English

Histori pasioni mes shqiptarit dhe grekes, përfundon në përgjakje me thika

Hios, 7 Korrik 2011 NOA – Gabimi i vetëm i saj, ishte se kërkoi ndarje dhe këtë e pagoi duke u përgjakur nga thika, kurse gabimi i vetëm i tij, ishte se e donte shumë, aq shumë sa i tronditur e qëlloi dhe i pezmatuar menjëherë kërkoi ndihmë për ta shpëtuar, duke ia dalë.

Historia ka në qendër një grua të re greke dhe një emigrant shqiptar. Policia në qytetin grek Hios, bëri të ditur sot se një 35 vjeçar shqiptar, me qëndrim të rregullt në vendin fqinjë, është identifikuar si autor i plagosjes mbrëmjen e djeshme të një 36 vjeçareje greke, bashkëjetuesja e tij.

Hetimi zbardhi se çifti kishte lidhje prej tre vjetësh, derisa para 15 ditësh, 36-vjeçarja i kishte thënë të dashurit të saj se nuk donte të vazhdonin ndaj donte të ndaheshin.

Një lajm i tillë është pritur keq nga emigranti shqiptar. Fillimisht ndonëse u trishtua, ai nuk e bëri veten dhe u duk se mund të ambientohej me këtë fakt.

Por nuk ishte e thënë të duronte gjatë. Dy javë pasi nuk po komunikonin më bashkë, u përpoq të takoheshin sërish por nuk po e gjente.

Dje, ka arritur të mësojë se gjendej në shtëpinë e disa miqve të saj në qendër të qytetit Hios. Atje, bëri një përpjekje pasiononte për ta bindur që të vazhdonin lidhjen e tyre dashurore.

Vajza nuk është bindur duke bërë të qartë se nuk donte të vazhdonin më bashkë. Të tilla deklarata pasuan sherr mes çiftit tashmë të ndarë.

Në kushte gjaknxehtësie të momentit, i riu shqiptar ka rrëmbyer një thikë që gjendej në kuzhinën aty afër dhe e ka qëlluar tre herë në bark ish të dashurën e tij.

I tmerruar për atë çka bëri, i riu kërkoi ndihmën mjekësore dhe në disa minuta në vendngjarje ka mbërritur një autoambulancë. Ajo ka gjetur atje gruan e përgjakur dhe pranë saj, në gjendje shoku, ish të dashurin. E plagosura u dërgua në spital ku u shoqërua nga partneri me të cilin ishte ndarë.

Por pak orë më vonë, ai u largua nga spitali ndërsa policia në Hios tha se po përpiqet të ekzekutojë një urdhër-arresti për të dyshuarin e zhdukur në drejtim të paditur.

Ndërkohë raportohet se gjendja e të plagosurës është jashtë rrezikut për jetën.

n.s/e.t/NOA

KOMENTE