English

Frikë nga e ardhmja te myslimanët në vendin nordik

Jashtë ndërtesës së gjykatës në kryeqytetin norvegjez, në Oslo, të hënën në mëngjes në mesin e grupeve të gazetarëve dhe norvegjezëve vendas qëndronin disa grupe të ndryshme të emigrantëve nga Somalia dhe Kenia, kureshtarë sikur edhe të gjithë të tjerët për të kuptuar se çfarë po ndodhte brenda.

Anders Behring Breivik, njeriu i cili ka pranuar se ka kryer 76 vrasjet, paraqitej për herë të parë para gjykatësit. Shpërthimi në Oslo dhe vrasja e të rinjve e të rejave në ishull ishin kryer në emër të ideologjisë ekstreme raciste dhe islamofobike, me qëllim përfundimtar reduktimit të migrimit të myslimanëve në Evropë.

Por në vend se të sulmonte drejtpërdrejt myslimanët, ai filloi sulmin e tij të planifikuar ndaj asaj të cilën ai e shihte si shkaktar rrënjësor të problemit, Partinë Laburiste në pushtet dhe politikave të saj liberale të emigracionit. Kur sulmi filloi të premten e kaluar pasdite me një shpërthim të madh jashtë ndërtesave kryesore të qeverisë, komuniteti mysliman në Norvegji u përgatit për më të keqen, duke supozuar se ajo që ndodhi ishte punë e militantëve islamikë. Ishte një supozim të cilin e kishin bërë shumë njerëz në botë.

Norvegjezi origjinal

Mehtab Afsari, sekretar i përgjithshëm i Këshillit Islam të Norvegjisë, ishte duke udhëhequr një delegacion jashtë shtetit kur filloi të pranojë thirrje telefonike nga Osloja, nga anëtarët e frikësuar të komunitetit mysliman. “Dëgjuam se disa myslimanë tashmë ishin rrahur në Oslo”, tha ai, “ndërsa gratë të cilat kishin frikë më telefonuan për të kërkuar ndihmë nga unë”. Për të gjithë myslimanët në Norvegji – të cilët tani kalojnë 100 mijë në total – ka qenë një ndjenjë e çuditshme e lehtësimit kur u bë e qartë se sulmet nuk ishin pjesë e “xhihadit global” të frymëzuar nga Al-Kaida. Ishte një mashkull me flokët biond dhe me lëkurë të ndritshme, një norvegjez autokton, i cili kishte pasur dëshirën dhe aftësinë për të vrarë njerëz në një shkallë të pa parë më herët në Norvegji. Dhe prapëseprapë lehtësimi ishte jetëshkurtër dhe ideologjia perverse prapa veprimit të Breivikut filloi të filtrohet.

Afër gjykatës ishte edhe Hasan Aliu, i cili ka ardhur në Norvegji para 12 vjetësh pasi që kishte ikur nga lufta civile në vendlindjen e tij, në Somali. Prej ardhjes së tij në fund të viteve 1990, numri i somalezëve është rritur shpejt dhe tani qëndron në më shumë se 27 mijë. Derisa ai ndihet më i cenueshëm tani pas sulmeve, ai nuk çuditet me atë çfarë ka ndodhur. Ai pohon se armiqësia ndaj emigrantëve është bërë gjithnjë e më e madhe në Norvegji gjatë dekadës së kaluar dhe fajëson rritjen e numrit të partive të krahut të djathtë në Parlament, në veçanti Partinë e Progresit (PP), e cila tash mban vendin e dytë me ulëse në Parlament. “Ky njeri i çmendur (Anders Behring Breivik) është manipuluar nga ana partisë së djathtë ekstreme (PP)… dhe ka ndjekur ideologjinë e saj… dhe atij i është dashur të bëjë diçka”, thotë ai. “PP-ja sulmonte Partinë Laburiste sepse ata sillnin myslimanë në këtë shtet dhe mbronin të drejtat e tyre, vendet e tyre të punës dhe të drejtat sociale”. Breiviku ishte anëtar i partisë për katër vjet, por PP-ja mohon ndikimin e saj në të, duke thënë se veprimet dhe besimet e tij janë në kundërshtim të politikave dhe sistemit të vlerave të saj.

Qëndrimet negative

Somalezët ndihen veçanërisht të cenueshëm, sepse ata nuk janë të vendosur aq mirë sa komunitetet e tjera myslimane, siç janë pakistanezët, disa prej të cilëve erdhën në Norvegji para 40 vjetësh për të kërkuar punë. “Gjatë tri viteve të kaluara ne jemi ndier se nuk jemi të mirëseardhur këtu”, thotë Hasan Aliu.

“Çdo të diel gazetat shkruajnë vetëm gjëra negative për somalezët. Njerëzit janë duke u larguar, ndërsa edhe shumë të tjerë do të largohen derisa presioni bëhet gjithnjë e më i madh”.

Anëtarët e grupeve të tjera të emigrantëve janë gjithashtu të shqetësuar lidhur me atë të cilin ata e quajnë qëndrim negativ ndaj tyre. Kenet, i cili ka ardhur në Norvegji nga Kenia para gjashtë vjetësh, thotë se si ai ishte në aeroplan në kohën kur kanë ndodhur sulmet. “Gjëja e parë që dikush tha ishte se kjo është një vepër emigrantësh dhe se emigracioni duhet të ndërpritet”. Qeveria e pranon se kundërshtimi i emigracionit është rritur këtu sikur edhe në shtetet e tjera evropiane, por shpreson që sulmet e së premtes së kaluar do të sjellin një ndjenjë më të madhe të unitetit në shtet. Të martën, ministri për të drejta të fëmijëve dhe për përfshirje sociale, Audun Lisbaken, ka mbajtur mbledhje me liderët e komunitetit mysliman në Oslo. “Me të vërtetë shpresoj se prej gjërave të tmerrshme që kemi përjetuar tani të mbledhim një ndjenjë të re të solidaritetit dhe të krijojmë madje një shoqëri edhe më tolerante”. /BBC/

KOMENTE