English

Vijon greva e urisë, shtyhet takimi mes minatorëve dhe kompanisë ACR

Bulqizë, 8 gusht 2011, NOA – Takimi mes minatorëve grevistë dhe kompanisë austriake koncensionare ACR i vendosur për t’u mbajtur në orën 16.00 të së hënës është shtyrë për një orar të ri.

Lajmin e ka bërë publik për mediat kompania koncensionare, e cila bën me dije se takimi është shtyrë pasi po diskutohen aspektet teknike të diskutimeve për të arritur sa më parë një marrëveshje për zgjidhjen e situatës së minatorëve.

ACR vlerësoi faktin që minatorët pranuan të takohen për të negociuar për kërkesat e tyre pa praninë e përfaqësuesve të Konfederatës.

Takimi pritet të mbahet në një moment kritik për jetën e 13 minatorëve të ngujuar në minierë, të cilët përveç shëndetit të rënduar tejet pas 15 ditësh grevë urie po përballen me rrezikun potencial të shembjes së minierës.

Takimi pritet të mbahet në mjediset e bashkisë së Bulqizës, e cila po ndërmjetëson tryezën.

Gjatë takimit të pritshëm me drejtuesit e ACR-së do të marrin pjesë vetëm gjashtë minatorët dhe përfaqësuesi i bashkisë, si ndërmjetës.

Komisioni i grevës caktoi sot një përfaqësi prej 6 minatorësh, të cilët do të negociojnë lidhur me kërkesat e minatorëve, këtë herë pa praninë e përfaqësuesve të Konfederatës, kusht i vënë nga ACR.

Minatorët e Bulqizës do të negociojnë mbi kërkesat për rritjen e pagës me 40 përqind, përmirësimin e kushteve të punës dhe sigurisë në minierë, uljen e moshës së pensionit, largimin e drejtuesve aktualë të minierës së kromit.

Deri më tani ACR gjatë deklaratave publike ka bërë me dije se është dakord për rritjen e pagës së minatorëve deri në 20 përqind, si dhe nisjen e investimeve në minierë për përmirësimin e kushteve të punës.

Në pritje të takimit, nuk dihet nëse palët do të bien dakord për rritjen e pagës deri në masën 40 përqind, e cila është një kërkesë e panegociueshme për minatorët.

Megjithatë ACR është shprehur se po i sheh me shumë seriozitet kërkesat e minatorëve.

Ndërkohë për zgjidhjen e situatës ka reaguar sot edhe METE, përmes Repartit të Inspektimit dhe Shpëtimit të Minierave, duke vënë alarmin se minatorët janë të rrezikuar nga shembja e minierës për shkak të ndërprerjes së punës.

mit/NOA

KOMENTE