English

Veteranët e UÇK, sërish në grevë

Prishtinë, 24 korrik - Veteranët e luftës së UÇK-së, jo vetëm që janë shprehur të pakënaqur me përmbajtjen e projektligjit për vlerat e luftës, por ndihen të tradhtuar nga Qeveria, sepse siç shprehen ata, disa ndryshime janë bërë pa miratimin e tyre.

Drafti i propozuar nga Qeveria ka marrë disa vërejtje nga këta veteranë, të cilat në qoftë se nuk plotësohen siç thonë ata, do të kthejnë gjendjen aty ku ishte në fillim - te greva dhe protesta. Këto kanë qenë deklaratat e të gjitha shoqatave të dala nga lufta, një ditë pas miratimit të projektligjit në qeveri.

Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së dhe atij grevistë, ka thënë për gazetën “Zëri” se ky projektligj do të pranohet nga veteranët vetëm nëse në të përfshihen vërejtjet e dhëna nga ky këshill. Një draft i këtij projektligji, i cili iu është dorëzuar për lexim këtyre veteranëve para 10-15 ditësh, sipas Qeriqit, nuk realizon kërkesat e tyre në tërësi.

Ai ka thënë se janë dorëzuar disa vërejtje me shkrim në adresë të komisioneve dhe grupeve parlamentare, që para se të dalë për miratim të përfshihen. Në të kundërtën, nëse këto vërejtje nuk përmirësohen nga komisionet, Qeriqi ka theksuar se nuk do të pranohet projektligji.

Një nga vërejtjet kryesore, që sipas tij, është tepër absurde të vendoset me ligj pa u përmirësuar, është mosha e një veterani të përcaktuar 50-vjeç për të marrë pagën-pensionin e veteranit si dhe mospërcaktimi i shërbimit shëndetësor. Në draftin e projektligjit është paraparë që pensioni i veteranit t’i takojë vetëm atij veterani që ka 50 vjet dhe assesi nën këtë moshë.

Qeriqi thekson se kjo është një shkelje shumë e madhe, pasi sipas tij, në UÇK kanë marrë pjesë vetëm 10-15 për qind ushtarë të moshës së vjetër, ndërsa e gjithë pjesa tjetër i ka takuar më së shumti moshës 22-23 vjeç.

Ndërsa, vërejtja tjetër, Qeriqi ka thënë se është adresuar te sigurimi shëndetësor. Tani kur shërbimet shëndetësore janë në masë të madhe të privatizuara, ai ka thënë se është e arsyeshme që të ndahet një fond i veçantë për mbulimin e shpenzimeve shëndetësore.

Me projektligj, një veteran i papunësuar merr 80 për qind të pagës mesatare në Kosovë (170 euro) që i bie diku një pension 130-140 euro, kurse një veterani të punësuar do t’i takojë 40 për qind e pagës mesatare.

Qeriqi ka theksuar me vend reagimin e kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së për mospërfshirje të dëshmorëve të kombit që kanë rënë para vitit 1998. Sipas tij, çdo person që ka mbajtur emblemën e UÇK-së i takon të jetë pjesë e këtij ligji.

Por, përfaqësim në komisione ka kërkuar edhe Lidhja e Invalidëve dhe Viktimave Civile të Luftës në Kosovë (LIVCLK), në të cilën bëjnë pjesë mbi 10 mijë anëtarë, që kanë humbur gjymtyrët në luftë, apo kanë humbur familjarët.

NOA/RFE

KOMENTE