English

Shqipëria futet në Rrjetin Mesdhetar të Transplanteve

Tiranë, 26 Gusht 2011 NOA/ Albana Qehajaj – në muajin tetor të këtij viti, Shqipëria futet në Rrjetin Mesdhetar të Transplanteve. Këtë e bëri sot të ditur drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku në një konferencë për shtyp ku ka folur në lidhje me vazhdimin e transplanteve.

Sipas z.Ivziku, në muajin tetor pritet që të nënshkruhet sërish një marrëveshje me Italinë për regjistrimin e vendit tonë në Rrjetin Mesdhetar të Transplanteve. Më poshtë gjeni të plotë fjalën e drejtorit Ivziku:

Ka përfunduar me sukses tranpslanti i veshkës i kryer në QSUT, dhe pacienti është në një gjendje të mirë shëndetësore. Sot, dua të sqaroj për procedurat të cilët do të vazhdojnë pas këtij transplanti.

Operacioni i dytë u bë pas një pauze 2 vjeçare, por përpara se të beheshon këto ndërhyrje ka qenë projekti i INTERREG- disa milionë euro i cili bëri të mundur investimet në pajisje, rregullimin e sallës,trajnimin e stafit si dhe shkëmbimin e informacionit mes Shqipërisë dhe Italisë. Transplanti është një eveniment shumë i rëndësishëm jo vetëm për institucionin tonë por edhe në nivel kombëtar, pasi tregon që stafi i QSUT-së i ka të gjitha mundësitë për të bërë ndërhyrjet edhe të këtij niveli.

Çështja që shtrohet sot është, se çfarë do të ndodhë më pas? Kuptohet që do të vazhdojnë përgatitjet për ndërhyrjet e ardhshme, ku do të kemi një bashkëpunim me Italinë. Ky fakt konfirmohet nga vetë Ministri Vasili i cili gjatë vizitës së zhvilluar së fundmi në Itali ka renë dakord që në muajin tetor të këtij vitit, të nënshkruhet një marrëveshje që në thelb të ketë përfshirjen e Shqipërisë në Rrjetin Mesdhetar të Transplanteve. Kjo është shumë e rëndësishme dhe pritet që ti japë një hapësirë të re trajtimit të pacientëve tanë, por edhe shkëmbimit të informacionit që nga risitë e deri tek trajtimi i rasteve të veçanta. Nga ana tjetër, janë përcaktuar hapat për krijimin e Regjistrit Kombëtar të Transplanteve, për të bërë të mundur regjistrimin e pacientëve në bazë të rregullave të përcaktuara, duke pasur parasysh dhuruesit. Në të njëjtën kohë do të ngrihet edhe një Komision Kombëtar për Çështjen e Tranplanteve. Këto iniciativa dhe nisma ligjore pritet që të sjellin një zhvillim të ri në fushën e transplanteve në QSUT.

Ajo që dua të theksoj është se kryerja e transplanteve është një ndërmarrje e vështirë, dhe garantoj se do të ketë një mbështetje si nga drejtoria e QSUT-së ashtu edhe nga Ministria e Shëndetësisë për të krijuar një staf të ndërhyrjes së transplanteve sa më të përgatitur dhe profesional, për të realizuar ndërhyrjet e tjera.

a.q/NOA

KOMENTE