English

Reagon diplomacia rumune: Basesku nuk i shau shqiptarët, ishte shpifje

Bukuresht, 13 korrik, NOA - Ministria e Punëve të Jashtme të Rumanisë, përmes një deklarate të posaçme për shtyp, ka reaguar lidhur me lajmin e përhapur dje në disa media shqiptare dhe kosovare se presidenti Trajan Basesku i paska ofenduar rëndë shqiptarët.

Ky institucion është shprehur madje kritik edhe me homologen e tij në Shqipëri, ministrinë e Jashtme shqiptare, për të cilën ka thënë se ajo sapo është njohur me lajmin që e ka cilësuar të rremë, i paska kërkuar ambasadorit rumun në Tiranë, sqarime konkrete.

"Ministria e Punëve të Jashtme shpreh mospajtimin e saj me sjelljen e pazakontë të Ministrisë së Jashtme shqiptare, gjatë datës 12 korrik, tek i kërkoi ambasadorit rumun në Tiranë të sqaronte deklaratat e dyshuara për Kosovën, të lëshuara nga Presidenti i Rumanisë pas botimit të tyre në një faqe interneti. Ato i atribuonin atij disa kualifikime të rreme mbi tipare të karakterit të shqiptarëve, duke përfshirë edhe ata në Kosovë", citon deklarata e institucionit të diplomacisë rumune.

Nga ana e tij, ambasadori rumun në Tiranë, i kundërshtoi me forcë këto pretendime dhe tha të vërtetën, se “ne po përballemi me një keqinformim të dizajnuar për të ndikuar në miqësinë tradicionale mes Rumanisë dhe Shqipërisë”.

Ambasadori rumun riafirmoi më pas parimin e pozicionit të vendit të tij në rastin e Kosovës, duke theksuar se ai është i njohur për të gjithë aleatët dhe partnerët evropianë dhe euro-atlantikë.

Qëndrimi i Rumanisë është i bazuar në parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, sipas tij.

Përkundrejt këtij sfondi, vlerësohet se është krejtësisht e papranueshme që një ambasador rumun, të jetë vënë në një pozitë të tillë, që të shpjegonte patjetër informacione të lëshuara nga burime të pavërtetuara dhe të paqarta.

“Kjo qasje nuk është në përputhje me marrëdhëniet dypalëshe dhe as me mbështetjen e vazhdueshme të aspiratave evropiane të Rumanisë dhe të Shqipërisë”, citon më tej deklarata.

Duke përfunduar se Ministria e Punëve të Jashtme e Rumanisë, paraqitet dakord me rivitalizimin e përpjekjeve të dialogut diplomatik dhe eliminimin e informacionit të varfër që qarkullon në mjediset e komunikimit virtual.

Incidenti diplomatik

Gjithçka lindi ditën e djeshme, pasi një website italian, publikoi lajmin sikur presidenti rumun i kishte sharë rëndë shqiptarët, me fjalën “magjyp”, përveç faktit që Rumania nuk e njeh pavarësinë e Kosovës e ky lajm u riprodhua më pas nga media të tjera. Ndërkaq, vetë kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, i pyetur rreth këtyre deklaratave, të cilat rezultuan të sajuara, reagoi me mjaft kujdes duke pohuar se “Ato janë të rënda, nëse Basesku i kishte thënë vërtet” ...

n.e/NOA

KOMENTE