English

Përse gjithë kjo frikë e Berishës nga Bamir Topi?

Nga Mero Baze

Sali Berisha po shton përditë e më shumë sulmet publike ndaj Bamir Topit. Po përpiqet të bëjë një mishmash deklaratash, lojëra gjysëm banale me dekonspirimin politik të tij, pastaj sulme publike, pastaj etiketime personale e deri në vlerësime dhe për identitetin e tij politik siç ndodhi dje. I bindur se media po e merr si polemikë mes Kryeministrit dhe Presidentit, Berisha është komod pasi me këtë rast tenton pa shumë sukses të bëjë nervoz një njeri që nuk e luan Topi nga vendi në asnjë rrethanë. Por beteja e tij kundër Topit nuk është luftë ndërinstitucionale. Kryeministri Berisha nuk ka asnjë problem me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Ky i fundit ia firmos rregullisht gjithë ligjet dhe dekretet që i duhen, edhe pse shpesh nuk është dakord me to. Edhe ndonjë që nuk ja firmos, nuk i prish punë se vetëfirmoset. Po ashtu Presidenti i Republikës nuk i ka prishur dot punë as me Prokurorinë, e cila thuajse nuk ka gërvishtur asnjë dosje ku kapet djali, vajza apo gruaja e kryeministrit, përkundrazi i ka varrosur ato. Presidenti nuk i prish punë as me shërbimin sekret, pasi ai nuk ka ndonjë peshë më në jetën politike dhe izolimi që i ka bërë Berisha e ka bërë dhe më pak të dukshëm për sytë e shqiptarëve. Presidenti nuk i prish punë as me autoritetin e tij mbi KLD, pasi siç e kemi parë gjykatat para se të marrin vendime binden një herë se çfarë do Berisha, pastaj flasin. Pra, nuk kemi asnjë konflikt mes Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit. Ky i fundit ka mbaruar punë me atë godinë. I vetmi problem që duket se është i fortë, është problemi që ka Sali Berisha me Bamir Topin. Si një ish- nënkryetar i partisë së tij, asnjëherë i afërt me të, Bamir Topi ka pasur një mbështetje për inerci nga shumica e PD-së, pra nga gjithë mbështetësit e Berishës, plus dhe të pakënaqurit prej tij. Ky autoritet në rritje i tij në PD e shqetësoi Berishën, dhe pasi nuk e përdori dot ta hiqte qafe si kandidat bashkiak në Tiranë, e ngriti në detyrë dhe e hoqi qafe si president. Aq shumë në siklet duhet të ketë qenë nga ky largim me ngritje në detyrë, saqë pa mbushur ende vitin si president e sulmoi dhe dita- ditës po ja rrit dozën e sulmeve deri në banalitet. Kohët e fundit sulmet ndaj tij po përqendrohen në një pikë më specifike, në faktin që Bamir Topi qenka socialist. Edhe pse e di se askush nuk beson këtë, ai u mundua të ndërtonte një skemë gjysëm policore me votimin e Topit, dhe gjoja dekonspirimin e votës së tij dhe dje me sulmin direkt si aleat i Edi Ramës. Në të vërtetë Bamir Topi i ka hequr realisht Edi Ramës, ashtu siç thoshte Berisha, nja dhjetë mijë vota në Tiranë. Ja ka hequr pasi mbështetësit e tij në Tiranë panë tek ai një mungesë angazhimi për të orientuar votën, dhe nga fakti që Dashamir Shehi hyri në koalicion thuajse publik me Lulëzim Bashën, ata votuan Bashën. Po qe se Bamir Topi do ishte njeri aktiv politik, sot Lulëzim Basha do ta kishte të pamundur të rrinte me kunetërit në zyrë dhe të therte dashin para Bashkisë. Pra, frika reale e Berishës ndaj Topit është pikërisht ndikimi që ka tek një elektorat konservator në Tiranë, i cili mund t’i përbëjë problem në një të ardhme të afërt, sidomos në zgjedhjet e radhës parlamentare. Duke qenë i qartë se Berisha e ka humbur aleancën me Bamir Topin, dhe po aq i qartë se Bamir Topi nuk ka asnjë lidhje me Aleancën Kuq e Zi siç përpiqen ta etiketojnë, Berisha i trembet një nisme të re politike në të djathtën, që i heq përfundimisht stolin partisë së tij në Tiranë dhe gjunjëzon Berishën për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Duke qenë se Berisha ka dalë nga zgjedhjet e 8 Majit pa asnjë figurë fituese, i shpartalluar në gjithë Shqipërinë, ai ka vetëm një kult për të ngritur, kultin e Lulëzim Bashës, i cili megjithëse nuk fitoi, rrëmbeu Bashkinë. Duke e pasur peng këtë njeri, që nga vjedhja familjare e rrugës Rrëshen- Kalimash deri tek vrasjet barbare të 21 Janarit, Berisha si rrallë ndonjëherë është i gatshëm të deklarojë qysh sot që Basha do jetë pasardhësi i tij, me qëllim që njerëzit të mos ndjehen të lodhur prej tij në zgjedhjet e radhës, nëse paralel me të, elektoratit të zhgënjyer të PD-së nga tribalizmi i Familjes Berisha u shfaqet si alternativë Bamir Topi. Kjo e ka futur në alarm Sali Berishën, dhe po e detyron çdo ditë të bëjë deklarata personale kundër Bamir Topit dhe jo kundër Presidentit Bamir Topi. Sali Berisha e do doemos socialist Bamir Topin. Është i shqetësuar nga viskoziteti i tij, mungesa e përgjigjeve inkandeshente, mos futja në luftë me Berishën dhe sidomos nga fakti që i sillet si president edhe kur ai e sulmon si rrugaç.

Këto sulme do shtohen në të ardhmen. Mos u çudisni kur të dëgjoni se dhe gruaja e Bamirit ka votuar Ramën, se vajza e Bamirit është martuar me një socialist, se Edi Rama e ka ftuar Bamirin të jetë i pari i listës në Tiranë dhe broçkulla të tjera si këto. Do t’i bëjë se është në hall. Do t’i dëgjoni të gjitha këto, për faktin se Berisha nuk ka se si të bëjë sa më dëshpëruese raportet mes elektoratit të djathtë dhe Bamir Topit. I duhet doemos një teserë rozë për këtë njeri që plas dhe derrin me qetësinë e vet. Dhe seç më është bërë fiksim se Berishës i duket gjithmonë buza e plasur kur flet e mallkon ish- vartësin e tij si socialist.

KOMENTE