English

Thaçi: Nuk do të ketë ndarje të Kosovës as de fakto dhe as de jure

Prishtinë, 17 gusht 2011, NOA- Në mbledhjen e radhës së qeverisë Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi se nuk do të ketë ndarje as de fakto, as de jure të Kosovës, e as status special apo të veçantë brenda Republikës së Kosovës.

Më tej ai ka informuar se në takim me zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Philip Reeker është konkluduar se institucionet e Republikës së Kosovës, bazuar edhe në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dokumentin e Presidentit Ahtisarit, por edhe respektimin e integritetit territorial të Kosovës, kanë marrë vendim të drejtë, legjitim dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, dhe është një angazhim për vendosjen e sundimit të ligjit.

Thaçi ka theksuar se “nuk do të ketë tolerim ndaj të keqes, do të kemi zero tolerancë ndaj strukturave kriminale edhe në veri të Mitrovicës”.

Kryeministri i Kosovës ka shtuar se me zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, është biseduar edhe për bashkëpunim rajonal edhe për vazhdimin e dialogut për çështje praktike mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

“Por gjithçka duhet të jetë shumë e qartë. Çështja e dialogut është çështje për krijimin e kushteve normale, demokratike në bashkëpunimi mesa dy vendeve, ndërsa rregullimin e brendshëm në Republikën e Kosovës e vendosim ne, institucionet legale në përputhshmëri me kushtetutën, ligjet tona dhe me dokumentin Ahtisari”, u shpreh Thaçi.

Më tej kreu i qeverisë tha se, në axhendën evropiane të Kosovës, do të vazhdohet të punohet bashkërisht me Brukselin, në mënyrë që Kosova të ketë marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, të ketë agjendën më të qartë nga Brukseli për udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe të marrëdhënieve tregtare.

a.y/NOA

KOMENTE