English

Kryetari i 23-të i bashkisë së Tiranës, betimi i Bashës jo më vonë se 28 korriku

Tiranë, 17 korrik 2011, NOA/Irma Toptani - Lulzim Basha, kryetari i ri i bashkisë së kryeqytetit dhe i njëzet e treti në historinë e administrimit të qytetit të Tiranës do të ulet në karrigen e kryetarit të bashkisë jo më vonë se data 28 korrik.

Ligji për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore përcakton se sekretariati i Këshillit Bashkiak duhet të thërrasë jo më vonë se 20 ditë nga shpallja e rezultatit, mbledhjen e tij të parë, në të cilën kryetari i ri i bashkisë bën betimin.

Nisur nga vendimi i datës 8 korrik të Kolegjit Zgjedhor, afati 20 ditor për mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak është data 28 korrik, ditë në të cilën Lulzim Basha do të marrë zyrtarisht postin e kryetarit të bashkisë së Tiranës.

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka 55 mandate, 28 të fituara nga koalicioni i djathtë “Aleanca për Qytetarin” dhe 27 nga koalicioni i majtë “Aleanca për të Ardhmen”.

Veç shumicës në atë që quhet parlamenti i Tiranës, Partia Demokratike dhe aleatët e saj fituan 7 nga 11 minibashki dhe ajo që është më e rëndësishmja, i rikthyen drejtimin e bashkisë së Tiranës, koalicionit të djathtë pas 3 mandatesh të ish-kryebashkiakut socialist Edi Rama.

Lulzim Basha do të mbahet mend si kryetari i 23-të i bashkisë së Tiranës, e cila është drejtuar nga demokratët në vitet 1992 – 1996 nga Sali Kelmendi dhe në vitet 1996 – 2000 nga Albert Brojka.

Kryetari i parë i bashkisë së Tiranës ka qenë Zyber Hallulli në vitet 1913-1914.

Fitorja e Bashës në Tiranë konsiderohet historike për Partinë Demokratike, pasi kandidati i mazhorancës sfidoi në këtë betejë elektorale jo vetëm 3 herë kryetarin e bashkisë më të madhe në vend, por edhe liderin e opozitës.

Fryma e një fushate moderne elektorale, që sipas vetë Bashës kishte në vëmendje qytetarët e Tiranës dhe jo retorikën politike të ditës i dha atij mbështetjen e nevojshme për të fituar postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, një hap domethënës në karrierën e tij politike, por edhe një shans për të lënë gjurmët në ndryshimin e pritshëm të Tiranës.

mit/NOA

KOMENTE