dhe të presin qetësisht përmbylljen e procesi zgjedhor për bashkinë e Tiranës.

Baronesha Ashton deklaroi prerë një ditë më parë se BE pret përmbylljen me sukses të procesit zgjedhor në Shqipëri, duke theksuar se vetëm pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 8 majit për Tiranën, Unioni Europian do të nisë bisedimet me qeverinë dhe opozitën.

Sipas Ashton apeli është i qartë, gjithçka do të ndodhë më tej me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE do të varet nga përmbyllja qetësisht e procesit zgjedhor dhe nisja e dialogut politik për kapërcimin e ngërçit dhe dorazi nisja e reformave integruese në vend.

Po dje, nga Uashingtoni erdhi edhe apeli i Drejtorit të Menaxhimit për Evropën dhe Azinë Qendrore Miroslav Lajçak, i cili po ashtu si baronesha Ashton deklaroi se pa dialog mes palëve Shqipëria nuk do të ketë progres dhe as do të ketë zgjidhje të problemeve.

Pritet që pas takimit Topi-Sequi, zyra e shtypit e Presidencës të publikojë në faqen zyrtare detajet e bisedës mes kreut të Shtetit dhe ambasadorit të BE-së.

mit/NOA

KOMENTE