English

Selia e PS flet për takimin Rama – Arvizu

Tiranë, 2 shtator 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Zyra e shypit e Partisë Socialiste informoi nëpërmjet një deklarate për shtyp lidhur me takimin e mesditës sot mes kryesocialistit Rama dhe ambasadorit amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu.

Sipas deklaratës, takimi ka ardhur si rrjedhojë e ftesës që vetë Rama i ka bërë diplomatit amerikan, i cili shoqërohej ngashefja e re e Sektorit Politik dhe Ekonomik të ambasadës amerikane Jenifer H. Moore.

“Kryetari Edi Rama e njohu në detaje ambasadorin Arvizu me kursin e ri politik të bërë publik nga partia më e madhe në vend gjatë mbledhjes së fundit të Asamblesë së saj Kombëtare, si edhe me qëndrimin e Partisë Socialiste lidhur me disa shqetësime me interes kombëtar e publik.

Ambasadori Arvizu shkëmbeu me kryetarin e opozitës një sërë pikëpamjesh përmes një dialogu miqësor, ku nënvizoi rëndësinë e madhe që ka për Shqipërinë ecuria e procesit demokratik në funksion të integrimit të vendit dhe mbështetjen e qeverisë së tij për ecurinë e këtij procesi”, thuhet mes të tjerash në qëndrimin informues të Partisë socialiste.

Në deklaratë citohet gjithashtu se, bashkëbiseduesit ranë në një mendje jo vetëm për rëndësinë e kontributit të secilës palë që parlamenti të funksionojë si duhet, por edhe për nevojën që ligjet të zbatohen dhe të mos mbeten vetëm në letër.

“Kryetari Edi Rama e falenderoi edhe njëherë ambasadorin e SHBA për kontributin publik në ndihmë të procesit zgjedhor të 8 majit dhe i uroi punë të mbarë në Shqipëri shefes së Sektorit Politik dhe Ekonomik të ambasadës amerikane”, përfundon informacioni që selia rozë jep për takimin e sotëm Rama- Arvizu.

a.q/NOA

KOMENTE