English

Policia e Shkodrës, masa e gjoba ndaj shkelësve të ligjit në qarkullimin rrugor

Shkodër, 21 korrik 2011, NOA – Në kulm të sezonit turistik uniformat blu të qarkullimit rrugor në qytetin e Shkodrës kanë nisur një aksion për parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë duke marrë një sërë masash administrative ndaj kundravajtësve të ligjit.

Sipas drejtorisë së qarkut të Shkodrës gjatë tri ditëve të fundit janë ngritur një sërë pikash kontrolli në të gjitha pikat kyçe në shkallë qarku.

Policia e Shkodrës gjatë mbikëqyrjes së rrugëve ka bllokuar 11 leje drejtimi automjetesh, për shkak të tejkalimit të shpejtësisë dhe përdorimit të alkoolit, si dhe ka vendosur gjoba për mospërdorim të rripit të sigurimit.

“Janë dhënë gjithsej 445 masa administrative, me vlerë 212.500 lekë të reja, gjoba këto të dhëna kryesisht për mospërdorim të rripit të sigurimit, mospërdorim të kaskës mbrojtëse në drejtim të motorçikletave, parakalime të gabuara etj”, thuhet në njoftimin e policisë së Shkodrës.

Sipas saj janë ndaluar dhe bllokuar gjithsej 40 mjete, kryesisht motorçikleta, që nuk kishin dokumente apo leje drejtimi.

Policia Rrugore e Shkodrës kërkon të ndërgjegjësojë drejtuesit e automjeteve që në këtë sezon kur është rritur prania e makinave nëpër rrugët e vendit për shkak të pushimeve të verës, të disiplinojnë qarkullimin në rrugë dhe të mos shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.

mit/NOA

KOMENTE