English

MB: Shpërblimet e policëve janë dhënë nga fondi rezervë i qeverisë

Tiranë, 18 korrik 2011, NOA – Pas pretendimeve të Sindikatës së Punonjësve të Policisë, Ministria e Brendshme sqaron se shpërblimet financiare të shpërndara gjatë këtij viti për punonjësit e Policisë së Shtetit janë dhënë nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, konkretisht në shumën 205 milionë lekë.

Përmes një deklarate për shtyp MB bën me dije se pretendimet e sindikatës së policëve janë të pasakta dhe jashtë kontekstit sindikalist.

MB deklaron se këto shpërblime nuk janë dhënë nga fondi i veçantë, për rrjedhojë nuk janë objekt i këtij vendimi dhe nuk kthehen në buxhetin e shtetit.

Ky sqarim vjen për shkak se Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit pretendon se shpërblimet janë dhënë sipas vendimit VKM nr.472, datë 02.07.2011 “Për disiplinimin e përdorimit të fondeve buxhetore”.

Duke iu referuar pretendimeve të sindikatës të zbuluara në disa të përditshme, dikasteri i Brendshëm sqaron opinionin publik se “Pagesa e orëve suplementare e kryer për strukturat e Policisë së Shtetit nuk është objekt i kthimit në buxhet sipas VKM nr. 472, datë 02.07.2011, sepse përfshihet në fondin e pagave”.

Më tej në deklaratë nënvizohet se në vendimin e qeverisë është parashikuar vetëm që orët suplementare të punës, të cilat nuk janë kompensuar me pagë deri më tani, të kompensohen me pushim dhe në pamundësi të kësaj të vijojë mënyra e kompensimit financiar.

mit/NOA

KOMENTE