English

Goditet me snajper polici kosovar. ICO: Qeveria ka të drejtë të kontrollojë kufirin

E martë, 26 korrik 2011, NOA- Një polic kosovar ka mbetur i plagosur më Zubin Potok në kohën që njësia speciale e policisë së Kosovës është sulmuar nga serbë të armatosur.

Mësohet se gjatë kohës që policët kosovar ishin në rrugë e sipër drejt Veriut, nga Kushtova për në Zubin Potok, një polic i Kosovës është lënduar rëndë dhe është dërguar për trajtim të menjëhershëm në QKUK, pas plumbit të ardhur drejt tij.

Sipas të dhënave paraprake dyshohet se plagosja e policit të Kosovës ka ardhur gjatë një shkëmbimi zjarri mes policisë dhe serbëve lokalë.

Ndërkaq siç është shprehur për mediat, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, nga shkëmbimi i zjarrit ka pasur të plagosur, ndërsa dëmin më të madhe e ka pësuar një pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Po sipas tij thuhet se dyshohet që plagosja dhe dëmtimi i marrë është bërë me snajper, çka ka bërë që ai të dërgohet urgjent në drejtim të spitalit.

Sakaq inicialet e të plagosurit mësohet të jenë E. Z., ndërsa plaga e marrë nga snajperi e ka zënë në kokë, çka e ka bërë edhe më të rëndë gjendjen e tij shëndetësore.

Më herët kryeministri Hashim Thaçi, theksoi vendimin se policia e Njësisë Speciale të Kosovës do të vazhdojë të qëndrojë në pikat kufitare 1 dhe 31.

Ndërkaq ministri i brendshëm, Bajram Rexhepi, konfirmoi se pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës janë në pikën 1 të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë në Bërnjak, kurse në pikën 31, në Jarinje, ai tha se situata është më e paqartë.

Lidhur me këtë situatë mbikëqyrësi i pavarësisë së vendit, Zyra Civile Ndërkombëtare, nëpërmjet zëdhënësit, Andy Mecguffy, ka deklaruar se si çdo vend sovran, Qeveria ka të drejtë të ndërmarrë hapa për të siguruar administrim adekuat, përfshirë këtu kontrollin e kufirit dhe të doganave.

Më tej ICO ka inkurajuar Qeverinë, që përpjekjet e veta për të vendosur kontroll në tërë territorin e saj, duke siguruar qytetarët në veri të Kosovës.

a.y/NOA

KOMENTE