English

Haxhinansto takon Baroneshën Ashton: Fund zgjedhjeve, prioritet integrimit

Vilnius, 1 korrik 2011 NOA- “Sa më shpejt që të përfundojnë diskutimet mbi zgjedhjet vendore, aq më mirë do të jetë, me qëllim që forcat të përqëndrohen mbi realizimin e 12 prioriteteve, dhe më tej, mbi procesin e integrimit evropian”. Kështu është shprehur Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian dhe Zv.Presidente e Komisionit Evropian, Baronesha Catherine Ashton gjatë një takimi të mbajtur me Zv.Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto, gjatë punimeve të Ministerialit të Komunitetit të Demokracive, i cili po mbahet në Vilnius të Lituanisë. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit në MPJ, takimi u përqëndrua mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe perspektivën e Shqipërisë drejt integrimit evropian. Bashkëbiseduesit theksuan se një përfundim sa më i shpejtë i procesit zgjedhor do të ishte një mesazh mjaft pozitiv për komunitetin ndërkombëtar.

Sipas Baroneshës Ashton, të gjitha vendet kanë problemet e tyre, përfshirë edhe Shqipërinë, por e rëndësishme është se si kërkohet dhe gjendet zgjidhja e tyre. Ministri Haxhinasto theksoi se tani është koha që institucionet e pavarura të thonë fjalën e tyre dhe më tej partitë të angazhohen në reformën zgjedhore. Rekomandimet e OSBE/ODHIR, si dhe angazhimi dhe konsulenca e ODIHR dhe i Komisioninit të Venecias, tha Haxhinasto, janë më se të mirëpritura, ashtu siç është bërë edhe më parë në hartimin e ligjeve apo dhe vetë kushtetutën e vendit. a.q/NOA

KOMENTE