English

Menaxhimi i financave mbërrin në gjimnazet shqiptare.

Tiranë, 1 shtator 2011, NOA – Të rinjtë shqiptarë do të edukohen që në gjimnaz për menaxhimin e të ardhurave të tyre. Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë kanë prezantuar sot modulin profesional me zgjedhje të lirë “ Financat personale në duart tuaja”. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, në fjalën e tij tha se ky modul shpjegon prakticitetin e përdorimit financiar tek të rinjtë, e ndërsa ministri Tafaj, vë në dukje rëndësinë e një lënde mbi njohuritë financiare tek të rinjtë. Këtë nismë të Bankës së Shqipërisë, e ka përshëndetur edhe ministri i Arsimit Myqerem Tafaj. Sipas tij është shumë e nevojshme rritja e kulturës financiare. “Banka e Shqipërisë ka mbështetur zhvillimin e këtij libri që bëhet pjesë e grupit të moduleve, që kanë të bëjnë me formimin financiar. Ne kemi shumë nevojë për rritjen e kulturës financiare”, u shpreh ministri. Libri do të jetë një lëndë me zgjedhje në vitin shkollor 2011 – 2012. Ai vjen në gjimnazet shqiptare për herë të parë për të ndihmuar të rinjtë për një administrim më të mirë të parave.

a.q/NOA

KOMENTE