English

Ndërtimet pa leje, Bashkia gjen zgjidhjen për 100 rastet e para

Tiranë, 12 gusht 2011, NOA - Policia Bashkiake, në bashkëpunim me Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik vijon aksionet për prishjen e ndërtimeve pa leje, në të gjithë territorin e kryeqytetit. Nga inspektorët e INU-së në Bashkinë e Tiranës, janë ndërmarrë veprime dhe është ndërhyrë për ekzekutimin e vendimeve të prishjes së objekteve të kundraligjshme. Në deklaratën e zyrës së shtypit renditen disa prej pikave ku është ndërhyrë.

Në dt. 7.8.2011, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe inspektorët e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar u bë pezullimi i punimeve, në objektin pa leje, të kryer nga I. K dhe u bllokuan mjetet betoniere.

Në dt. 08.08.2011, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake u organizua puna dhe u ndërhy për realizimin e prishjes së objektit mur për papafingo, kjo në zbatim të vendimit nr. 5256, dt. 8.8.2011, ndaj subjektit L. Zh, në “Rrugën e Dibrës”.

Në dt.12.8.2011, në orën 10.00, u krye aksioni për prishjen e objektit, shtesë kati me sipërfaqe 120m ² konstruksion metalik, kjo në zbatim të vendimit nr. 5255, dt. 5.8.2011, ndaj subjektit P. K, në rr.”Ali Demi”, pranë shkollës “Kushtrimi Lirisë”. Aksioni përfundoi, me ekzekutim të plotë të vendimit.

Në dt. 12.8.2008, ora 13.00, u krye aksioni për prishjen e objektit rrethim me sipërfaqe 10m ², konstruksion druri, kjo në zbatim të vendimit nr.5109, dt. 12.4.2011, ndaj subjektit A. V , në Rr.”Arben Broci”, pranë Fakultetit Ekonomik. Aksioni përfundoi, me ekzekutim të plotë të vendimit.

Që nga data 10.08.2011 e deri sot, është ndërmarrë aksioni, për prishjen e objektit 5 katësh, kjo në zbatim të vendimit nr. 5251, dt. 22.7.2011, ndaj subjektit K. M, në rr.”Ismail Strazimiri”. Vazhdon ende puna, për prishjen e plotë të objektit.

Aksionet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, për të kthyer në gjendjen e mëparshme territorin, kudo që është ndërtuar jashtë kritereve ligjore. Pas konstatimit të ndërtimeve, Policia Bashkiake ka bllokuar punimet dhe pas kryerjes së akt-kontrollit, merr masat për shembjen e ndërtesës dhe kthimin e territorit në gjendjen e mëparshme. Pas thirrjes që bëri Bashkia e Tiranës, për të mos ndërtuar pa leje, mjaft qytetarë kanë bashkëpunuar me autoritetet, për vendosjen e ligjshmërisë në territorin e kryeqytetit. Policia Bashkiake ka bërë bllokimin e punimeve, në mbi 100 raste të ndërtimeve pa leje, ndërsa aksionet në terren vijojnë çdo ditë, nga strukturat përkatëse të Bashkisë së Tiranës.

a.q/NOA

KOMENTE