English

Të gjitha rrugët drejt AAK

Nga Armand Shkullaku

Koalicioni qeveritar në Kosovë, tepër i brishtë për shkak të numrave në Kuvend, po jep shenjat e para dyshuese për jetëgjatësinë e tij. Pa u mbushur ende një vit nga ngjizja e këtij koalicioni, formula politike e Hashim Thaçit nuk po prodhon stabilitetin që i nevojitet një maxhorance për të realizuar programin dhe reformat e premtuara. Problemet brenda PDK-së, por shumë më tepër pamundësia për të kontrolluar grupin heterogjen të Koalicionit për Kosovë të Re , do të çojnë pashmangshmërisht në lëvizje të reja politike. Nëntë deputetët e KKR-së, një prej të cilëve është Ukë Rugova i Listës Ibrahim Rugova, janë pothuajse jashtë ndikimit të Behgjet Pacollit, partnerit kryesor të Thaçit në koalicionin qeveritar. Nuk do të ishte çudi, sipas disa indikacioneve, që deputetë të Partisë për Drejtësi në këtë grup parlamentar, në një moment të caktuar, të mos i rreshtonin votat e tyre me shumicën ku bëjnë pjesë deri më sot. Dhe po të kihet parasysh që edhe deputeti Muhamet Mustafa de facto nuk ndihet pjesë e këtij grupi, shumica e Hashim Thaçit në çdo rast do të ishte e rrezikuar. Rrëzimi i projektligjit të propozuar nga qeveria për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në qytetin e Prizrenit ishte një sinjal alarmi.

E formuar nën shenjën e zgjedhjeve problematike, e lënduar me rrëzimin e Pacollit nga posti i Presidentit dhe me mandat të përcaktuar nga Isa Mustafa, maxhoranca gjendet përballë një problemi sa të ri, aq edhe të parashikueshëm: kërcënimit të numrave. Ndonëse kabineti qeveritar u stërfry me poste ministrore, kjo zgjidhje nuk po duket efikase për ta mbajtur në këmbë koalicionin. Mbi dhjetë poste qeveritare për të ruajtur nëntë vota parlamentare nuk po kanë më llogari për Kryeministrin Thaçi dhe shumica e tij shumë shpejt do të gjendet në një situatë të komplikuar që kërkon zgjidhje dhe jo arnime.

Për Thaçin nuk mbeten shumë alternativa, ose më saktë, ato mund të jenë vetëm tri. Nëse ai nuk arrin të ketë mbështetjen e nevojshme në Kuvend, një opsion i natyrshëm do të ishin zgjedhjet e parakohshme. Momenti duket i favorshëm për të, por në një kontekst më të gjerë rajonal, zgjedhjet në Kosovë nuk do të ishin preferuar nga partnerët ndërkombëtarë. Një variant tjetër, ku Kryeministrit nuk i mungon talenti, do të ishte peshkimi i ndonjë deputeti nga grupet e tjera parlamentare. Por edhe kjo zgjidhje nuk do t’i jepte atij sigurinë e jetëgjatësisë. Deputetët që “blihen” lehtë, po aq lehtë edhe “shiten”.

E vetmja lëvizje që jo vetëm do t’i jepte fund ankthit të numrave, por dhe do t’i siguronte legjitimitet të qëndrueshëm kryeministrit Thaçi për dy vitet në vazhdim, do të ishte një koalicion me AAK-në e Ramush Haradinajt. Kalimi i 12 deputetëve të AAK në koalicionin qeveritar do t’i falte Thaçit oksigjenin që po i mungon. Në radhë të parë ai nuk do të kishte probleme me sigurimin e votave të nevojshme në Kuvend. Ndryshe nga Koalicioni i hallakatur për Kosovë të Re, grupi i AAK është kompakt dhe me një regji qendrore. Së dyti, ai do të kishte një autoritet më të madh për të përfunduar procese delikate si dialogu me Beogradin dhe gjetja e një zgjidhjeje për Veriun. Dhe së treti, Thaçi do të kishte mundësi të riformatonte një kabinet qeveritar më të vogël, më praktik, më të kontrollueshëm dhe efikas, për të harruar kështu mamuthin qesharak që sajoi, i detyruar nga presioni i numrave.

Nuk është çudi që Hashim Thaçi, i mësuar t’u paraprijë ngjarjeve të vështira, të ketë nisur t’i vijë rrotull AAK për ta joshur të bashkëqeverisë me të. Fakti që Lista Ibrahim Rugova, aleate zgjedhore e AAK, është në qeveri mund të shfrytëzohet nga lideri i PDK për t’u afruar me partinë e Haradinajt. Por sa mundësi ka që AAK ta pranonte një ofertë të tillë, të cilën e pati refuzuar gati gjashtë muaj më parë? Është e vështirë të bëhen parashikime, veçanërisht kur kihet parasysh fakti që kjo parti po e vuan së tepërmi mungesën e liderit të saj.

Vendime kaq të rëndësishme do të ishin përcaktuese për të ardhmen e AAK-së, e cila po jeton ditët e saj më të vështira. E mbetur në mes të Vetëvendosjes si opozitë radikale dhe LDK-së si opozitë e moderuar, partia e Haradinajt po humb çdo ditë e më shumë identitetin e saj opozitar duke mos gjetur më atë fushë të gjerë veprimi që kishte në Kuvendin e kaluar. Përballë dy forcave të tjera opozitare, pesha specifike e AAK-së po zvogëlohet dhe ndoshta është momenti për të kuptuar se nuk mund të vazhdojë gjatë e vetme. Këtë me sa duket e di edhe Kryeministri Thaçi, tepër i kujdesshëm me këtë forcë politike dhe gjithnjë me derën hapur nëse ajo do të trokiste në rastin më të parë. A do të vendosë AAK të jetë pjesë e qeverisë apo të bëjë aleancë me LDK-në për të qenë në qeveri mandatin e ardhshëm? Kjo dilemë tashmë nuk i përket vetëm kësaj partie. Nëse ajo merr një vendim, nga ai vendim nuk do të varet vetëm fati i AAK-së, por edhe i koalicionit aktual qeveritar.

Gazeta Panorama

KOMENTE