English

Presidenti i Republikës, prononcohet mbi ngjarjet e fundit në Libi

Tiranë, 23 gusht 2011 NOA - Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, duke ndjekur me vëmendje ngjarjet në Libi, përshëndeti sot fitoren e popullit libian për marrjen e kryeqytetit Tripoli, si një moment historik në përmbysjen e një prej regjimeve më diktatoriale të kohës, që i ka shkaktuar krime monstruoze vendit të tij.

Këto ngjarje për kryetarin tonë të shtetit tregojnë edhe njëherë se popujt liridashës nuk mund të durojnë më diktatorë, që kanë shtypur, kanë kryer krime të panumërta dhe janë pasuruar për dekada të tëra në mënyrë të paligjshme mbi gjakun dhe mjerimin e popujve. “Sot, në kohën e demokracisë, lirive dhe të drejtave të njeriut, fundi i regjimeve diktatoriale është i pashmangshëm, kudo në botë”, - thuhet në mesazhin e Topit.

Presidenti i Republikës thekson se populli shqiptar, si mik tradicional i vendeve arabë, i uron popullit libian një tranzicion sa më paqësor dhe rimëkëmbje sa më të shpejtë të vendit të tyre të shumë vuajtur, në interes të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

e.t/NOA

KOMENTE