Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Rekomandimi i vetëm i pashkruar
English

Rekomandimi i vetëm i pashkruar

Nga Mero Baze

Në diagnostikimin që raporti i OSBE/ODIHR, i bën problemeve që prodhoi KQZ dhe tri vendimet e Kolegjit Zgjedhor për zgjedhjet ne Tiranën, shihet qartë se shkaku kryesor nuk janë as cilësia e Kodit Zgjedhor dhe mungesa e reformave kushtetuese, por klima politike që diktoi ato vendime. Vëzhgimi gati policor që ODIHR bën për datën 18 Maj, kur KQZ mori një vendim paraprak në parim për të hapur dhe hetuar kuti, duke formuluar një përmbajtje që nuk kishte lidhje fare me kompetencat e saj, tregon qartë se më 18 Maj, Kodi Zgjedhor nuk na ka pasur faj. Fajtor ka qenë telefoni celular i Arben Ristanit, i cili mori urdhër nga Sali Berisha të përmbyste rezultatin. Raporti po ashtu thotë me një vëzhgim të paprecedent, se sapo vendimi u mor në mënyrë kaotike dhe të pambështetur në bazë ligjore, u vendos hapja e kutive dhe ato çuditërisht ishin aty në ambientet e KQZ. Edhe për këtë nuk na ka faj Kodi Zgjedhor, por fakti që Sali Berisha prej 14 Majit kishte urdhëruar manipulimin e disa kutive ende të panumëruara për të shtuar aty rreth 100 vota për Lulëzim Bashën. Raporti po ashtu thekson se të tri vendimet e Kolegjit Zgjedhor për Tiranën kishin probleme të mos mbështetjes në ligj. I fundit fare që vulosi grabitjen e mandatit të Tiranës, që sipas raportit ishte flagrant, pasi u quajt jashtë afateve kërkesa e opozitës duke u bazuar tek një vendim KQZ që kishte hedhur poshtë nga vetë Kolegji dhe ishte rivendosur një afat i ri për shpallje rezultati. Pra, në të gjitha hallkat ligjore ku Raporti i ODIHR gjen probleme që ndryshuan rezultatin e zgjedhjeve në tavolinë, nuk kemi të bëjmë aq shumë me mangësi ligjore, por me mungesë të vullnetit politik për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Tri vendimet e Kolegjit dhe gjithë vendimet e KQZ rrezatonin bindjen ndaj urdhrave politik të Sali Berishës, dhe jo interpretim të Kodit Zgjedhor. Aq banale u bë kjo situatë sa dhe Tom Ndreca, i cili nuk kuptohet kur flet shqip, na e zbardhi një vendim duke na cituar të drejtën romake në latinisht! Po ashtu shihej qartë nga vendimi në vendim gjuha e shkruar e këshilltarëve të Sali Berishës, dhe po të skanoje dhe deklaratat politike para vendimeve, mund ta parashikoje me saktësi përmbajtjen e tyre para se të zbardhej.

Pra, i gjithë shtrembërimi i zgjedhjeve ndodhi pikërisht se vullneti politik i Sali Berishës diktoi punën e KQZ dhe atë të Kolegjit Zgjedhor. Kjo nuk është më çështje emrash në KQZ dhe as çështje biografish nga Arben Ristani tek Sashenka Jonuzi. Të njëjtët persona nëse do të ishin lënë të lirë, mund të kishin dhënë vendime të ndryshme, ose nuk do të ishin fare në ato pozicione. Në këto kushte, debati për të na çuar tek ndryshimet e Kodit Zgjedhor, është një përpjekje tinzare për të identifikuar një fajtor pa faj për zgjedhjet e 8 majit. Ky Kod dhe ky kuadër ligjor ishin të mjaftueshëm për zgjedhje të lira dhe të drejta siç u bënë në shumicën e Shqipërisë. Kodi dhe ligji nuk funksionoi vetëm për Tiranën dhe është banale të justifikohemi tani me ndryshimet në Kod si shkak i problemeve në zgjedhje. Këto zgjedhje u deformuan nga Sali Berisha për shkak të objektivit të tij politik për të ndotur kundërshtarin e tij politik me çdo mjet, dhe kur e pa që nuk ja doli dot, preku zgjedhjet duke grabitur mandatin. Vullneti politik nuk është diçka që tani mund të korrigjohet me Kod Zgjedhor. Ai është një parim dhe kusht i domosdoshëm për zgjedhje të lira dhe të drejta, dhe nuk i imponohet dot kurrë qeverisë me Kod Zgjedhor nëse ajo nuk ka dëshirë të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndaj në procesin e reflektimit ndaj zgjedhjeve të 8 Majit pas raportit të ODIHR, reflektimi kryesor është si t’ia heqim zgjedhjet nga duart Sali Berishës. Për këtë ka vetëm një rrugë, të shkohet në zgjedhje pa Sali Berishën ose të mos shkohet më kurrë në zgjedhje. Ky njeri nuk mund të amnistohet më si njeri që e ka herën e fundit që vjedh. Për të duket se hera e fundit që do të vjedhë, do të jetë hera e fundit që është kryeministër, ndaj me atë kryeministër nuk duhet shkuar më në zgjedhje. Ky është i vetmi dezinfektim që mund t’i bëhet ambientit të ndotur të zgjedhjeve në Shqipëri, dhe e vetmja mënyrë për t’i dhënë shans rikthimi normalitetit në këtë vend. Të gjitha teoritë mbi Kodin apo amendimet mbi të, mund të bëhen, por nuk sjellin asgjë thelbësore. Thelbësore në deformim e këtyre zgjedhjeve ishte fakti se Sali Berisha udhëhoqi manipulimin e mandatit të Tiranës, dhe këtë e bëri nga karrigia e kryeministrit. Në tavolinën e tij janë zbardhur tri vendimet e Kolegjit dhe nga ajo tavolinë janë urdhëruar gjithë veprimet e papërgjegjshme të KQZ. Ndaj i vetmi njeri që hesht pas raportit, është dhe njeriu që ka përfituar nga vjedhja e 8 Majit, Lulëzim Basha, dhe i vetmi njeri i çuditur se si njerëzit nuk hanë salçiçe, po merren me çështje të demokracisë, duket se është ambasadori i OSBE në Tiranë. Për këtë arsye nëse duhet të dezinfektojmë fushën e zgjedhjeve nga ndotësit kryesor, kryendotësi është në zyrën e kryeministrit të Shqipërisë dhe duhet të jetë larg asaj zyre kur të ketë zgjedhje. Ky është dhe rekomandimi i vetëm i pashkruar që lexohet nga raporti i OSBE/ODIHR. Mënyra se si mund të largohet prej andej, nuk pres të jetë ndonjë marrëveshje politike, as ndonjë gjest i vullnetit të mirë të tij. Ai do të ikë andej kur ta zbojmë për të bërë zgjedhje të lira në këtë vend. Kjo ikje do të ketë kosto të madhe. Ai nuk është më Sali Berisha i vitit ‘97 kur e lanë vetëm dhe gruaja e fëmijët. Ai është sot përfaqësuesi i mafies më të rrezikshme në vend dhe rajon, e cila e ka ushtarin e vet në misionin për të sunduar një shoqëri pa institucione ku ligjin e bëjnë ata që kanë pushtetin. Çmimi i kësaj beteje do të jetë i rëndë dhe mund të paguhet jo vetëm me karrierën e shumë opozitarëve, por dhe më fatin e keq të miliona shqiptarëve që do të duhet të ndeshen me këtë mostër të keqe ballkanike, në një kohë kur mund të shijonin rrugën e tyre drejt Perëndimit. Se kur dhe si do ta zbojmë, është përgjegjësi e të gjithëve. Opozita duhet të jetë aleate vetëm në një pikë, të mos shkojë më në zgjedhje në këtë vend me atë njeri që ka diktuar në mënyrë të përsëritur prishjen e zgjedhjeve.

KOMENTE