English

Pse jam kundër Parlamentit luksoz

Nga Arben Malaj

Ka disa ditë që në media diskutohet për projektin e Parlamentit të ri. Ndoshta jemi vendi dhe Parlamenti i vetëm në botë (nga vendet jo komuniste), që në kushtet e krizës globale edhe pasi kemi shkurtuar dy vite rresht buxhetin për arsimin dhe shëndetësinë, do shpenzojmë rreth 110 milionë euro për ndërtesën e re të Parlamentit, si simbol i krenarisë të 100-vjetorit të shtetit shqiptar. Jemi ndoshta vendi që drejtohemi nga maxhoranca më fodulle dhe më e papërgjegjshme. Vetëm dy javë më parë, për të ndalur përkeqësimin e borxhit, për të ndalur krizën në financat tona publike, duhet të shkurtonim 18 miliardë lekë. Një javë më vonë i kërkojmë Parlamentit të miratojë rritje deficiti disa miliarda lekë.

Shkurtuan mbështetjen për arsimin, shkurtuan mbështetjen për shëndetësinë, shkurtuan mbështetjen për shtresat e varfra dhe papritur do të rrisin shpenzimet për godinën luksoze te Parlamentit.

E pabesueshme dhe e trishtueshme. Ka rreth 5 vjet që zvarrisin pa fund ndërtimin e një Kampusi për Universitetin e Tiranës. Deklarojnë çdo vit rritjen e numrit të studentëve, të cilët nuk e dinë ku e fillojnë dhe si e mbarojnë një cikël universitar. Përurojnë me pompozitet përshtatjen e disa ambienteve kulturore në salla mësimdhënieje. Përurojnë deri edhe riparimet apo lyerjen e disa ndërtesave universitare dhe tani, në kulmin e përgjegjshmërisë, për të mbajtur nën kontroll financat e vendit, në vend që çdo mundësi ta përdorin për të mbështetur më mirë me reforma dhe fonde arsimin dhe shëndetësinë, ngazëllehen se kanë siguruar financimin islamik me kosto te ulët për ndërtesën luksoze të Parlamentit.

Ky duhet të ishte debati më i ashpër në Parlament. Ky është moment për reagimin më të plotë të të gjithëve. Në Parlament duhet të ishte opozita. Në atë sallë, çdo deputet, përpara se të jetë një anëtar besnik partie, është prind, që e di shumë mirë se në çfarë gjendjeje është arsimimi i fëmijëve, që e di shumë mirë se sa të vështira i kanë kushtet universitetet dhe spitalet tona.

A i di qeveria, deputetët dhe shoqëria civile shifrat e fundit të Bankës Botërore për gjendjen e arsimit dhe shëndetësisë në vendin tonë (http://siteresources.worldbank.org/CPSfinal_albanian.pdf)?

Deri në vitin 2015, regjistrimet neto në arsimin bazë duhet të ishin 100% të nxënësve, tani ky objektiv është ulur në 96% dhe niveli aktual është vetëm 83%. Në vendet e Europës Juglindore ky tregues është 93%. Numri i analfabetëve në vendin tonë po rritet.

Regjistrimet neto në arsimin sekondar në vendin tonë janë vetëm 60%. A e dini sa është kjo mesatare në vendet e Europës Juglindore? 91%. Numri i të paarsimuarve po përkeqësohet. Si do të ulet papunësia dhe si do rritet produktiviteti i ekonomisë shqiptare?!

Vdekshmëria foshnjore në Shqipëri për çdo 1 000 lindje është mesatarisht 11.1 foshnja, ndërsa në vendet e tjera 6.6. Pra, në vendin tonë, ky tregues është 65% më keq. Vdekshmëria e fëmijëve nën 5 vjeç në vendin tonë është mesatarisht rreth 14 në 1 000 lindje, ndërsa në vendet e tjera 7.9, pra tek ne është dy herë më keq.

Vdekshmëria e nënave në vendin tonë, në vitin 2008 ishte mesatarisht 20.9 nëna/100 000, kurse në vendet e tjera europiane është 10/100 000, pra mbi dy herë më keq.

Vjet u shkurtuan rreth 50% e investimeve në arsim, u shkurtuan rreth 40% e investimeve në shëndetësi, dy sektorët jetikë dhe më kritikë për të ardhmen e çdo vendi.

Pas këtyre shifrave, pas shkurtimeve drastike, dy vitet e fundit të mbështetjes buxhetore për arsimin dhe shëndetësinë, kolegët e PD-së nuk duhet ta miratojnë këtë projektligj.

Ministri i Financave duhet të ketë kurajën qytetare dhe detyrimin politik për ta ndalur këtë investim luksoz, duhet të shkurtojë sa më pak në arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale dhe nuk duhet të tolerojë asnjë projekt megaloman të maxhorancës së tij. Këtë duhet ta bëjë në çdo kohë, por në mënyrë të veçantë në kohë krize.

Duhet bërë publik diskutimi dhe vota e ministrit të Arsimit dhe atij të Shëndetësisë për shkurtimet në buxhet dhe për investimin luksoz të Parlamentit. Duhet shpresuar tek përgjegjshmëria qytetare e ish-ministrave të Arsimit dhe të Shëndetësisë të kësaj maxhorance, të cilët nuk duhet ta votojnë këtë projekt në Parlament. Deputetët ish-mësues dhe ish-mjekë nuk duhet t’i nënshtrohen besnikërisë partiake për të votuar këtë projekt. Sot, në kushtet e krizës globale, ka disa vende që kanë shkurtuar apo ngrirë disa investime edhe në arsim, por nuk ka asnjë vend që ndërsa kërkon sakrifica për të shkurtuar deficitin dhe borxhin, të guxojë të propozojë nisjen e investimeve luksoze për ndërtesa qeveritare.

Asnjë qeveri e përgjegjshme nuk do të guxonte ta bënte këtë, por edhe sikur të guxonte, reagimi publik, vetëdija publike, përgjegjshmëria publike do të reagonte fort dhe në mënyrë imponuese.

Numri i deputetëve është i njëjtë, madje do të ishte më mirë që në një reformë zgjedhore edhe të zvogëlohej, ndërsa numri i nxënësve, i studentëve do të rritej nga njëri vit në tjetrin.

Studentët që paguajnë koston e këtij fodullëku të maxhorancës së vendit të tyre duhet të reagojnë. Pedagogët, të cilët nuk duhet të kenë frikë asnjë maxhorancë, duhet të jenë solidarë dhe aktivë në publik për përgjegjësinë që kanë për mirarsimimin e studentëve të tyre. Duhet të jenë solidarë në publik për ta ndalur këtë arrogancë luksoze dhe për t’i detyruar ligjvënësit e tyre të mos jenë kaq hipokritë dhe të papërgjegjshëm me prioritetet e vendit te tyre. Pse maxhoranca është kaq mospërfillëse ndaj opinionit publik? Pse kanë kaq shumë guxim të ecin përpara me çdo ide dhe projekt sado i shtrenjte dhe sado luksoz të jetë ai? Ndoshta sepse ata janë të bindur në faktin që opozita është e çoroditur, ndërsa opinioni publik është i dobët dhe i frikur. Ndoshta sepse ata harxhojnë direkt dhe indirekt miliarda lekë për t’u paraqitur shqiptarëve një realitet virtual, që tenton të fshehë realitetin e dhimbshëm social. Si shenjë krenarie e 100-vjetorit të shtetit tonë nuk mund të shërbejë një godinë luksoze e Parlamentit, por një kredibilitet real i mirëqeverisjes së vendit, i shtetit ligjor, ku liritë politike dhe ekonomike janë të pacenueshme dhe gjithnjë në rritje. Veprat e mëdha nuk janë bërë me aksion, me goditje të përqendruar dhe as në kurriz të prioriteteve të vendit. Sa ironike: rrezikohemi të vazhdojmë në krizën, rrezikohemi të mbetemi jashtë dyerve të Europës së Bashkuar, rrezikohemi të jemi të përçarë politikisht në prag të 100-vjetorit të shtetit shqiptar, por nga ana tjetër jemi krenarë se edhe pse në situatë krize, do të përurojmë ndërtesën më luksoze të Parlamentit të vendit tonë, si shenjë e modernizmit të shtetit?!

Godina luksoze e Parlamentit është rast tipik i mentalitetit të vjetër, i politikanëve që duan të përjetësojnë me godina fizike veten e tyre në historinë e vendit.

Gazeta “Panorama”

KOMENTE