English

Thaçi: Ngjarjet në veri i dhanë kuptim rrugës drejt BE-së

Prishtinë, 10 gusht, 2011, NOA - Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se ka filluar largimi i disa bllokadave në rrugët e veriut të Kosovës.Sipas kryeministrit, nuk do të ketë perspektivë për ata që bllokojnë rrugët në veri. “Marrja nën kontroll e pikës 1 dhe 31 i ka dhënë kuptim dhe vlerë lirisë dhe pavarësisë së Kosovës në rrugën e saj drejtë Bashkimit Evropian”, ka thënë Thaçi. Ndërkohë, mbrëmë vonë janë hequr barrikadat në Lesposavic, në rrugën që çon drejt kufirit në Jarinje, ndërsa po hiqen edhe ato në Zubç. Sipas televizionit publik të Serbisë, në Rudare barrikadat mbeten edhe më tutje, transmeton njoftimin QIK-u. Të ashtuquajturit kryetarë të katër komunave në veri të Kosovës thonë se për heqjen e mëtejshme të barrikadave do të vendosin "shtabet e krizave". Shefi i ekipit negociator serb, Borisllav Stefanovic, ka thënë mbrëmë për RTS se marrëveshja do të realizohet, ndërsa shtyrja e mbledhjes së në Leposavic nuk është ngjarje dramatike, sepse autoritetet lokale nuk duhet ta miratojnë marrëveshjen me KF0R-in, por vetëm duhet ta realizojnë. Ndërkohë, autoritetet e rendit në Mitrovicë, thonë se situata e sigurisë në veri të vendit është e qetë dhe nën kontroll.

a.q/NOA

KOMENTE