English

Qeveria e re e Maqedonisë do të hap kufijtë me Kosovën e Preshevën

Shkup, 17 korrik, NOA - Në programin e ri të qeverisë së Maqedonisë është vendosur si prioritet edhe hapja e vendkalimeve kufitare me Kosovën, Luginën e Preshevës, etj.

Zyrtarë të lartë të BDI-së, theksojnë se realizimi i këtyre projekteve është parashikuar në programin e Qeverisë 2011-2015.

“Projektet që ne i kemi premtuar gjatë fushatës zgjedhore dhe i kemi të përmendura edhe në programin tonë, janë projekte që janë të përmendura edhe në programin e Qeverisë dhe kështu ato në katër vjeçarin e ardhshëm do të jenë projekte që do të realizohen me fonde nga buxheti qendror dhe në këtë mënyrë ne sigurojmë edhe shpërndarje të barabartë dhe transparente të buxhetit që është një nga kërkesat kryesore jo vetëm të BDI-së por gjithë shqiptarëve në përgjithësi” është shprehur Abdilaqim Ademi, ministër i ardhshëm i kabinetit të ri qeveritar në Maqedoni .

Sipas parashikimeve, hapja e vendkalimeve kufitare me Kosovën dhe Luginën e Preshevës do të realizohet më së voni në vitin 2014, pasi asfaltimi i rrugëve që çojnë deri në këto vendkalime është paraparë të kryhet gjatë periudhës kohore 2013-2014.

Në programin Qeveritar janë parashikuar investime në infrastrukturë, në korridorin 10, ndërtimin e rrugëve Tabanoc-Kumanovë, Shkup-Bllacë, rruga rajonale nga Kërçova deri tek Ura e Boshkit dhe Dibër, rruga deri në kalimin kufitar Bellanoc-Stançiq, ku është parashikuar edhe hapja e këtij kalimi kufitar, rruga deri në Tanushë ku është parashikuar hapja e kalimit kufitar me Kosovën, rruga deri në kalimin kufitar Llojan-Miratoc ku është parashikuar gjithashtu hapje e këtij kalimi kufitar. Rruga rajonale Tetovë-Jazhincë, rruga rajonale Kumanovë-Likovë-Haraçinë.

NOA/INA

KOMENTE