English

Rrethohet miniera e Bulqizës, komisioni do nxjerrë jashtë minatorët grevistë

Bulqizë, 20 gusht 2011, NOA Update – Vetëm pak minuta më parë Këshilli Sindikal i grevës së minatorëve vendosi të bashkëpunojë me forcat e policisë për të nxjerrë jashtë galerive të minierës së Bulqizës minatorët e ngujuar.

Pas plot 27 ditësh ngujimi në nivelin e 14-të, minatorët grevistë pritet nga momenti në moment të zhvendosen nga miniera përdrejt mjediseve të kompanisë ACR, ku do të vijojnë grevën e urisë deri në arritjen e kërkesave të tyre.

Brenda në mjediset e minierës u vendos të hyjnë pjesëtarë të komisionit të grevës, të cilët do të ndërmjetësojnë për nxjerrjen jashtë të 14 minatorëve të ngujuar nga niveli i 14-të, apo nga 1400 metra nën tokë.

Ky vendim erdhi pas bisedimeve mes forcave të Policisë së Shtetit dhe përfaqësuesve të komisionit të grevës së minatorëve e Konfederatës.

Mëngjesin e sotëm policia tentoi të hyjë me forcë në minierën e Bulqizës, duke arritur deri në nivelin e 5-të të saj, porse rrugëtimi i uniformave blu ishte i vështirë për shkak të bllokimit të ashensorëve të minierës nga vetë minatorët.

Forca të shumta policie të mbështetur edhe nga oficerë të RENEA-s kanë rrethuar tërë zonën e minierës së Bulqizës, ndërkohë që në hyrje të saj janë mbledhur qindra banorë të qytetit në përkrahje të minatorëve.

Nuk dihet ende se si do të arrihet nxjerrja jashtë e minatorëve nga galeritë e minierës, kur këta të fundit kanë deklaruar se nuk pranojnë ta zhvendosin grevën e urisë në një vend tjetër.

Sipas komisionit të grevës sot pritet të nënshkruhet edhe marrëveshja me kompaninë austriake ACR për plotësimin e kërkesave të minatorëve, për rritjen e pagës me 20 përqind, përmirësimin e kushteve të punës dhe sigurisë në minierë, pagesën e plotë të minatorëve për dy muajt e protestës, etj.

Gatishmërinë për plotësimin e kërkesave e pohuan mbrëmë krerë të kompanisë ACR, të cilët kanë mbërritur në Tiranë për t’i dhënë zgjidhje situatës së rënduar e të tejzgjatur të grevës së minatorëve e për të rikthyer në punë minierën e kromit.

mit/NOA

KOMENTE