English

Dita e 17-të nën tokë, minatorët e Bulqizës vijojnë grevën e urisë

Bulqizë, 10 gusht 2011, NOA – Kur shënohet sot dita e 17-të e grevës së urisë, ende nuk ka asnjë dritë jeshile për arritjen e kërkesave të minatorëve.

Edhe pse në gjendje të rënduar shëndetësore të 13 minatorët e ngujuar në minierën e kromit janë të vendosur për të mos e ndërprerë grevën e urisë, ndërkohë që afro 700 minatorët e tjerë të Bulqizës kërcënojnë t’i bashkohen atyre në grevë urie.

Minatorët kanë paralajmëruar edhe përshkallëzimin e kësaj proteste ekstreme deri me bllokimin e rrugës kombëtare që lidh Tiranën me Peshkopinë e Qafën e Buallit.

Bashkë me grevën e urisë dhe rreziqet në minierë vijon agonia e minatorëve në pritje të arritjes së një marrëveshjeje për rritjen e pagave me 40 përqind, përmirësimin e kushteve të punës dhe sigurisë në minierë, largimin e drejtuesve aktualë të minierës, rritjen e moshës së pensionit e ndonjë kërkesë tjetër.

Pasditen e të martës minatorët grevistë refuzuan propozimin e ACR-së që të takoheshin në Tiranë paraditen e të mërkurës pranë zyrave të ACR-së.

Sipas kësaj të fundit duke qenë se situata në minierën e Bulqizës është e nderë për shkak të grevës, administratori Giga Bedineshvili propozoi që takimi të mbahet në një vend të qetë, me qëllimin që edhe t’i jepet një zgjidhje situatës së tejzgjatur të grevës së urisë.

Minatorët e hodhën poshtë këtë propozim, duke thënë se ata janë vendosur në minierë dhe nuk mund të zhvendosen për të zhvilluar takimin.

Gjithashtu ata refuzuan edhe propozimin për të përcaktuar si negociatorë të takimit disa punëtorë të tjerë të minierës dhe jo përfaqësues të grevës së urisë, të cilët janë përzgjedhur nga komisioni i grevës dy ditë më parë.

Administratori Giga Bedineshvili bëri me dije në një njoftim për mediat se ai dëshiron t’i japë zgjidhje sa më të shpejtë kësaj situate si dhe të bisedohet për arritjen e kërkesave.

Megjithatë pas refuzimit të takimit në Tiranë administratori i kompanisë austriake nuk dha një propozim të ri për takimin e shumëpritur.

Nisur nga vendimi i minatorëve sot pritet që edhe minatorët e tjerë t’i bashkohen protestës ekstreme.

Ministria e Energjitikës reagoi një ditë më parë duke kërkuar pezullimin e liçencës për kompaninë austriake, si dhe mbylljen përkohësisht të minierës së Bulqizës.

mit/NOA

KOMENTE