English

Jahjaga: Zgjedhja si Presidente, shembull për rajonin për përfaqësinë gjinore

Prishtinë, 6 korrik 2011, NOA- Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga mori pjesë në tryezën me temën, “Hulumtimi dhe Monitorimi i Zbatimit të Ligjit për Barazi Gjinore”, organizuar nga Shoqata e Juristeve “Norma”, nga ku deklaroi se, barazia gjinore është një synim afatgjatë i aspiratave demokratike të shtetit.

Sipas saj, demokracia nënkupton pjesëmarrjen e plotë të të gjithë qytetarëve të një vendi dhe pjesëmarrjen e barabartë të meshkujve dhe të femrave në të gjitha proceset politike, ekonomike dhe sociale dhe është garanti më i mirë i aspiratave demokratike në përafrimin e nocionit të demokracisë më afër qytetarëve të Kosovës.

“Garantimi kushtetues dhe ligjor në sferën e të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore duke përfshirë edhe sfondin e pasur institucional, tregojnë vullnetin dhe gatishmërinë tonë institucionale dhe individuale, që parimet e tilla t’i bëjmë realitet. Sot, Kosova garanton një përfaqësim të të dy gjinive në proceset kyçe të vendim-marrjes”, u shpreh Jahjaga.

Më tej ajo shtoi se kjo barazi vihet re që nga përfaqësimi 30 për qind i grave në Kuvendin e Kosovës si dhe në Asambletë Komunale, emërimi i dy zëvendës - kryeministreve dhe dy ministreve femra, si dhe emërimi i udhëheqëses femër në dialogun teknik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, tregojnë një shembull pozitiv të aspiratave demokratike.

Sakaq ajo e cilësoi zgjedhjen e saj në krye të shtetit nga ana e Kuvendit të Kosovës si një synim të Kosovës që të tregohet si shembull në rajon në përfaqësimin adekuat gjinor.

Në përfundim Jahjaga tha se gjithsesi, “Femrat ende mbesin më pak të përfaqësuara në krahasim me meshkujt në punësim, arsim si dhe në gëzimin e plotë të drejtave të garantuara me ligj për shkak të praktikave diskriminuese”.

a.y/NOA

KOMENTE