English

I humburi nga “fitorja”

Nga Mero Baze

Dy muaj pas zgjedhjeve të 8 Majit, Kolegji Zgjedhor refuzoi të hetojë mospërputhjen e rezultatit me numrin e votuesve në Tiranë, duke i hapur rrugën drejt administrimit të Bashkisë Lulëzim Bashës, dhe duke varrosur përfundimisht shpresat për një fitues të zgjedhjeve në Tiranë. Vendimi, i cili ishte një gjest cinik që konsolidonte “shpëtimin” e Lulëzim Bashës me afate dhe procedurë, nuk ka cenuar politikisht aspak dinjitetin e opozitës dhe as bilancin politik të Edi Ramës. Përkundrazi, frika për tu përballur me faktet dhe për t’i gjykuar ato duke u fshehur tek afatet e diskutueshme, kanë çimentuar në shoqërinë shqiptare psikozën e grabitjes së mandatit të Tiranës nga Sali Berisha. Opozita, e cila do të qeverisë pas 8 Majit thuajse gjithë qytetet e vendit, u zbua me dhunë nga qeverisja e Tiranës. Procesi i dhunimit, i cili zgjati plot dy muaj, nguliti në mendjen e shqiptarëve dy fakte të rënda. E para që vota e qytetarëve është e parëndësishme përballë vullnetit të pushtetit për ta deformuar atë, dhe e dyta që drejtësia është e pafuqishme për të ndalur një krim politik siç ishte grabitja e këtij mandati. Këto dy leksione të egra që dhanë zgjedhjet e 8 Majit dhe vendimi i 8 Korrikut do të rëndojnë për një kohë të gjatë në kujtesën e këtij vendi si përdhunim i shpresës për zgjedhje të lira dhe ndërrim të pushtetit me votë. Si çdo përdhunim, ai do të lërë pasoja mbi shoqërinë tonë, por mbi të gjitha ai do të ndjekë si mallkim përdhunuesin e këtij procesi, Lulëzim Bashën.

Pikësëpari ky “fitues” ka probleme me procedurën e vjedhjes. Profili i tij i njohur si njeri i paaftë dhe artificial e ndoqi dhe në këtë proces të grabitjes së votës. Ai nuk mundi dot të manipulonte. Ai nuk u bë dot një hajdut i padukshëm manipulativ që shpallet fitues për shkak të hileve. Ai ashtu siç u kap para 8 majit duke manipuluar fushatën, duke blerë vota, duke përdorur kriminelë dhe vrasës, duke përdorur karta fallco dhe të dhënat tona personale, po ashtu u kap pas 14 majit duke grabitur mandatin. Ai nuk ja doli dot të vidhte këto zgjedhje pa u kapur, dhe kjo është një fitore e madhe e opozitës. I dorëzuar para fakteve dhe i kapur me presh në dorë, ai thjesht na tha: më falni, unë vodha por ju s’keni të drejtë të ma merrni mallin e vjedhur se ka kaluar afati. Kështu na tha kur u akuzua për vjedhjen e 220 milionë eurove në rrugën Rrëshen- Kalimash. Prokuroria e kapi duke vjedhur dhe ja faktoi, por ai u mbrojt se dosja shkoi një ditë më vonë në dyert e mbyllura të gjykatës. Kjo është në një farë mënyre alibia e jetës së tij si hajdut. Ai nuk e ka mbështetur jetën tek zotësia, por tek hilet, nuk e ka mbështetur pafajësinë tek drejtësia, por tek marifetet, nuk e ka mbështetur karrierën politike tek vetvetja, por tek Babi i Argitës. Ai nuk na vodhi dot, thjesht na rrëmbeu mandatin me forcën e pushtetit dhe nuk pranon të gjykohet.

Një arsye e dytë përse ky njeri ka humbur nga kjo grabitje, është vetë karriera e tij politike në PD. Ai është aty jo si vlerë, por si hipotekë fallco e familjes Berisha. Dhe si çdo njeri që përdoret për mbulesë fallco në pushtet, në biografinë e tij duhej doemos një peng. Ai është tani sinonimi i një pirgu akuzash të pagjykuar për procedurë, të cilat do të hapen sapo ky njeri të tentojë ta quajë të vetën hipotekën fallco që familja Berisha ka vënë për të në politikë. Lulëzim Basha e ka gati dosjen në prokurori për vjedhjen e rrugës Durrës- Kukës. Mjafton një fakt i ri të riçohet në prokurori dhe çështja aktivizohet, për më tepër që tani është dhe pa imunitet parlamentar. Lulëzim Basha e ka gati dosjen e vrasjeve të 21 Janarit. Mjafton një pasthirrmë e Ndrea Prendit, njeri i brendshëm i familjes Berisha, që ky njeri të çohet para drejtësisë për vrasje, nëse tenton ta përdorë për vete hipotekën që i ka dhënë familja Berisha në politikë. Por mbi të gjitha ky njeri është i pambrojtur në grabitjen e mandatit të Tiranës. Dosja me provat e manipulimit është publike dhe qytetarët shqiptarë panë me sytë e tyre fituesin më 14 Maj dhe përdhunuesin e procesit më 8 Korrik. Lulëzim Basha ka vetëm një shans pas kësaj të bëjë karrierë në PD, të jetë hija e Familjes së Sali Berishës si trashëgimtar i pushtetit. Pasi ka kompletuar figurën e tij si peng i përsosur politik falë krimeve politike, financiare dhe elektorale, Sali Berisha po planifikon dhe pastrimin e selisë nga rivalë të tij të bezdisshëm duke i hequr qafe me ngritje në detyrë. Ridvan Bode po përpiqet t’i lërë vendin si Sekretar i Përgjithshëm duke tentuar të bëhet Guvernator Banke, ndërsa Topalli duke kërkuar hapur presidencën në Korrik të vitit 2012. Pas kësaj ne do të kemi në PD një kone me zinxhirë floriri, fundin e të cilit e mban në dorë Familja. Lulëzim Basha, ky peng i kompletuar i Familjes, do të jetë aty, i lirë vetëm për tu dukur i lumtur, i lirë për tu dukur fitues, i lirë për tu dukur i ri, por realisht do të jetë gjithë jetën një njeri i inkriminuar për të mos qenë i lirë, për të mos qenë fitues, për të mos qenë i qetë.

Duke ju rikthyer opozitës duhet të them se ajo sot nuk ka arsye të jetë e dëshpëruar. E dëshpëruar është një opozitë që humbet, jo një opozitë që grabitet. Vetëm një logjikë përdhunuesi mund të konsiderojë opozitën fajtore pse pushteti e ka përdhunuar. Vetëm një mendje e rritur me ndjesinë e incestit siç është mendja e Sali Berishës, mund të tentojë të quajë të humbur viktimën që ka përdhunuar. Opozita shqiptare duhet të jetë krenare që nuk e mundën dot në Tiranë, që nuk e vodhën dot në Tiranë, dhe që nuk arritën ta merrnin duke e gjykuar procesin e zgjedhjeve në Tiranë. Ata e përdhunuan mandatin e fituesit në Tiranë, pa qenë në gjendje të bindnin gjykatën që të hetonte provat e përdhunimit. Gjykatësja mjerane me emër sovjetik që shqiptoi vendimin, është në të vërtetë shëmbëlltyra reale se kush e ka mundur opozitën dhe me çfarë. Gjithë gjyqtarët e akuzuar nga Berisha për krime kundër njerëzimit se i kanë shërbyer komunizmit, janë dhe gjyqtarët apo prokurorët që kanë shpëtuar Lulëzim Bashën me procedurë nga hetimi penal apo nga ndëshkimi elektoral. E tillë ishte dhe sovjetikja e fundit. Lulëzim Bashës iu bënë krah në këtë proces komunistët e Hysni Milloshit dhe gjyqtarët fanatikë të komunizmit si Ndreca apo Sashenka. Është e tepërt ta quajmë “fitore” këtë rrënim. Mbi të gjitha kryetari i opozitës shqiptare, Edi Rama, jo vetëm që ka dalë i pamundur nga kjo garë, por mbi të gjitha ka dalë më bindës se kurrë si diskretitues i portretit stalinist të Sali Berishës si një njeri që urren përfundimisht zgjedhjet e lira dhe ndryshimin e pushtetit më votë në Shqipëri. Shqiptarët prej sot e tutje do të kenë alternativë pushtetin e vjedhur të Sali Berishës dhe opozitën e Edi Ramës. Askush të mos mendojë se duke marrë gjithçka ka fituar gjithçka. Askush nuk mund të ndjehet dot fitimtar pa fituar, dhe humbës pa humbur. Opozita ja ka dalë të dalë e fituar duke “humbur” administrimin e Tiranës përballë një përdhunuesi, ndërsa Sali Berisha dhe Lulëzim Basha janë përfundimisht të humbur duke u futur me dhunë në shtëpinë e opozitës në Tiranë pasi Shqipëria i zboi nga Konispoli deri në Has nga çdo bashki.

*Pikëpamjet dhe faktet e pretenduara në shkrim, janë qëndrim dhe përgjegjësi ekskluzive e autorit.

KOMENTE