English

“Gërdeci”, Delijorgji: Përgjegjësia ime, vetëm financat

Tiranë, 24 qershor 2011 NOA- Mihal Delijorgji deklaron se nuk ka patur asnjë përgjegjësi teknike për gjithçka ndodhte në ish frabrikën e demontimit të armëve në Gërdec.

I pandehuri për tragjedinë ka dëshmuar sot sërish në Gjykatën e Tiranes, ku ka deklaruar se për kushtet teknike në fabrikë përgjigjej personi i ngarkuar me këtë detyrë, Dritan Minxolli. “Unë kam qënë vetëm disa herë në Gërdec. Kam takuar njerëz dhe askush nuk më tha për kushtet ku punonin apo të ankoheshin”, iu përgjigj Delijorgji pyetjeve të prokurorëve. Drejtuesi i “Alba-demil” tha se: “Me demontimin e armëve dhe transaksionet përgjigjej Patrik Henry i Sauth American Corporation (SAC). Henry madje solli dhe një mbikqyrës në fabrikë, një person të quajtur, Taylor”. Në dëshminë e tij të parë, 3 vjet pas tragjedisë në Gërdec, Delijorgji ka pohuar se me Patrik Henry është njohur me të në vitin 2006 të ndërrmarrja e MEICO. Ndërsa kreun e MEICO-s, Ylli Pinarin në vitin 2001.

Delijorgji, mohoi të ketë përgjegjësi personale për procesin e demontimit të armëve në Gërdec.

“Unë këtu kam patur vetëm rolin e investuesit, financuesit dhe përgjegjësia ligjore i ngarkohet MEICO dhe SAC sepse nga ata vareshin kushtet e punës në fabrikë”, ka deklaruar ai. “Bashkëpunimi im me Henry ishte vetëm për arsye biznesi dhe fitimi, unë investova, por Henri ka qënë ai që financoi makineritë dhe specialistët që do të merreshin me demontimin e armëve. Madje kishte dhe disa makineri që i përdorte me qera”, ka deklaruar Mihal Delijorgji. a.q/NOA

KOMENTE