English

Qeveria, plan për të thyer fodullëkun e CEZ

Tiranë, 8 Gusht 2011 NOA/ Rid Bulku – Qeveria shqiptare e ka një plan konkret për t’i ulur kokën kompanisë çeke që ka marrë ekskluzivitetin e shpërndarjes së energjisë në territorin shqiptar për familjarët dhe bizneset e institucionet.

Burime zyrtare në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës thanë sot për agjencinë e lajmeve NOA se është vendosur të shpallet tenderi për futjen e një kompanie të dytë të rishitjes së energjisë. Kjo do të thotë se me futjen në tregnjë kompanie tjetër, çdo abonent, familjar ose biznes, ka të drejtë të zgjedhë ai, kompaninë që ofron shërbimin e blerjes së energjisë elektrike.

Ky premtim ishte bërë disa muaj më parë nga Ilir Meta kur ishte ministër në vend të Nasip Naços, në një takim me kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Viktor Tushaj.

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës pohon se prej disa kohësh është duke ndjekur me shqetësim situatën e krijuar në disa qytete të vendit pas ndërprerjes së energjisë elektrike të ndërmarrjeve të ujësjellësve nga kompania CEZ Shpërndarje.

Ndaj dhe përmes një publikimi për media tha se “METE i bën me dije opinionin publik se ka ngritur një Grup Pune për të parë mundësinë e liberalizimit të tregut të shpërndarjes së energjisë elektrike”.

Liberalizimi i tregut të shpërndarjes së energjisë është një lajm i mirë për shqiptarët. Kompania çeke, sikundër tregohet në shumë ankesa të bëra tek Avokati i Popullit, tek kompania ku radhët përditë nuk kanë të mbarur dhe tek institucionet e shtetit tonë, ka një metodë sjelljeje agresive dhe mbrojtje të njëanshme të të drejtave që ofrohen për palët në kontratë.

Ndaj dublimi i CEZ do të bënte pse jo, që kompania çeke t’i vërë gishtin kokës për të siguruar më në fund shërbim normal, pas kaq vitesh që bleu OSSH.

Sakaq, Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorëve ka vendosur të thërrasë CEZ në seancë dëgjimore. Në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, sot u zhvillua mbledhja e Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorëve nën drejtimin e nënkryetares së këtij Komisioni, zonjës Anila Jani.

Në këtë mbledhje u morën nën shqyrtim ankesat e konsumatorëve në lidhje me praktikat e kompanisë CEZ Shpërndarje.

Ankesat dhe problematika e ngritur nga ana e konsumatorëve konsistonin mbi mosdorëzimin e faturave të energjisë në vendbanimet e konsumatorëve, vendosjen e zërit “vlerë e debisë” në faturat e energjisë, mungesën e furnizimit me energji elektrike, vendosjen afrofe në shuma të konsiderueshme në faturat e energjisë si dhe mosinformimin e konsumatorëve në lidhje me ndryshimin e vendndodhjes së sporteleve të pagesave të energjisë elektrike, duke shkaktuar detyrimin për pagesën e kamatëvonesave.

Në fund të kësaj mbledhjeje, ky komision vendosi t’i kërkojë kompanisë CEZ Shpërndarje, informacion të hollësishëm për të gjithë problematikën e ngritur dhe vazhdimin e shqyrtimit të çështjeve në mbledhjen tjetër të këtij komisioni, në të cilën CEZ do të thirret në një seancë dëgjimore.

Këto ditë, METE i ka bërë thirrje kompanisë CEZ Shpërndarje që të rilidhë menjëherë energjinë elektrike për ndërmarrjet e ujësjellësave, duke i dhënë fund situatës së krijuar në disa qytete të vendit, sidomos në zonat turistike si dhe i bën me dije kompanisë CEZ Shpërndarje se këto veprime nuk i shërbejnë zgjidhjes së problemit të detyrimeve financiare që CEZ ka ndaj institucioneve shtetërore. ”I bëjmë thirrje drejtuesve të kompanisë CEZ që të marrin të gjitha masat për sigurimin e energjisë elektrike në këto zona, duke respektuar në këtë mënyrë detyrimet që ka kjo kompani sipas Deklaratës Rregullatore”, ka bërë të ditur ministria. Në këtë kontekst, METE konsideron të papranueshëm çdo mekanizëm presioni për arkëtimet e borxheve ndaj ujësjellës-kanalizimeve, duke vlerësuar se nuk është kjo rruga e zgjidhjes së problemit, por është menaxhimi i keq i kësaj kompanie në drejtim të mbledhjes së të ardhurave, e cila mban përgjegjësi të plotë për situatën e krijuar. METE thekson se në bashkëpunim me institucionet e tjera, ka marrë të gjitha masat e duhura ligjore për shlyerjen në kohë të detyrime të ujësjellës-kanalizimeve ndaj CEZ, por njëkohësisht kërkojmë impenjim serioz nga drejtuesit e kësaj kompanie për shlyerjen e detyrimeve disa herë më të mëdha që kjo kompani ka ndaj dy kompanive KESH dhe OST. r.b/e.t/NOA

KOMENTE