English

Berisha: Pa taksa 8 vjet për gjithë ata që do investojnë në zonat malore

Tiranë, 15 korrik 2011, NOA- Kryeministri Berisha gjatë ditës së sotme zhvilloi një takim me Unionin e Operatorëve Turistikë Shqiptarë, që operojnë në zonat malore të vendit tonë.

Gjatë diskutimit me ta ku u ngritën disa problematika si shtimi i kapaciteteve akomoduese, përmirësimi i furnizimit me energji dhe ujë, krijimi i lehtësirave për investitorët në këto zona, ai i siguroi ata se zhvillimi i turizmit malor është një përparësi dhe qeveria do të bëjë gjithçka për të nxitur zhvillimin e turizmit në këto zona, por edhe për të shfrytëzuar e kthyer në vlera të gjitha pasuritë që ato kanë.

Më tej ai tha se në dy vitet e fundit, qeveria ka ndërmarrë përpjekje për ndërtimin e infrastrukturës, duke shkuar drejt të gjitha trevave, nga Çajupi, Tomorri, Prespa, Vithkuqi, Stërbleva, Gjinari, Korabi, Shishtaveci, Valbona, Thethi dhe Vermoshi.

Sipas tij, krahas infrastrukturës, për të inkurajuar investimet në zonat malore, do të përjashtohen nga taksat për një periudhë 8 vjet të gjithë ata, që do të investojnë në zonat malore.

Në këtë linjë kreu i qeverisë tha se, “Ne do të heqim taksat në mënyrë që t’i lehtësojmë investimet. Ne do të përcaktojmë një periudhë 8 vjet pa taksa, për të gjithë ata që do të investojnë në zonat malore. Kjo shpresoj dhe besoj do t’ua rrisë kurajon investitorëve, për të ndërtuar në këto zona. Shumë shpejt do të kalojë projektligji për të krijuar zona pa asnjë taksë, për investimet turistike në zonat malore. Gradualisht investitorët do të fillojnë të ndërtojnë fillimisht fshatra turistikë e më pas hotele”.

Ndërkaq ai u kërkoi operatorëve turistikë që të ruajnë dhe zhvillojnë traditën, duke shtuar se gjithçka alpine, është tërheqëse, e shijshme dhe e këndshme, ndaj u tha atyre se duhet të përpiqen ta ruajnë, ta zhvillojnë dhe ta servirin, por shtoi se duhet bërë përpjekje që të ruhen edhe pyjet si parqe natyrore si dhe të shfrytëzohet çdo burim në mënyrën më racionale.

Ndër të tjera kreu i qeverisë theksoi se për zhvillimin e programuar të këtyre zonave, do të bëhet përfshirja e komunave malore në Masterplanet e Zhvillimit, që po kryhen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe PNUD.

Ndërsa nga ana e tij kryetari i Unionit të Operatorëve Turistikë Sadik Malaj u shpreh se, përmirësimi i infrastrukturës dhe nismat e qeverisë kanë dhënë efekt në zhvillimin e këtyre zonave dhe të turizmit malor, si dhe kanë sjellë rritjen e vëmendjes të komunitetit lokal për zhvillimin e potencialeve të tyre, por edhe të interesit të qytetarëve dhe biznesit.

a.y/NOA

KOMENTE