English

Berisha: Kabllogramet e Wikileaks, si pasqyra e shtypit shqiptar

Kabllogramet e publikuara nga Wikileaks për kryeministrin shqiptar nuk janë asgjë më shumë se një pasqyrë e shtypit të përditshëm shqiptar.

Në këtë mënyrë, z.Berisha jo vetëm ka dashur të ulë sa më shumë vlerën e rritur artificialisht këto ditë për dokumentet që po publikon Wikileaks por edhe të hedhë romuze ndaj mënyrës sesi ambasada e shtetit më të fuqishëm në botë kryen rutinën e përditshme të përcjelljes së informacioneve nga më të ndryshmet mbi zhvillimet e vendit ku mbron interesat.

“Janë të gjitha një pasqyrë e përditshme e shtypit shqiptar, madje jo tërësisht e plotë njëqind për qind, por aty afër”, - u shpreh kryeministri.

Ambasadori Arvizu ka përsëritur për një pakt kombëtar për reformat për integrimin e vendit në BE dhe së dyti, a jeni gati të përfshini në ndryshimet në Kodin Zgjedhor, opinionin që do të japë Komisioni i Venecias, pas letrës që i ka dërguar Sekretari i Përgjithshëm i këshillit të Europës?

Qeveria është e gatshme, e vendosur të bëjë gjithçka për integrimin e Shqipërisë në Europë. Ky është edhe ylli polar i politikës sonë, por edhe i të gjitha reformave tona. Sapo dolëm nga bisedimet, në të cilat unë i thashë Presidentit se shqiptarët sot janë të ndarë në disa shtete, janë kudo vazhdimësi gjeografike dhe etnike, por janë të lirë e të sigurt se e ardhmja e tyre më e mirë është në Bashkimin Europian dhe se janë të vendosur të punojnë me seriozitetin më të madh për këtë proces integrimi. Një proces ky, duhet të theksoj, jo i thjeshtë, por një proces shumë i rëndësishëm për të pasur një të ardhme që meritojnë. Në këtë kontekst, dua të theksoj se qeveria në mënyrë të përsëritur ka bërë të qartë se është tërësisht e hapur ndaj Komisionit të Venecias, se mirëpret kontributin e këtij Komisioni në reformën zgjedhore e të OSBE/ODIHR. Kodi aktual Zgjedhor është ligji zgjedhor më konsensual në historinë e vendit. Ligj, me të cilin qeveria nuk ka refuzuar qoftë edhe një nen të vetëm të propozuar nga opozita. As edhe një nen të vetëm. Ligj, i cili ka pasur ekspertizën e Komisionit të Venecias dhe të OSBE/ODIHR. Kjo ekspertizë e vlerëson këtë ligj si një bazë ligjore solide për zgjedhje demokratike. Duke theksuar këtë, ekzistojnë në dy zgjedhjet e fundit, një seri rekomandimesh të OSBE/ODIHR-it. Mendoj se në përpjekje të përbashkët me opozitën, ne i kemi të gjitha gjërat tani të qarta në tryezë. E garantoj se qeveria është plotësisht e vendosur të zbatojë, të konvertojë, përktheje në ligje e vendime, së bashku me opozitën, secilin prej këtyre rekomandimeve. Ne mirëpresim plotësisht ekspertizën e Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR-it, në konkretizimin apo në shndërrimin në ligj brenda standardeve ndërkombëtare të këtyre rekomandimeve.

Ditën e hënë opozita do të jetë në parlament, pasi e ka konfirmuar prezencën e saj në Konferencën e Kryetarëve, por ajo duket se prezenca e saj do të kushtëzohet me një paketë kushtesh apo reformash, siç pretendojnë eksponentë të saj t’i quajnë. Sa e gatshme do të jetë mazhoranca dhe ju në cilësinë e kryeministrit, në emër të dialogut politik e integrimit europian të vendit, të bini dakord apo të pranoni këto propozime që do të hedhë në tryezën e dialogut partia më e madhe e opozitës?

Qeveria do të pranojë çdo propozim konstruktiv nga opozita dhe do ta vlerësojë e shqyrtojë atë me interesin e seriozitetin më të madh. Ky është një qëndrim konstant i kësaj qeverie, nuk ka lidhje me kushte. E rëndësishme është që bashkërisht të punojmë për konsolidimin e shtetit ligjor, lirive dhe të drejtave të qytetarëve, institucioneve demokratike.

Ditët e fundit faqja e internetit Wikileaks ka bërë publike një sërë kabllogramesh të ambasadës amerikane në Tiranë drejtuar Departamentit të Shtetit, ku përflitet për një sërë akuzash korrupsion të ministrave të qeverisë dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë suaj. A keni ndonjë koment për këtë?

Së pari, ajo që ju këshilloj është t’i lexoni sa më shumë. Së dyti, meqenëse më pyetët, kam gjetur aty një pasqyrë të shtypit të përditshëm shqiptar të akuzave dhe ndërakuzave të ndërsjella që forcat politike adresojnë ndaj njëra-tjetrës. Unë qëndrimet e mia ndaj Wikileaks i kam shprehur. Ai është një Arsen Lupen i kohërave moderne, ka bërë një vjedhje dhe këtu nuk ndryshon qëndrimi im ndaj zotërisë, i cili nëpërmjet një operacioni të paligjshëm ka ndërhyrë në kodet e transmetimit të vendit më të madh e të fuqishëm të botës. Kjo përsa i përket atij, përsa i përket pjesës tjetër, ju them lexoni sa më shumë. Ato, siç e keni parë, janë të gjitha një pasqyrë e përditshme e shtypit shqiptar, madje jo tërësisht e plotë njëqind për qind, por aty afër. Ju garantoj se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë të shkëlqyera, vlerësimi për ambasadorin Arvizu është i palëkundur. Ky vend mik e ka shumë të qartë qëndrimin e tij, mbështet shqiptarët e Shqipërinë dhe jo forca të caktuara politike. Tani, të komentoj për akuzat e mediave, ato janë komentuar shumë herë.

KOMENTE