English

Veriu plot kriminelë e armë, a i thonë siguri e qetësi kësaj?

Evropa, bota, EULEX-i, KFOR-i, populli i Kosovës, institucionet e saj e madje edhe bebet e dinë të vërtetën për gjendjen në Veri të Mitrovicës që mbretëron atje tani e sa vite. E dinë të vërtetën e plotë, por e thonë të pjesshme dhe me droje se mos po u del nga goja ndonjë fjalë pak më e ashpër dhe do të ofendoheshin kriminelët, pjesëtarët e MUP-it dhe populli “i urtë” serbë atje e i armatosur deri në dhëmb

Rrahman Jasharaj

U ripërsërit e vërteta e tmerrshme e Veriut edhe në ditët e fundit të gushtit e ajo po vazhdon edhe tani. Pamje të dhembshme këto.Rrugët me barrikada e malet plot vrasës me snajperë. Plumba kriminelesh edhe kundër policisë, edhe kundër helikopterëve të KFOR-it. Sharje, fishkëllima, këngë çetnike e çka jo tjetër. Popullata serbe atje edhe një herë në të njëjtën valle me kriminelët, kontrabandistët e me sejmenët e Tadiçit. Evropa, bota, EULEX-i e KFOR-i i kanë parë gjithë këto dhe prapë folën me ndrojtje se mos po u del nga goja ndonjë fjalë pak më e rëndë e do të ofendoheshin kriminelët, pjesëtarët e MUP-it dhe populli “i urtë” serbë atje e i armatosur deri në dhëmb. Madje, për t’u hyrë në “qejfë” atyre një pjesë e Evropës shprehu hidhërim ndaj aksionit plotësisht legal të Qeverisë së Kosovës dhe policisë së saj për të vënë rend e qetësi në tokën e saj. Kjo pjesë e Evropës, duke u munduar të jetë e butë e neutrale, u bë krah me ata që nuk duan ligj e rregull, po mjegull e errësirë. Kontrabandistët e kriminelët serb në Veriun e Kosovës u sollën ashpër ndaj aksionit legal të policisë së Kosovës dhe dorën në zemër nuk kanë faj se me vënien e rregullit e ligjit atyre u thahet luga, por habiti një pjesë e Evropës që fliste si e përgjumur.

Evropa, bota, EULEX-i, KFOR-i duhet ta thonë troç të vërtetën dhe ta mbrojnë atë. Ta thonë e ta mbrojnë në emër të qetësisë, paqes e lirisë në Veri, Kosovë e në tërë Ballkanin. Ata duhet të ulen kokë me kokë e të përgjigjen drejt në pyetjen : Veriu plot kriminelë e armë, a i thonë siguri e qetësi kësaj ? Unë nuk jam ai që vendos në emër të tyre, por të vërtetën kam të drejt ta them e ta shkruaj. Nuk ka e as nuk do të ketë qetësi e siguri në Veriun e Mitrovicës deri në momentin kur Evropa, bota, EULEX-i, KFOR-i nuk flasin e veprojnë drejt. Qetësia e tanishme, për të cilën po flasin ata, është si një fluskë sapuni. Atë do ta prishin e rrënojnë kurdo u teket Beogradit e shefave të krimineleve, që shëtisin lirshëm në Veriun e Kosovës. Barrikadat mund të hiqen pasi kështu tha Tadiqi, por qetësia e krijuar artificialisht nuk është jetëgjatë. Evropa, bota, EULEX-i, KFOR-i duhet ta marrin shtruar çështjen dhe të punojnë mbarë. Duhet çarmatosur bandat e kriminelët. Duhet t’u thuhet qartë se Veriu është Kosovë dhe se edhe aty duhet të sundojë ligji e qetësia e jo shamata, bllokadat e krismat e armëve. Kriminelët dhe armët në Veri nuk i japin dot rast qetësisë dhe paqes atje. E kështu do të jetë derisa Evropa, bota, EULEX-si e KFOR-i nuk ulen kokë me kokë e nuk veprojnë drejt në emër të lirisë, paqes e kundër errësirës, krimit e kriminelëve kushdo qofshin ata.

*Koordinator për trojet etnike i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”

KOMENTE