Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
S’ka arsye për t’u zmbrapsur
English

S’ka arsye për t’u zmbrapsur

Dua ta them qartë e shqip: Kosova nuk ka asnjë arsye për t’u zmbrapsur apo për t’u frikësuar nga ky dialog euroatlantik

Nga Hashim Thaçi

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Vendosa që sot t’ju drejtohem, për të shprehur qëndrimin tim lidhur me disa zhvillime aktuale në vend.

Para së gjithash, dua t’ju njoftoj lidhur me vazhdimin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë me ndërmjetësimin e Brukselit dhe Uashingtonit.

Dua ta them qartë e shqip: Kosova nuk ka asnjë arsye për t’u zmbrapsur apo për t’u frikësuar nga ky dialog euroatlantik.

Përkundrazi. Sot, më shumë se dje ne jemi të gatshëm të ulemi në tryezë në Bruksel, dhe edhe aty të rikonfirmojmë konsolidimin e shtetësisë tonë, dhe parimet tona të panegociueshme.

Pas realitetit të ri të krijuar pas 25 korrikut, me implementimin në tërësi të reciprocitetit të mallrave dhe vulave doganore, Kosova është në pozicione shumë më të favorshme dhe kredibile.

Mbase, suksesi më i madh në nivelin politik nuk është vetëm implementimi i reciporcitetit, por mbi të gjitha demaskimi dhe dështimi i plotë i politikës së Beogradit për ndarjen e Kosovës-njëherë e përgjithmonë.

Ky demaskim solli edhe reagimin më të qartë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me tërësinë territoriale dhe sovranitetin të Kosovës, shuarjen e strukturave ilegale dhe kriminale dhe vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë Kosovën.

Është shumë e rëndësishme që bashkërisht ta konsolidojmë, forcojmë dhe avancojmë këtë realitet të ri. Ajo që ndodhi me 25 korrik është hapi i parë, por shumë i rëndësishëm në shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin.

S’ka mëdyshje që ky mision do të jetë me shumë sfida.

Unë dua t’ju falënderoj të gjithëve, si grupe parlamentare dhe si deputetë, një nga një, për mbështetjen që i keni dhënë vendimeve dhe veprimeve të qeverisë në veri të Kosovës.

Ju, ashtu sikurse dhe unë dhe gjithë qytetarët e Kosovës, prisni të shihni veprimet konkrete të radhës, në mënyrë që rendi dhe ligji të mbretërojnë në tërë Kosovën, dhe unë ju them edhe një herë qartë: kthim mbrapa nuk do të ketë-veprime për zhbërjen e strukturave ilegale dhe kriminale do të këtë.

Përkundrazi. Duhet thënë më shumë zë, se në veri të Mitorvicës nuk është në konflikt qytetari me qeverinë, por e drejta me të pa drejtën, ligji me jo ligjin, e mira me të keqën.

Unë garantoj, që në fund të këtij misioni, do të ngadhënjejë shteti ligjor, rendi dhe demokracia, në mënyrë që qytetarëve tanë atje tu mundësojmë të jetojnë të lirë e pa frikë në shtëpitë e tyre.

T’u krijojmë mundësi të barabarta si të gjithë qytetarëve tanë në tërë Kosovën.

Më lejoni të shpreh bashkë me ju neverinë lidhur me mënyrën se si po portretizohet Policia e Kosovës, e posaçërisht njësiti elitë ROSU, nga zyrtarët e Beogradit, por edhe nga disa qarqe ndërkombëtare. Pjesëtarët e njësit ROSU janë vëllezërit dhe motrat tona-apo gratë dhe burrat e Kosovës, bijtë dhe bijat tona, të cilët me nderin dhe guximin më të madh po i shërbejnë vendit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Deklarimet neveritëse që për qëllim kanë diskreditimin e këtij njësiti janë shprehje e qartë e gjendjes së rëndë në të cilin gjendet politika e vjetër në Beograd.

Ata si duket harrojnë, që policia e Kosovës, është themeluar dhe trajnuar me ekspertizën më të mirë ndërkombëtare.

Krahasimet dhe insinuimet e dëshpëruara do të kenë si përgjigje profesionalizimin dhe devotshmërinë e vajzave dhe djemve më të mirë të policisë së Kosovës.

***

Teksa angazhohemi për shtrirjen e rendit dhe ligjit në tërë Kosovën, më lejoni të them së është shumë e rëndësishme që të dërgojmë mesazhe të qarta edhe për qytetarët serb të Kosovës.

Të rikonfirmojmë angazhimin tonë për përmbushjen në plotëni të të drejtave afirmative për komunitetet jo –shumicë në Kosovë.

Pjesë integrale e deklaratës së Pavarësisë, të cilën me shumë krenari e përgjegjësi e kemi nënshkruar shumë prej nesh në këtë sallë me 17 shkurt 2008, është edhe pakoja e Presidentit Ahtisari.

Pavarësia ka qenë maksimumi i kompromisit tonë dhe minimumi i së drejtës sonë historike. Dhe tani, sidomos me dy ligjet e mbetura për miratim, atë të qendrës historike dhe kulturore të Prizërenit dhe atë të Hoqës së Madhe, dua të shpreh shqetësimin tim lidhur me diskursin që e ka shoqëruar procedimin e këtyre ligjeve.

Dua të them shumë hapur, nuk jam aspak i befasuar nga reagimi i partisë Vetëvendosje, sepse, në fund të fundit, sfidimi i Pakos së Ahtisarit, Kushtetutës, multietnicitetit, simboleve shtetërore, kufijve të Kosovës, ekonomisë së lirë të tregut është platforma kryesore politike e këtij subjekti politik.

Ajo që është brengosëse është reagimi i disa grupeve parlamentare dhe disa deputetëve të cilët drejtpërdrejt kanë qenë të përfshirë në negocimin dhe pranimin e Pakos së Presidentit Ahtisari nga Parlamenti i Kosovës mars 2007.

***

Është po ai diskurs, për mos të thënë, po ajo zhurmë që e ka përcjellë edhe miratimin e disa ligjeve tjera të Pakos më herët. Edhe argumentet janë po ato të paqenat: se po ndahet Kosova, po kantonizohet, po enklavizohet, se këto ligje janë e rëndojnë Kosovën, po ndërtojmë shtet Brenda shtetit e tjera.

Në fakt, praktika e ka dëshmuar pikërisht të kundërtën.

Ne kemi probleme me rendin, ligjin dhe strukturat ilegale vetëm në pjesën veriore të vendit tonë, aty ku ende nuk kemi arritur të impementojmë Pakon e Ahtisarit.

Ne kemi marrë mbështetje ndërkombëtare, por kemi edhe obligime ndërkombëtare, prandaj bota pret të sillemi si shtet serioz – dhe do të sillemi.

***

Kosova nuk rrezikohet nga qytetarët serbë të saj, nuk rrezikohet nga përfshirja e tyre në jetën institucionale.

Më thoni ju lutem me çka po e rrezikon pavarësinë e Kosovës, funksionimin e Kushtetutës dhe rendin e ligjin komuna e Graçanicës? Me çka po e rrezikon Kosovën komuna e Shterpcës? Ranillukut? Apo e Kllokotit? Me çka po e rrezikon Kosovën dhe funksionimin e saj Manastiri në Deçan apo ai në Deviq?

Jo të nderuar, Kosova nuk rrezikohet nga pakicat, as nga kishat e xhamiat apo monumentet tjera fetare. Kosova dhe e ardhmja e saj Evropiane rrezikohet nga papërgjegjshmëria jonë, nga patetizmat e romantizmat.

Gardianët e vetëshpallur të pavarësisë së Kosovës duhet ta kenë të qartë: koha kur referencat dominante politike kanë qenë fjalët tradhtar e patriot kanë përfunduar.

Kosova është e pavarur, sovrane dhe e tërë.

Si klasë politike e kemi për detyrë që nivelin e debatit politik ta zhvillojmë përtej sintagmave “ ky është tradhtar, ky po e shet Kosovën” e tjera të ngjashme.

Kjo jo pse duhet artificialisht të zhvillojmë debat për vlerat evropiane, reformat dhe detyrat që na presin, por për shkak se kualifikimet si ato që i thash më herët thjeshtë nuk qëndrojnë. Kosova është e pavarur. Ne këtu në këtë sallë para së gjithash duhet të bindemi për këtë punë.

KOMENTE