Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Durim do të thotë të vazhdosh në mes të mizerjes
English

Durim do të thotë të vazhdosh në mes të mizerjes

Nga Artan Mullaj

Ditën që u mbushën 6 muaj nga ngjarjet e 21 janarit, po nxitoja drejt kryeministrisë, për të marrë pjesë në kujtesën që do ju bëhej të vrarëve. Eca përgjatë lulishtes pranë xhamisë së Tiranës, duke mbajtur në kokë një gazetë, për t’u mbrojtur nga dielli, kur gati u përplasa me një grup turistësh japonezë. Ishin dhjetë a më shumë, disa me kapa në kokë, disa me gazeta si unë. Të shkurtër, të verdhë, të shkujdesur, vetvetja e tyre, shikonin herë ambjentin përreth e herë njëri -tjetrin me një buzëqeshje të huaj, siç qenë edhe vetë. Buzëqeshje e mezidukshme dhe cinike, nënqeshje. Për dreq, ku kishte qëlluar që lulishtja ishte e mbushur me plera atë ditë, me qeska, tollumba të hedhura kushedi pse, misra të pjekur të ngrënë përgjysëm? Turistët japonezë ecnin ngadalë, si Ufo, dhe shikonin kokëulur mbeturinat rrotull, a thua ndruheshin mos shkelnin ndonjë mut endacakësh, që zakonisht dhjesin në liri të plotë mbrëmjeve verore të Tiranës , mbi trotuare. Ecnin kuturu, si të ishin karikuar me një elektricitet kaotik, drejt sahatit, nënqeshnin zëulët dhe seç pëshpërisnin në gjuhën e tyre: “ulajhemak!” Ç’po thonin vallë? Na mëshironin? Na merrnin për budrasxhanas të pistë e të mjerë? Thoshin, ç’janë këta jashtëtokësorë, këta katundarë, që rrojnë mes plehrave, pa e carë valixhen fare, a thua në qytet rritin krimba për peshkim dhe jo fëmijët e tyre? Na gjykonin, na përçmonin, apo ndjenin keqardhje për botën tonë të vogël, të ngushtë, të shpifur, të pistë, ku na duhet të lindim, të hamë, të pimë, të dhjesim, të bëjmë gjithë ato punë që s’thuhen kollaj në gazete dhe të lemë të tjera pa bërë, të jetojmë e të vdesim mes plerave dhe ironisë përdhunuese të të huajve, që vijnë këtu si turistë? Si e quajnë këtë gjënë ku ata vijnë syhapur, nga kurreshtja e rrallë, që quhet Shqipëri dhe ikin si djaj të zhgënjyer, për të mos u kthyer më kurrë? Turizëm malor? Fushor? Detar? Turizëm rrumpallar? C’ju dukemi ne? Pis-sa? Mbeturinsa? Zgjebsa? Buru betersa? Cirivërsa? Mutërsa? Cfarë?

Ju thashë:”Hello!”, madje ju mbylla dhe syrin, por do doja shumë t’ju thosha: “Pse qeshni ju zotërinj japonezë?”. (Ishin vërtet japonezë apo ishin kinezë, vietnamezë, koreanojugorë?) Ju fola si një ballkanas shembullor, për t’ju shkëputur vëmendjen nga meditimet djallëzore për kulturën civile të kombit tim, që ata lexonin aq qartë në mozaikun e plerave përposh, duke numuruar me mëndje mbeturinat. Nuk e di pse desha shumë t’ju lija të kuptojnë që ky qytet ka qytetarë, si isha une në këtë rast, që mund të durojnë pisllëkun në rrugë por jo cinizmin e tyre barbar. Nuk është turp, as mëkat të durosh. Durim do të thotë të vazhdosh në mes të mizerjes. I përshëndeta edhe për të shkëmbyer ironinë vrasëse të tyre me ironinë time të mallkuar. Ishte një lloj sfide për kureshtjen e verdhë që ata tregonin ndaj pisllëkut spektakolar të qytetit tim, por askush nga ata nuk mu përgjigj. Më sfiduan! Ma dhinë! Diçka kërkonin nëpër asfaltin e pistë ku shkelnin si mbi vezë… Kaq majëgishtash shkelnin mbi dhe, dhe nënqeshnin njëlloj, herë si Xhakonda e famshme në Luvër, herë si dhëmbëqesh kryeministri ynë në daljet publike sa herë flet për tradhëtarin Topi, presidentin e Republikës. As cinizmi në buzëqeshjen e tyre nuk u përshkund, as kujdesi i tyre ndryshoi pas përshëndetjes sime.” Vezë e prishur”, ulërita së brendshmi për të sfiduar në një monolog provincial përshtypjen e keqe që unë dhe qytetarët e tjerë, dhe qeveritarët e Tiranës, kishim lënë për të huajt turiverdhë. Punë e madhe ç’mendojnë këta për plerat tona dhe mutrat e endacakëve tonë. Për gëlbazat e shfryra në pllaka. Për blozën që lëshojnë makinat, për mbeturinat që digjen edhe në drejtorinë e policisë, edhe në Myslym Shyr. Për rrushin e zi dhe rrushin e bardhë që shiten në rrugë, dhe qumshtin me krimba që e gjen kudo në trotuare, pa qenë nevoja për rradhë. Për gjithçka.

Dhe u largova i prekur thellë ne egon timë kombëtare, sepse më bëhej sikur nga lumi i epiteteve në gjuhën e tyre, tek veshët e mi mbërinte një tingull, që nuk e duroja dot. Ishte dicka si:”cin ci ti fingli, uana la tebja”, që në ndërgjegjien time, përkthyesi im biologjik e përkthente kushedi pse, kështu: “Këta nuk janë njerëz, këta janë kafshë, mbi qafë s’kanë kokë, mbi qafë kanë lafshë!”

Kur mbërita në shesh, personazhe të opozitës, disa që shquhen, të tjerë që nuk shquhen për mjeshtërinë e tyre në rrëmbimin e përshtypjeve, dhe njerëz të zakonshëm ecnin drejt sheshit para Kryeministrisë, për të nderuar të vdekurit e Janarit. Gra me të zeza udhëhiqnin në heshtje turmën e vogël të përnderimit të pafajsisë. Isha me ta. Ndoqa rritmin e një lëvizjeje homazh drejt vendit të gjëmës. Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, midis sheshit të murgeshës Terezë dhe sheshit të kapitenit Skënderbe, rëndesa e një dhimbje rrëmbeu turmën e homazhit sakaq… U dëgjuan të qarat e grarisë, në fillim vijuese, si kode fisnikërie, e pastaj shpërmbajtja u shndërrua sakaq në gulçima. Gratë e të vrarëve qanin me zë, burrat qanin në heshtje. Këtej Tereza, andej Skënderbeu, ky shesh, bri godinës së vrazhdë të pushtetit, ngjante një gjëmë. “Sheshi i Mallkimit”. 6 muaj më parë, ne demonstratat e kursyera të shqiptarëve kundër sundimit, katër njerëz nuk e kuptuan si shpirtrat e tyre u shkëputen nga mishi, gjaku dhe kockat e tyre. Kishin qenë soditës të thjeshtë demonstrate në shesh, njerëz të qetë, me duar në xhepa dhe kujtime të pakta. Atje, një cast, thithën ajrin me aromë baruti, pa ditur se kjo do të ishte frymëmarja e fundit. U shembën përdhe, ashtu si janë përplasur përtokë shpresat e gjithë atyre që vazhdojnë e marrin frymë akoma në këtë vend. Gratë ulërinin, heshtja rreth zhurmës së tyre ulërimën e kthente në kujë. 6 muaj më pas, disa njerëz brenda godinës së kryeministrisë, nuk dukeshin askund pas dritareve, ashtu si ishin dukur, në 21 Janar, si hije, pas perdeve të rënda. Kuja nuk është zbavitje as për kanibalët. Ctë bënin ato kostume të shtrenjta, me zyrtarë kryeministrie brenda tyre, mbas dritareve, poshtë të cilave, në “Sheshin e mallkimi”, disa gra vajtonin të vdekurit? Mbase ata as që ndodheshin fare aty, nëpër zyra, me bythën në kolltuqet e veshur me lëkurë hippopotami. Pinin kafe në Sheraton, me shefat brilantë të ambasadave të huaja, ose pëshpërisnin fjalë të ndaluara dashurie të fshehtë, kushedi ku.

Disa policë ndodheshin tek dera e kryeministrisë, shikonin të afërmit e të vdekurve me sytë kureshtarë të naivëve që kanë fat. Ata nuk i akuzon njeri për shpërblimet që morrën për vrasjet e bëra. Ata nuk i rrezikon asgjë. Në shesh janë disa gra që qajnë, dhe disa burra opozitarë, që meditojnë në dëshpërim pranë tyre. Nuk ka protesta dhe as nuk do të ketë të tilla, me çadra pistoletë dhe çakmakë bërthamorë. Në krye të detyrës së shenjtë, për të mbrojtur shefin e madh të kryeministrisë dhe godinën, uji ju rrjedh vaj: Ju rriten thonjtë, i presin. I thërrasin në shërbime, shkojnë. Asnjë shkallëzim ndjeshmërie nuk dukej në celulat e retinave të tyre. Disiplina e realitetit të dhimbshëm, që shpalosej aty, në ngashërimin e grave me të zeza, nuk mbërrinte tek ta. Indiferentë me uniformë dhe shpirtra rrogëtarësh militantë, si qypa me domate turshi, pa shije, pa interes, pa motiv. Shpërfillës. Shpërfillës deri në fund.

Si një gjallesë e padukshme, “ndukja” e tyre shndërrohej vetiu në cinizëm, tek, shkallë pas shkllësh, ngjitej lart nëpër zyra, ku me siguri ndodheshin zonjat sekretare. Sekretaret e drejtorëve të kryeministrisë. Mbase ato flisnin për gjellët e djegura mbrëmjen e shkuar, teksa shikonin “Gymysin”, apo për komshije të pacipa, që mbajnë mbathjet në çantë dhe jua dredhin së fundmi burrave të tyre. Mbase flisnin për manikyret, për pecetat e reja të grave, të sapo dala në treg, për dhjamin e shtuar në bark e në vithe, për pushimet në Antalia ose në Dhrehmi…. Kuja e grave përposh, nuk është punë e tyre, ashtu si nuk ka qënë kurrë puna e shefave të tyre, barkmëdhenj edhe ata, të varur, të dhjerë, të prerë edhe ata nga yndyra e tepërt në gjak. U vranë 4 veta në shesh, punë e madhe. Zyrtarët e kryeministrisë, drejtorët dhe sekretaret, madje vetë shefi i madh, i kanë prindërit e tyre, dhe kalamjtë. Askush nuk i qëllon teksa ecin në bulevard. Askush nuk I pengon të shkojnë për pushime. Askush nuk ju le frymëmarjen në mes. I kanë mirë e bukur kushërinjtë, komshinjtë, dhe qentë e llojit Las, Billy, Rex, Bush edhe Sul. Gjithçka në rregull, gjithçka në kontroll.

Ditë më vonë, kur si këshilltar i sugjeruar nga opozita, do të isha i pranishëm në betimin e kryebashkiakut të ri, unë ndjeja akoma shijen e mallkimit, që më kish lënë sheshi kryeministror në përkujtimin e të vdekurve të pafajshëm të 21 janarit. Shpirtrat e tyre të trazuar sillen vërdallë në kryeqytet. Hyjnë e dalin nëpër dritaret gjysëm të hapura të kryeministrisë, por edhe të Bashkisë. I ndjeja aty, në sallë, të padukshëm, të rebeluar me padrejtësinë dhe pafuqinë e tyre. ..

Ndërsa vazhdonte betimi i Kryetarit të ri të Bashkisë, që shkëlqente prej lavdisë së premtuar, më bëhej se dëgjoja akoma ritmin e hapave të grave me të zeza, kujën e tyre; Shamizezat nuk nguteshin dhe nuk shkonin të vetmuara drejt ngashërimit… Këshilltarët e mazhorancës duartrokisnin ndërsa pushtetari i ri, betohej për lumturinë e qytetarëve të Tiranës, që bashkë me qytetin e tyre, “janë të parët”. Të parët? Së paku deri tani, të parët kanë qënë vetëm njëherë, atje në “Sheshin e mallkimit”, para kryeministrisë, para syve të krybashkiakut të ri. Të parët për të vdekur para hundës së tij dhe haresë së fitores së tij, që nuk ngjante fare me atë nënqeshjen ironike të turistëve japonezë.

Mbase japonezët nënqeshnin ende rrugëve të Tiranës, tek shqyhen për të kuptuar se si këta njerëz nuk kujdesen fare për pastërtinë e qytetit të tyre, pra për të mirën e fëmijëve të tyre, por brenda në sallë unë isha i qetë dhe nuk më vinte ai tingulli në gjuhë të huaj.. Tek dëgjoja fjalimin satelitor të kryebashkiakut, në sallën e Këshillit Bashkiak të Tiranës, përfytyroja se si ata shkelnin mbi plehra edhe nënqeshnin në gjuhën e tyre. Çdo të bënin sikur të ishin jo para xhamisë, por para kryeministrisë atë çast përkujtimi, e të shikonin jo plehrat, por dhimbjen e frikshme që shkonte deri në qiell? Të paktën, zot na rruaj, nuk u ndodhën atje të shikonin se si këta njerëz jo vetëm hedhin plehra dhe dhjesin në rrugë, por edhe vriten në rrugë, në bulevardin qendror. Çdo të bënin atje? Do të nënqeshnin apo ulërinin edhe ata me të tjerët?

KOMENTE