English

Tërmeti në Virxhinia, më i forti nga viti 1897

SHBA, 24 gusht, NOA- Në orën 13:51 (19:51 në Shqipëri) toka amerikane u drodh. Një tërmet me magnitudë 5.9 i shkallës Rihter me epiqendër në Virxhinia (tërmeti më i fortë i ndjerë që nga 31 maj 1897, 114 vjet më parë), ka ngjallur panik në Uashington, kryeqytetin amerikan, dhe në qytetet kryesore të bregdetit lindor, deri në Kanada.

Mijëra njerëz kanë dalë të tmerruar në rrugë, janë evakuuar shumë ndërtesa, por dëme ka pasur shumë pak dhe nuk ka viktima.

Dridhjet e tërmetit janë ndier gjithashtu në Karolinën e Veriut dhe në Nju Jork, sidomos në katet e sipërme të gradaçelave, duke shkaktuar psikozën e një sulmi terrorist. Por menjëherë në sajë të informacionit masiv janë bërë thirrje për qetësi dhe është shpjeguar se çfarë kishte ndodhur.

Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së epiqendra e tërmetit është identifikuar rreth 140 milje në jug të Uashingtonit dhe rreth 66 kilometra në veri të Richmond, në Virxhinia. Në orën 15,20 (21:20 në Tiranë) është lajmëruar për një tjetër tronditje me një magnitudë prej 2.8 dhe të tjera që mund të ndiqnin atë. Menjëherë është bërë evakuimi i Pentagonit, Capitol Hill (selia e Kongresit Amerikan), FBI-së dhe i Departamentit të Drejtësisë (të cilët u rihapën më pas).

Vetëm më vonë, dhe si një masë paraprake, është evakuuar dhe Shtëpia e Bardhë, por Barak Obama nuk ishte atje. Ai ishte në ishullin Martha, ku është me pushime: presidenti amerikan është informuar menjëherë, ka thënë Shtëpia e Bardhë dhe është informuar vazhdimisht me zhvillimet.

Por, sipas Agjencisë Federale për Menaxhimin e Emergjencave, dëmet janë të vogla, nuk ka pasur kërkesa për ndihmë (aeroportet janë mbyllur fillimisht, pastaj i janë kthyer aktivitetin normal) dhe centralet bërthamore nuk kanë pësuar dëme (reaktorët e centraleve janë fikur automatikisht dhe kanë punuar gjeneratorët e emergjencës).

a.e./NOA

KOMENTE