English

Kavajë, dy të vdekur nga aksidentet, arrestohen dy persona

Kavajë, 8 gusht 2011, NOA – Një ditë pas bilancit të frikshëm të pesë aksidenteve në rrugën Durrës-Kavajë, ku mbetën të vdekur dy persona e ku u plagosën gjashtë të tjerë, policia e Tiranës bën me dije se janë arrestuar dy vetë.

Të pesë aksidentet përgjakën vetëm brenda një dite rrugët që të çojnë në bregdetin më të populluar të vendit atë të Durrësit e Kavajës.

24-vjeçari Rexhep Izmir Pollozhani, banues në Strugë Maqedoni, me kombësi shqiptare dhe shtetësi maqedonase, mësohet se është autori që shënoi vdekjen e 50-vjeçares Shpresa Ibrahim Hima.

Sipas policisë, Rexhep Pollozhani ndërsa po ecte në aksin rrugor pranë postës Golem, me automjetin “Benz furgon”, me targa OH 552 II, ka lëvizur mbrapsht duke aksidentuar për vdekje këmbësoren 50-vjeçare, Shpresa Hima, banuese në Tiranë.

Po mbrëmë blutë e Kavajës arrestuan 32-vjeçarin Ismet Qemal Kura, nga fshati Germenj i Kavajës.

Ismet Kura aksidentoi për vdekje 26-vjeçarin Eduart Idriz Kurti, i cili po ecte me motoçikletë.

Aksidenti ndodhi në orën 14.45, në aksin rrugor Kryevidh – Spille, në fshatin Greth, ndërsa Ismet Kura po drejtonte automjetin fugon “Volzvagen”, me targa KJ 6821 A, me drejtim lëvizje Kryevidh–Spille, duke u përplasur me një motoçikletë të markës “Honda”, pa targa, që drejtohej nga shtetasi Eduart Idriz Kurti, banues në Kryevidh Kavajë.

Sipas policisë drejtuesi i motoçikletës, i cili humbi jetën në aksident nuk kishte leje drejtimi.

Bashkë me të në motoçikletë udhëtonte edhe 25-vjeçari Florian Lulzim Xhihani, banues në Kryevidh të Kavajës, i cili u aksidentua rëndë e ndodhet në reanimacionin e Spitalit të Durrësit.

Sipas policisë shkak për aksidentet janë mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor, shpejtësia tej normave të lejuara, parakalimet e gabuara, por edhe pakujdesia e kalimtarëve.

Sezoni turistik është periudha kur shënohen më shumë aksidente në rrugët e vendit, sidomos ato bregdetare, edhe për shkak të shtimit të trafikut në rrugë me ardhjen e emigrantëve në atdhe për pushime.

mit/NOA

KOMENTE