English

Policia e Shtetit flet për arrestimin e drejtorit të stadiumit kombëtar

Tiranë, 15 Gusht 2011 NOA - Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Departamentin Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka arrestuar sot 41-vjeçarin Gazmend Sallaku.

Zëdhënësja e DPPSH, Klejda Plangarica i tha agjencisë NOA se prangosja erdhi “pas një hetimi të kryer me metoda speciale të hetimit, ku ditën e sotme rreth orës 16.00, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Taksa e qerasë”.

Dhe në kuadër të këtij aksioni u bë i mundur arrestimi në flagrancë i Sallakut, lindur dhe banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i Shoqërisë Anonime të Qendrës Sportive, pranë Stadiumit Kombëtar ”Qemal Stafa”.

“Arrestimi tij u bë pasi ky shtetas i ka kërkuar dhe i ka marrë një tjetër shtetasi si ryshfet shumën prej 150.000 lekësh të reja, në këmbim të dhënies me qera të një ambienti me sipërfaqe prej 80 m2, në pallatin e sportit ”Asllan Rusi””, - tha Plangarica.

Ajo shtoi se në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar shuma e parave të mësipërme si dhe kontrata e qerasë provizore e datës 15.08.2011 me një afat njëvjeçar.

Plangarica tha se materialet në ngarkim të Gazmend Sallakut i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të "Korrupsionit Pasiv", parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

e.t/NOA

KOMENTE