Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Divorci i Kinës me politikën difensive
English

Divorci i Kinës me politikën difensive

Nga Shaban Murati

Në semiotikën gjeopolitike dhe strategjike domethënia e simbolikës ka shpeshherë rëndësi më të madhe dhe shpreh më shumë përmbajtje sesa fakti apo hapi konkret i një shteti. Shqetësimi ndërkombëtar që shkaktoi lëshimi në det më 10 gusht për lundrimin e parë të aeroplanmbajtëses së parë kineze, është një dëshmi për manual diplomatik. Brenda së njëjtës ditë, zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Viktoria Nuland, shprehu shqetësimin e SHBA-së dhe deklaroi se “ne mirëpresim çdo shpjegim nga Kina lidhur me atë pse ajo ka nevojë për këtë aeroplanmbajtëse. Kjo është pjesë e një shqetësimi tonë më të gjerë që Kina nuk është transparente si vendet e tjera për blerjet ushtarake dhe buxhetin ushtarak”. Shqetësime zyrtare lidhur me këtë hap ushtarak kinez u shprehën edhe në Japoni, Vietnam, Filipine, Indi dhe në disa vende të tjera, dhe vetë agjencia zyrtare kineze “Hsinhua” njoftonte më 11 gusht se disa vende fqinje kanë shprehur shqetësime për këtë rritje të flotës së ushtrisë kineze.

Është e kuptueshme se për SHBA-në dhe për shtetet fqinje të Kinës, sinjali i alarmit nuk u ndez thjesht nga hyrja e Kinës në klubin botëror të 9 shteteve që kanë aeroplanmbajtëse. Alarmi vjen nga domethënia dhe nga perspektiva e ekspansionit të flotës ushtarake kineze dhe nga strategjia e re detare e Kinës, që përurohet me këtë aeroplanmbajtëse. Nëse deri tani doktrina detare kineze ka qenë e karakterit difensiv, e fokusuar në mbrojtjen e brigjeve detare të vendit, tani ajo reklamon hapur synimin për të dalë në detet e largëta dhe për të siguruar një prani ushtarako-detare në hapësirat ujore ndërkombëtare, duke afishuar një karakter ofensiv. E thënë më thjeshtë, kemi një kalim të Kinës nga mbrojtja e territorit të saj detar, në objektivin e vendosjes së një kontrolli të flotës së saj ushtarake jashtë territorit shtetëror detar të saj.

Ky profil i ri i Kinës si një fuqi globale detare është një zhvillim kualitativ, i cili nuk mund të mos merret në konsideratë, si nga shtetet fqinje të saj, por edhe nga shtetet e tjera, qoftë në rajonin e Azi-Paqësorit, qoftë edhe më larg. Përurimi i aeroplanmbajtëses së parë, gjatë të cilit u ndaluan si filmimet, ashtu dhe fotografimet e saj nga mediat, është pjesë e projektit ambicioz kinez të krijimit të një grupi aeroplanmbajtësesh, në kuadër të një modernizimi intensiv dhe ekstensiv të flotës ushtarake kineze, që nga nëndetëset e reja dhe deri te raketat e reja balistike anti-anije. Ky fuqizim i potencialit, përtej nevojave të mbrojtjes lidhet me interesa dhe synime afatgjata që kanë një karakter global të strategjisë së shndërrimit të Kinës në një fuqi botërore.

Në radhë të parë, kjo do të thotë një rritje e rolit të instrumentit të kërcënimit të forcës dhe të forcës në politikën e jashtme dhe në diplomacinë kineze. Fuqizimi detar dhe prania ushtarake e Kinës përtej hapësirave të saj territoriale detare është një presion i drejtpërdrejtë ndaj vendeve fqinje të saj. Kina është shteti që ka pretendime dhe grindje territoriale detare, si me Japoninë në detin e Kinës Lindore, ashtu dhe me Vietnamin dhe Filipinet në detin e Kinës Jugore. Aeroplanmbajtësja, fuqizimi i flotës dhe vendosja e pranisë së saj ushtarako-detare, prish balancën e fuqisë detare rajonale, ndaj shtetet fqinj, të cilat kanë grindje territoriale në det me Kinën, nuk mund ta shohin me qetësi këtë faktor të ri presioni dhe frike, që Pekini po krijon ndaj tyre. E përditshmja e ushtrisë kineze, duke komentuar lundrimin e parë në det të aeroplanmbajtëses së parë, shkruante më 12 gusht: “Pse e ndërtuam, nëse nuk kemi kurajën dhe vullnetin ta përdorim aeroplanmbajtësen në zgjidhjen e konflikteve territoriale detare. Nëse është nevoja, është e arsyeshme të përdorim atë dhe luftanijet e tjera, për të zgjidhur grindjet. Arsyeja pse e ndërtuam aeroplanmbajtësen, është që të mbrojmë të drejtat dhe interesat detare të Kinës më me efikasitet”.

Koncepti i shprehur nga e zëdhënësja e ushtrisë kineze paraqet një dalje më hapur të Kinës në strategjinë e saj detare dhe sidomos kalimin e Kinës në një pozicion të ri zyrtar të heqjes dorë nga politika e deritanishme difensive në fushën e mbrojtjes. Ky ndryshim i ri i rëndësishëm nuk mund të shpjegohet ndryshe, veçse me planet e udhëheqjes së shtetit dhe të partisë komuniste kineze për arritjen e një roli të ri të Kinës si superfuqi në një të ardhme. Gjiganti ekonomik kinez duket se e ndjen të ngushtë uniformën e deritanishme ushtarake dhe kërkon të përputhë dimensionin ushtarak me dimensionin ekonomik. Kjo gjë nuk mund të konsiderohet si një zhvillim dhe perspektivë pozitive për paqen dhe për bashkëpunimin ndërkombëtar.

Kina nuk është aq larg sa duket, dhe po kështu as shndërrimi i saj në një fuqi globale ushtarake nuk është aq larg sa duket. Këto zhvillime në “anën tjetër të botës” janë me interes të ndiqen nga shtetet, që ndodhen në Europë apo në këtë cep shkëmbor të Europës, që quhet Ballkan. Paraqet interes edhe për Shqipërinë, për disa arsye:

Së pari, nuk duhet të harrohet për asnjë moment se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe NATO nuk është as shoqatë bamirëse e as klub golfi, por një organizatë ushtarako-politike me përgjegjësi globale, përgjegjësi e cila përthyhet te të gjithë anëtarët e saj. Është një sekret i njohur se në planin ushtarak, fuqizimi i Kinës është një anim i balancës së forcës te një rival dhe konkurrent i Aleancës Atlantike. Nga ana tjetër, nëse ambicia e Kinës si fuqi detare globale dhe ushtarake prek interesat e SHBA, të Japonisë apo të aleatëve të tjerë të Perëndimit në rajonin e Azi-Paqësorit, kjo do të thotë se preken edhe interesat e NATO-s.

Së dyti, Kina duke aspiruar të bëhet një fuqi e madhe globale ushtarake, nuk do të kufizohet vetëm në rajonin e Azi-Paqësorit. Në planin ekonomik ajo është një fuqi botërore dhe drejt këtij statusi po shkon edhe diagrama e saj ushtarake. Kjo do të thotë se në planet e saj nuk mbetet jashtë as Ballkani dhe këtu është mirë të kujtohen ata, që kanë përgjegjësitë shtetërore, se Kina në Ballkan e ka zgjedhur aleatin e saj strategjik, i cili është Serbia. Kina dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit strategjik, dhe Serbia jo më kot i ka shpallur marrëdhëniet me Kinën si një nga katër shtyllat e politikës së saj të jashtme. Nga kjo është mirë të konkludohet se politika dhe interesat ballkanike të Kinës, jo vetëm nuk mund të përkojnë, por bien ndesh me interesat jetike të kombit dhe të shtetit tonë. Nuk është se Pekini nuk e kupton që Mitrovica është Tajvani i Kosovës dhe se Kosova është Tajvani i kombit shqiptar. Por Pekini nuk do ta kuptojë, sepse basti i tij strategjik në Ballkan është vënë me Serbinë.

Së treti, ka një rrymë mendimi dhe qëndrimi të shtetit shqiptar, e cila shfaqet si reminishencë e kohës dhe e diplomacisë shqiptare, kur Tirana ishte satelit i Kinës komuniste. Nuk është e qartë se çfarë nxitjesh okulte e shtyjnë këtë rrymë të glorifikojë arritjet madhështore të Kinës nën udhëheqjen e Partisë Komuniste të Kinës, parti që përfaqëson një ideologji dhe një sistem, të cilën Shqipëria pretendon se e ka përmbysur në vitin 1992. Lëkundjet strategjike dhe diplomatike të Shqipërisë andej-këndej veçse dëshmojnë që ende nuk kuptohet se jemi në NATO dhe se kombi ynë ka zgjedhur rrugën e largimit nga Lindja dhe të shkrirjes me Perëndimin.

Divorci i Kinës me politikën difensive është një zhvillim negativ, i cili mendohet se do të ketë efektet e veta, të drejtpërdrejta dhe të tërthorta, jo vetëm në Azi, por edhe në kontinentin europian, pjesë e të cilit jemi, për fat gjeografik dhe historik.

NOA

KOMENTE