English

Shkodër, zgjedhjet e pjesshme në Shllak e Shalë, policia në gatishmëri

Shkodër, 30 korrik 2011, NOA – Ndërkohë që nesër do të mbahen zgjedhjet vendore në 10 komuna të vendit, Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër është vënë në gatishmëri të garantimit të zgjedhjeve në dy komunat e saj, Shalë dhe Shllak.

Plani i masave të bluve të Shkodrës përfshin mbarëvajtjen procesit të votimit në pesë qendra votimi në Komunën Shalë dhe në gjashtë qendra votimi në komunën Shllak. Uniformat blu të Shkodrës garantojnë se misioni i tyre do të jetë garantimi i rendit dhe Sigurisë Publike, dhe shmangia e incidenteve të ndryshme.

Shërbimet policore në Shkodër do të jenë të angazhuara nga e shtuna deri në përfundim të procesit, 24 orë në 24 duke marrë masa për planifikimin e shërbimeve policore për garantimin e sigurisë publike, ruajtjen e objekteve zgjedhore gjatë ditës së zgjedhjeve dhe pas përfundimit të votimit.

Detyrat e përcaktuara në planin e masave janë:

a.) Nga marrja në ruajtje e qendrave të votimit gjatë natës, para ditës së votimit, duke filluar nga momenti kur ne KQV mbërrijnë materialet zgjedhore, deri në momentin kur KQV-ja, nis veprimet paraprake për çeljen e votimit

b.) Dorëzimin e Qendrave të Votimit, kur Komisionet fillojnë veprimet për çeljen e votimit

c.) Grumbullimi i punonjësve të policisë, në vendet e dislokimit, të përcaktura në Planin e Masave.

d. ) Ndërhyrjen në Qendrat e Votimit, në rastet e kërkesës së Komisioneve të këtyre qendrave, për vendosjen e rregullit dhe të rendit publik.

e. )Ndërhyrjen për menaxhimin e ngjarjeve apo incidenteve të ndryshme, që mund të ndodhin jashtë objekteve zgjedhore

f. )Marrjen në ruajtje dhe sigurimin e Vendeve të Numërimit të Votave

g. )Shoqërimi i materialeve te votimit nga Qendrat e Votimit për në VNV

h. )Ndërhyrjen në VNV, në rastet e kërkesës së bërë nga KZAZ (Komisioni Zonal i Administrimit Zgjedhor), për vendosjen e rregullit e rendit.

Zgjedhjet e pjesshme vendore do të zhvillohen në komunat Shllak, Shalë, Komuna Qendër-Skrapar, komuna Armen, Pishaj, Mollas, Paper, Zall-Dardhë, Kolsh dhe Finiq. Në tri prej këtyre komunave si Shllak, Pishaj e Mollas votimi nuk u krye fare në 8 maj, ndërsa në shtatë të tjerat zgjedhjet u cilësuan të pavlefshme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe nga Kolegji Zgjedhor.

mit/NOA

KOMENTE