English

A do ketë dialog PS-PD?

Nga Preç Zogaj

Dalja e Raportit përfundimtar të ODHIR-it për zgjedhjet e 8 majit ka rikthyer thirrjet për dialog të ndërkombëtarëve drejtuar forcave politike shqiptare, më saktë Berishës dhe Ramës si krerët respektivë të shumicës dhe opozitës. Si në një ritual që përsëritet prej vitesh nga zgjedhjet në zgjedhje, trojka e ambasadorëve të nderuar të SHBA-ve, BE-së dhe OSBE-së ishin të përpiktë në daljen e radhës dhe në kërkesat e radhës: Të fillojë dialogu! Të reformohet Kodi! Të zbatohen rekomandimet që shoqërojnë Raportin.

Me gjithë çfarë ka ndodhur e çfarë është shkruar në raportin e ODHIR-it për zgjedhjet e fundit në Tiranë kjo thirrje të lë pa gojë. E megjithatë duket korrekte, e paqortueshme, nga ato që nuk ke ku ta kapësh. Dialogu është mjeti i marrëveshjes në demokraci. Të kërkosh dialog është fisnike. Të kërkosh dialog është gjëja me e lehtë për dikë që pozicionohet në mes si palë e tretë. Të kërkosh dialog je gjithnjë brenda. Të gjitha këto janë të vërteta, por jo gjithë e vërteta. Ekziston edhe dialogu për dialog, sa për të larë gojën, sa për të prodhuar një fotografi duarsh që shtrëngohen, pa hyrë në thellësi të shkaqeve që kanë prodhuar dhe ushqejnë një krizë apo një ngërç politik. Është provuar me dhjetëra e qindra herë se ky lloj dialogu është mashtrim. Është gjëja më sterile që mund të mendohet. Është më i keq se konflikti, pasi krijon iluzione dhe vret në thelb shpresën për ndryshime.

Të kuptohemi! Ndërkombëtarët nuk po kërkojnë dialog për dialog. Nuk kanë asnjë arsye të bëjnë teatër në Tiranë. Përkundrazi. Ata duan të bëhet më e mira; qëllimet e tyre janë vetëm të mira. Por qëllimet e mira nuk të çojnë gjëkundi pa mjetet e duhura. Ka diçka sipërfaqësore dhe libreske në mënyrën si e shohin dhe e si adresojnë ambasadorët thirrjen e tyre për dialog; shihet qartë se duan t’i bien shkurt, duke rrezikuar t’u dalë gjatë, siç thotë një shprehje e popullit. Thirrjet e tyre nuk kanë tingullin, forcën dhe besueshmërinë që kanë pasur dikur, në dekadën e parë të tranzicionit demokratik. Ato vinë duke u shuar pa jehonë, nga zgjedhjet në zgjedhje, si thirrjet në shkretëtirë. Kjo ndodh jo se shqiptarët nuk e njohin dhe nuk e duan dialogun si vlerë. Absolutisht jo. Momentet më të ndritshme të tranzicionit tonë demokratik, aq pak sa janë, shkëlqejnë si vepra të mirëkuptimit dhe konsensusit politik të gjetur me durim dhe të respektuar me korrektësi nga të gjitha palët. Arsyeja pse dialogu ka filluar të tingëllojë si një fjalë e keqe në mjedisin politik dhe shoqëror të vendit ka të bëjë pikësëpari me komprometimin e tij, që është diçka më e rendë se dështimi. Dialogu komprometohet si vlerë kur shkelen, braktisën apo tradhtohen frytet e tij. Kjo ka ndodhur e po ndodh në Shqipëri. Kur dëgjon si reagojnë njerëzit, kupton një gjë të rëndë: Dialogu nuk është më një burim shprese, siç duhet të jetë, por një burim frike. Shumë njerëz kanë frikë se po të ulen krerët e partive kryesore edhe me keq do të bëhet. Nuk është paranojë. Është përvojë. Përvojë negative e thelluar nëpër vite. Publiku shqiptar e di dhe ndërkombëtarët duhet ta dinë: përpara se të eksperimentonte formulën e një KQZ-je të kompozuar politikisht, si kjo që prishi zgjedhjet e 8 majit në Tiranë, Shqipëria ka pasur të ashtuquajturën KQZ jopolitike, të kompozuar me individë gjoja të pavarur. Në zgjedhjet vendore të vitit 2000, formula e KQZ-së me të pavarur çoi në një raport gjashtë me një në favor të shumicës socialiste të kohës. Kalimi nga KQZ-ja “pa parti” te KQZ-ja politike është bërë nga një tryezë bipartizane në bazë të një rekomandimi të OSBE-së. E njëjta gjë ka ndodhur me Gjykatën e Zgjedhjeve. Në vitin 2001, ankesat zgjedhore i shqyrtonte Gjykata Kushtetuese. Pas këtij viti, meqenëse në këtë gjykatë u tjetërsuan mandate deputetësh, me rekomandim të OSBE-së dhe me konsensusin e dy forcave kryesore politike në vend u vendos krijimi i Kolegjit Zgjedhor. Ja, i këtij Kolegjit që damkosi së fundi ODHIR-i. Mund të vazhdojmë me shumë shembuj të tjerë të kalimit nga shiu në breshër apo nga breshëri në shi, ku zgjedhjet shqiptare rregullohen aty ku prishen në zgjedhjet e fundit dhe prishën aty ku janë rregulluar në zgjedhjet e parafundit. Dhe kështu pa mbarim, në një farsë të tejzgjatur që kalon nga legjislatura në legjislature me etiketën e reformës zgjedhore! Reformë zgjedhore bipartizane, në bazë të rekomandimeve të OSBE-ODHIR-it. Zot, na ruaj!

Shembulli më domethënës, apo xhevahiri i farsës, që nuk mund të mos përmendet, është “konsensusi i madh” Berisha-Rama për të drejtën e hapjes së kutive me kërkesën e dy anëtarëve të KQZ-së. Kur nuk i duhej, Berisha e dha pa u menduar dy herë. Kur erdhi momenti për ta zbatuar për zgjedhjet e vitit 2009, ai i tregoi opozitës bërrylin e tij të mbuluar me togat e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor. Kuptimi i aktit ishte si vijon: “Unë ia kam dhënë këtë të drejtë opozitës me mendimin se nuk do t’i duhej ndonjëherë, por nuk mund të mos ia merrja kur iu desh vërtetë”! Ja, në këtë terren bizantinist të talljeve, pabesive, diversionit, intrigave, hilerave, lojës me maska, shkeljes pa të keq të fjalës dhe marrëveshjeve, poshtërimit dhe dhunës, pra në këtë kënetë e ka tërhequr dhe mbytur komunikimin me opozitën e tij kreu i Ekzekutivit shqiptar. Vitin e kaluar u ul me Ramën në Strasburg. Atje ranë dakord për hetimin parlamentar të zgjedhjeve. Parlamenti Europian nxori edhe një rezolutë konsensuale, ku i kërkonte Shqipërisë të hetonte zgjedhjet. Kur ishte ende një copë letër, zoti Berisha bënte avokatin e flaktë të rezolutës. Por kur erdhi dita për ta vënë në jetë, nxori një bisht dhe kaloi mbi të. Kjo ngjarje e jashtëzakonshme i vuri në mendime ndërkombëtarët, por reagimi i tyre nuk ishte në lartësinë e sfidës që u kishte bërë Berisha. Në këtë kontekst erdhën zgjedhjet për kryetar bashkie në Tiranë, që shënuan një kulm të arbitraritetit dhe nëpërkëmbjes së kundërshtarit politik. Berisha nuk do ta kishte bërë kurrë atë që bëri me zgjedhjet në Tiranë, nëse Europa do të kishte mbrojtur rezolutën e Parlamentit të saj për hetimin e zgjedhjeve të vitit 2009. Raporti i ODHIR-it e ka përshkruar me detaje domethënëse momentin kur katërshja berishiane në KQZ merr me gojë, me shumicë të thjeshtë, një vendim që nuk e quan akt normativ, pavarësisht se do të prodhojë një normë dhe nuk e hedh në letër dhe turret ta zbatojë pa i lenë askujt afat për apelim, ndërkohë që kutitë e përzgjedhura për t’u hapur janë venë në radhë prapa derës. Mu sikur po mban shënim veprimet e një bande, raporti nënvizon faktin se kutitë ishin bërë gati, ndërkohë që merrej vendimi që ndryshonte rregullat e lojës pas mbarimit të lojës. Ambasadorët e nderuar e kanë lexuar këtë paragraf. Kanë lexuar edhe paragrafët e rëndë për Kolegjin Zgjedhor; kanë parasysh patjetër panoramën e talljeve dhe hipokrizisë së qeverisë me marrëveshjet. Dhe përsëri apelojnë për dialog mes palëve për të reflektuar në Kodin e ri zgjedhor rekomandimet e mbartura nga zgjedhjet e vitit 2009 dhe rekomandimet e reja nga zgjedhjet e vitit 2011. Janë të fortë. Janë për t’u hequr kapelën, por ka diçka që nuk shkon në mënyrën dhe formën e angazhimit të tyre. Situata e krizës zgjedhore në Shqipëri është e tillë që qeveria dëmton, ndërsa opozita dëmtohet; qeveria vjedh ndërsa opozita vidhet. Në këto rrethana, të kërkosh dialog pa asnjë koment a kusht, mu sikur të bëhej fjalë për dy palë që kanë mundësi dhe arrijnë t’i bëjnë të njëjtin dëm njëra-tjetrës, tregon më e pakta mungesë respekti për palën e dëmtuar. Opozita shqiptare është aq e qytetëruar dhe iluminuar sa të kuptojë kurdoherë momentin kur duhet të hedhë prapa krahëve dhunën e qeverisë dhe të ngrihet mbi vetveten për një interes kombëtar. Por, ndërkohë opozita shqiptare është aq dinjitoze dhe me karakter sa të mos ulet për të bërë dialog për dialog me kundërshtarë që e kanë mashtruar, vrarë dhe grabitur. Është koha për një reflektim të thellë nga ndërkombëtarët për arsyet e thella të ngërçit shqiptar. Vetëm kështu mund të gjendet një zgjidhje praktike dhe efikase. Nuk na e kanë borxh, sigurisht. Guximi ynë për t’ua kërkuar ketë mbështetet në detyrimet e anëtarësisë së Shqipërisë në NATO dhe OSBE dhe në detyrimet e miqësisë me SHBA dhe vendet e Bashkimit Europian.

Gjashtëdhjetë rekomandimet e OSBE-së në dy palë zgjedhje nuk janë gjashtëdhjetë harresa, por çarje dhe plagë në ndërtesën e zgjedhjeve. Tashmë është krejt sempliciste të merresh me riparimin e Kodit që prishet sistematikisht në zgjedhje. Kjo histori mund të mos mbarojë kurrë. Ligjvënia nuk mund të jetë në garë të përjetshme me tundimin votëvjedhës të qeverisë. Duhet një qasje e re, të cilën ndërkombëtarët, me përvojën që kanë, mund ta gjejnë. Ndoshta nuk ka përse preket Kodi sa herë shkelen nenet e tij. Një gjë që nuk prehet, nuk zgjat, thoshte De Mestre. Ligji duhet lenë të prehet që të zërë vend. Për mendimin tim, ndërkombëtarët janë në një lloj ngërçi me ngërçin shqiptar ngaqë sillen si palë e tretë edhe atje ku nuk ka vend për t’u sjellë si palë e tretë. Me parimet dhe standardet zgjedhore, për shembull, nuk ka vend për t’u sjellë si palë e tretë. Nuk them kurrsesi se duhet lenë mënjanë dialogu. Dialogu, për aq sa është i nevojshëm për ndonjë ndryshim të përligjur në Kod, mund të funksionojë në komisionin e Ligjeve. Por për ta shëruar këtë vlerë nga komprometimi dhe për t’i dhënë një impuls të fortë progresit politik të Shqipërisë kërkohet një qëndrim më i gjerë dhe më i prerë. Duke filluar pse jo me shpalljen në kohë të qëndrimit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës vitin e ardhshëm. Përvoja duhet t’u ketë mësuar që të mos gjenden duarlidhur para faktit të kryer.

Gazeta "Shekulli"

KOMENTE
  • lisi15:02 - 23 Gusht 2011
    Analiza qe i beni thirrjes se nderkombetareve per dialog eshte e perkryer z.Prenci.Po duhet te kete dialog PS-PD,por ne kete rast dialogu duhet te kete kushte,dhe kushtet duhet ti vendos opozita .Opozita duhet te vej ne dialoge vndosur ne zbatimin e te gjitha kushteve qe ajo mendon se jane te domosdoshme ne kete dialog.Opozita duhet te shkoi ne kete dialog me koken larte .koke ulur duhet te jene ata te tjeret sepse opozita eshte e vjedhur e dhunuar e share e rrahur e tallur sa me ska nga regjimi i berishes dhe ajo qe eshte me e rendesishmja ne jeten e kesaj opozite jane KATER JETE TE MARRA NGA KY REGJIM dhe per mendimin tim ky duhet te jete kushti i pare i dialogut,qe qeveria duhet te bashkepunoj me organin e hetimit per te gjetur urdherdhenesit qe qelluan mbi protestusit e qete me fishek luftarak.N.Q.S. OPOZITA NUK I SHKON DERI NE FUND KETIJ PROBLEMI NE DJALL TE VENI SI OPOZIT SE NUK JU MBESHTESIM ME -DO TI NENSHTOHEMI REGJIMIT