English

Xhamadani pika-pika...

“Xhamadani pika – pika, mos vallë po bëhemi si Bosnja, me Serbska Republika!”

Nga Adnan Abrashi

Gjatë rrjedhës së furishme të ngjarjeve të këtyre ditëve me embargon për mallra serbe dhe marrjes së pikave kufitare doganore nr. 1 dhe 31, nga ana e Njësisë speciale të Policisë së Kosovës në veri, si dashamirësi apo provokim, një mik i imi në facebook, ma kishte dërguar një porosi me këtë përmbajtje: - “Më në fund “baba”,ka vendosur të veproj, miku im, apo?! “Jo “Baba” por “Baba-sheh”,- e përmirësova unë. “A nuk është kjo njëjtë”? - ma ktheu ai sërish. “Jo, jo! Ka shumë dallime”! – konstatova unë– “Mu sikur në mes të regjisorit dhe producentit të një filmi”!?. Më duket se miku im nga facebook-u, tanimë e kishte kuptuar mirë sarkazmin parabolik të kësaj përgjigjeje të shkurtë, sepse, më pas, nuk mora më asnjë reagim nga ai. Kur si metaforë e përdora nocionin “Baba - sheh”, jam më se i bindur se edhe shumicës prej lexuesve tjerë në vazhdim, do t’i shkoj mendja tek kryeministri Hashim Thaçi. Në shikim të parë, e posaçërisht pas aksionit policor të 25 korrikut në veri, jo vetëm tek qytetarët e zakonshëm por edhe tek intelektualët, karizmi i lidershipit të tij u fuqizua tepër. Duke e nuhatur mirë momentin e sugjestibilitetit të masave, disa analistë tanë të teledirigjuar opinionbërës, me thurjen e ”himneve ditirambike” për kryeministrin, shkuan aq larg saqë atë e cilësuan si “Shqiptarin më të madh të të gjitha kohërave”?!! Fundja, pa marrë parasysh kontradiktat politike ekzistuese nga e kaluara, dhe simpatinë vardisëse të disa tipave “intersxhi” të mbledhur rreth tij, urdhri për ndërhyrjen e Policisë Speciale të Kosovës në veri, parimisht ishte një veprim shumë i qëlluar dhe i urtë. Kur vëren se shtetit tënd në ato situata të jashtëzakonshme i kanoset rreziku i drejtpërdrejt i cenimit të sovranitetit dhe integritetit territorial, nuk ka se si ndryshe të veprohet veçse me UNITET. Dhe nga njerëzit tanë të ndërgjegjshëm ky unitet i nevojshëm u arrit. Ato ditë, siç thotë populli, “macja me miun u bënë bashkë”: pozita e opozita, intelektualët e pseudo-intelektualët, katundarët e qytetarët, çobanët, bujqit, sharrëxhinjtë e berberët, lackucët, hajnat, dhe dallaveraxhitë, racionalistët dhe irracionalitët...Të gjithë së bashku u shkrimë në një. Të ngashënjeur nga situata, sikur për disa ditë (javë) të gjithë u shndërruam në lumturi kolektive duke harruar çdo të keqe të mëparshme: hajninë, korrupsionin, papunësinë, fukarallëkun, datat e pagesës së kësteve të kredive nëpër bankat që na ngufatin... Ato ditë, parulla hipnotizuese ishte “Nuk ka kthim prapa!” e cila si “MANTRA” të gjithëve na mbante në atë gjendje shpirtëror të krenarisë së mbushur. Por...sikur të mos ishte kjo “POR”?! Në vazhdim, ta rikthejmë së bashku në mendje kujtesën e asaj ngjarjeje, por këtë herë prezencën tonë aty, ta bëjmë pa eufori emocionesh të momentit. Në fillim, a nuk mendonim të gjithë se projektuesi dhe bartësi kryesor konspirativ i këtij aksioni të suksesshëm policor në veri, ishte vetë kryeministri Hashim Thaçi (me demek “baba”) ?! Pastaj na u tha ... jo, jo, e ka ditë edhe EULEX-i i cili nuk ka dashur të bashkëpunoj ... Kuptohet, këtë aksion gjithsesi na paska ditë edhe KFOR-i si përgjegjës i sigurisë në Kosovë ... pastaj Delli... ambasadorët tjerë të shteteve të KUINT-it... kameramanët e RTK-së ...Mbase, ashtu si vajti më vonë e tërë ngjarja, po na del se për këtë aksion kanë ditur paraprakisht edhe strukturat paralele serbe atje, të cilët me kohë ishin përkujdesur që t’i vendosin barrikadat e tyre nëpër të gjitha rrugët që qonin në drejtim të pikave doganore nr. 31, e veçanërisht në atë nr. 1. Për shumë gjëra që për këso aksione operative policore deri më dje i kam konsideruar si tejet konfidenciale, nga lajmet e mbrëmjes të asaj dite, mjaft sosh fillova t’i di edhe unë: në mes tjerash mësova se sa policë të njësisë speciale “ROSU” aktualisht janë vendosur nëpër këto dy pika doganore...dija saktë se kur ata u tërhoqën nga aty...E, merrni me mënd? Të gjitha këto informata që dija unë dhe të gjithë ne nga lajmet e mbrëmjes, këtë “transparencë” naive si duket më së miri e shfrytëzuan ata “huliganë” serb të cilët, vetëm pas disa orëve ia vunë flakën pikës doganore nr. 1 dhe tentuam ta djegin atë 31. Më pas, ngjarjet rrodhën si rrodhën më tutje, dhe në fund na erdhën 10 pikat e KFOR-it. Për to Hashimi ynë krekosej se janë të Qeverisë; serbët thoshin, janë kushtet tona... e unë, me plotë përgjegjësi them se janë urdhëresa të “Babës-Sheh”. Derisa i shkruaja këto reshta, nuk di as vetë se si spontanisht nga goja më dolën fjalët e devijuara nga teksti i asaj kënge të bukur popullore: “Xhamadani pika – pika, mos vallë po bëhemi si Bosnja, me Serbska Republika”!

Për fund, sërish me Facebook-un

Nga një mik i im kureshtar, përmes linjës së profilit tim në facebook, morra një e-mail, i cili, përpos shabllonit standard të hyrjes përshëndetëse, kryesisht më drejtohej me pyetje: A dini të më tregoni se, pse gjatë tërë kësaj situate të tensionuar në veri, kryenegociatori serb për Kosovën, Borko Stefanoviq, natë e ditë ishte me popullin e vet që protestonte në barrikada, ndërsa, nga ana tjetër, kryenegociatorja e tarafit tonë, Edita Tahiri, atë kohë kritike e kalonte nëpër dasma dhe duke pushuar në Durrës? “S’ka se pse na duhet prezenca e Editës në këto momente - iu përgjigja unë mikut tim nga facebook-u - ndërsa, e Borko Stefanoviqit, PO dhe patjetër, sepse ashtu e do “Baba-Sheh”...E ke të qartë! Jo “baba”, por “Baba –Sheh”…!

KOMENTE