English

Fjala e kryeministrit Berisha drejtuar deputetëve demokratë para seancës

Nga Sali Berisha

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Së pari dua t’ju përshëndes shumë përzemërsisht, por edhe të theksoj se kurrë ndonjëherë më parë nuk ju kam gjetur me kaq energji, entuziazëm dhe optimizëm sa në këtë takim. E sigurt që pas-fushata, sepse fushata ka qenë e lodhshme, pa diskutim, u shndërrua në një periudhë rikuperimi të forcave dhe energjisë për të nisur së bashku dy vjetorin kurorë të arritjeve tona. Këto dy vjet do të jenë vitet e kurorëzimit të të gjitha reformave, në mënyrë që viti 2013 të hapë horizontin e ri për këtë mazhorancë. Ne këtë shtator hapim siparin e një serie reformash të mëdha dhe të gjithanshme, me të cilat do të shënojmë një progres të paprecedentë në projektin tonë të madh - Shqipëria vend i zhvilluar në vitin 2017. Ne do të bëjmë gjithçka për të plotësuar çdo gjë që është në dorë të kësaj mazhorance, për të përshpejtuar procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Asnjë pengesë, asnjë vështirësi dhe asgjë nuk mund të lëkundë përpjekjen, përkushtimin dhe besimin tonë në projektin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Brukseli është kopsht me çelësa apo me 27 dyer, tani bëhen 28 bashkë me Kroacinë. Kjo kërkon të trokasësh në çdo derë dhe kërkon të hapen të gjitha këto dyer. Nuk është proces i thjeshtë, por është plotësisht i mundshëm. Ndaj dhe ne do të bëjmë gjithçka të përmbushim detyrimet tona para shqiptarëve, para partnerëve tanë evropiane, që ky proces të ecë, që ky vizion të qëndrojë dominues. Në këtë kontekst janë një seri reformash politike të kërkuara, të cilat tashmë janë familjare, por që u bllokuan. Ato u bllokuan vetëm e vetëm që vendi të dëmtohej; u bllokuan vetëm e vetëm se u përdor fuqia e votës, pushteti i dhënë nga sovrani u përdor jo për të votuar, por për të bllokuar; u bllokuan sepse u përdor parimi: e keqja e vendit, e mira ime. Natyrisht, këto reforma, kanë qenë shumë të rëndësishme, por nuk kanë penguar dot të gjitha reformat e tjera në të cilat nuk është kërkuar kushti kushtetues për votim me 3/5. Sidoqoftë, duket se opozita po kalon nga rruga e vetmisë në rrugën normale. Duket se po braktis rrugën e vetmisë. E uroj këtë, nuk e di, por të paktën disa deklarata paraprake janë. Urojmë që ajo të marrë përgjegjësitë e saj për të përdorur pushtetin jo për të bllokuar, por për të votuar. Urojmë që rruga e vetmisë, apo rruga pa krye, apo rruga e rënies së murit me kokë, të braktiset përfundimisht. Ne jemi të gatshëm, absolutisht, që në frymë dhe në respekt të plotë të ligjeve dhe të Kushtetutës së vendit, të frymës së reformave që ne ndërmarrim, të konsiderojmë me seriozitetin më të madh kontributin e saj, propozimin e saj, angazhimin e saj, duke bërë gjithçka për një respekt të plotë dhe rigoroz të çdo hapësire që i takon opozitës në një vend të lirë. Uroj dhe dëshiroj që pakica të heqë dorë përfundimisht nga ideja se ajo mund t’i imponohet shumicës jashtë ligjit dhe jashtë kushtetutës. Janë një seri reformash, të cilat do mund të ndërmerren së bashku. Reforma zgjedhore, ligji aktual i vendit sipas ekspertizës së Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR-it është bazë solide ligjore për zgjedhje demokratike, por kjo nuk do të thotë se nuk ka vend për përmirësime. Dëshmi e kësaj janë rekomandimet e dy zgjedhjeve të fundit. Edhe një herë do të garantoj opozitën se mazhoranca është tërësisht e gatshme që secilin nga ato rekomandime, pa përjashtim, bashkërisht t’i shndërrojmë në ligje dhe vendime të lidhura me to, t’i adresojmë ato në interesin më të mirë të Kodit Elektoral, i cili është Kodi më konsensual në historinë e vendit. Uroj që opozita, në interesin e saj, të angazhohet në këtë proces dhe të ftojmë së bashku Komisionin e Venecias, OSBE/ODIHR-in, të cilët kanë gatishmëri të plotë për të ndihmuar Parlamentin, Komisionin Parlamentar Zgjedhor. Sikundër, e ftoj opozitën që në këtë reformë të përfillim realitetet. Përfillja e realiteteve është të mos harrojmë se në këtë vend janë dy parti kryesore, por janë edhe shumë parti të tjera që të marra së bashku bëjnë sa një parti kryesore, të cilat padrejtësisht i përjashtuam, me imponim, nga pjesa e deal-it që u takon atyre në procesin zgjedhore. T’ua rikthejmë. Të mos e kushtëzojmë reformën vetëm në marrëveshje midis dy forcave kryesore politike. Unë garantoj të gjithë partitë e tjera të spektrit mazhorancës dhe opozitës se ne shkojmë me këtë koncept në reformën zgjedhore. Leksioni është leksion dhe e vërteta është se sistemi proporcional, i cili është sistemi më përfaqësues, po shkon duke fituar gjithnjë e më shumë terren në të drejtën elektorale evropiane dhe botërore. Pra në këtë kontekst mendoj se vërtetë kemi të bëjmë me mundësinë e përmirësimeve, ndoshta edhe nga ato të cilat i kanë ngritur me të drejtë partitë e spektrit të mazhorancës apo opozitës për problemet e tyre që kanë me zgjedhjet. Ftoj opozitën, e cila dy vjet resht zhvilloi beteja në mbrojtje të hapur të korrupsionit. Zonja dhe zotërinj, Kur ne morëm pushtetin, Shqipëria renditej në 24 vendet më të korruptuara të botës. Zoti Rama konceptoi se përveç prokurorit duhet të kishte dhe mbrojtjen e imunitetit. Dhe në këtë periudhë, në një hark kohor mbi gjashtë vjeçar, ka vetëm një luftë unilaterale jo simetrike të korrupsionit, për çka unë kam qenë dhe jam vlerësuar ndaj Prokurorisë së Përgjithshme. Por theksoj se ky është dëmi më i madh që kjo zyrë, kjo Prokurori, i bën luftës kundër korrupsionit dhe opozitës në tërësi. Se kjo ka bërë që bajlozët dhe mumuthët e korrupsionit që e zhytën vendin në galerat më të errëta të tij të dalin tani në krye të reformave në këtë parti. Kjo nuk thuhet këtu për gjah shtrigash, por thuhet sepse në një vend të qytetëruar, në një vend ku shteti ligjor funksionon plotësisht, lufta kundër korrupsionit nuk mund të jetë e njëanshme. Ndaj dhe uroj që opozita, si një dëshmi e braktisjes së rrugës së vetmisë, të votojë në Parlament, të kërkojë që të futet me urgjencë në rendin e ditës, ligjin për heqjen e imunitetit. Ligj ky i cili ka ekspertizën e Komisionit të Venecias, ligj i cili ka bekimin e Komisionit të Venecias, ligj i cili përbën një dëshmi të vullnetit të qartë të çdo deputeti për t’i dhënë përgjigje korrupsionit. Është mirë të shkëputesh, sado të dhimbshme të jenë disa probleme, të mos mbetesh opozitë e vetme në botë që nuk voton për heqjen e imunitetit. Uroj që kalimi nga rruga e vetmisë në rrugën normale të ketë bindur deputetët e opozitës për ta votuar këtë ligj. Një Shqipëri pa imunitarë do të jetë një arritje e madhe për çdo taksapagues të këtij vendi. Në këta dy vjet ne do të korrim të gjitha ato që u mbollën dy vitet e shkuara, të shumta në të gjitha aspektet, kthyer kjo në reforma në të gjitha fushat. Natyrisht, kriza ekonomike evropiane dhe botërore persiston. E vërteta është se nuk do të jetë afatshkurtër. E vërteta është se do të jetë e dhimbshme. Por e vërteta tjetër është se Shqipëria rezistoi më mirë se çdo ekonomi tjetër ndaj saj. Që Shqipëria rezistoi më mirë se çdo ekonomi tjetër ndaj saj, këtë e dëshmojnë në mënyrën më të kristaltë treguesit më kryesorë të përllogaritur nga institucionet tona dhe ato ndërkombëtarë. Zotërinj deputetë dhe zonja deputete, Në këtë kohë krize eksportet e këtij vendi nga viti 2006 deri në vitin 2011 janë trefishuar. Në këtë kohë krize investimet e huaja direkte trefishohen, nga 360 milionë që ishin në vitin 2006 ato arritën në vitin e kaluar në 1 miliardë e 97 milionë dollarë. Dhe të mos harrojmë se viti i kaluar ka pasur vetëm sasi minimale të tyre nga privatizimet. Janë që të gjitha të palidhura, pothuajse, me privatizimet. Ky vend është vendi i vetëm në Evropën Juglindore me rritje të investimeve, me rënie të papunësisë. E dëgjoja zotin Rama që fliste gjatë fushatës për 1 milionë të papunë. Mirë, - mendoja me vete, - se ky është piktor i dështuar dhe nuk e di që Shqipëria ka gjithsej asnjë 1 milionë e 100 mijë forcë punë në vend. Kur marr vesh unë, kjo ishte matematika e Cacit. Këto simite ia servirte Caci çdo mëngjes. Imagjinoni, kryeekonomisti i Partisë Socialiste së bashku me ish Guvernatorin. Pra, e rëndësishme shumë është, që ne të bëjmë gjithçka për tu mbrojtur nga kjo krizë duke lehtësuar biznesin, duke ndihmuar biznesin, duke mbështetur klimën miqësore ndaj tij. Reformat tona janë në bazë të këtij suksesi, reforma të tjera janë jetike për suksesin e ardhshëm. Ne aty e kemi të gjithë potencialin tonë. Do të bëjmë përpjekje të jashtëzakonshme për të zgjeruar me tej lirinë e tregut, duke vendosur rregullat më të mira që ekzistojnë, duke përmirësuar rregullat ekzistuese, duke luftuar me zero tolerancë informalitetin , duke promovuar të gjitha potencialet e jashtëzakonshme të këtij vendi. Kriza e borxheve është shumë më problematike sesa kriza e derivateve që ishte para kësaj, sepse nëse e para ishte krizë në tërësi në sektorin privat, sado që e ka prekur ai është gjigant, kjo është krizë në sektorin publik , i cili në raport me sektorin privat në botë është liliput. Aq sa qarkullojnë në një vit para të gjitha qeveritë e botës, i qarkullon në një orë sektori privat i botës. Ndaj dhe duhet të jemi jashtëzakonisht të vendosur, të vendosim dhe një partneritet shumë të ngushtë me qeveritë vendore, të shfrytëzojmë të gjitha potencialet e partneritetit publik, privat dhe ligjit të koncesioneve, të bëjmë çdo gjë që pasuritë e këtij vendi të shndërrohen në vlera për qytetarët shqiptarë. Të shpejtojmë procesin e privatizimit, në mënyrë që me reforma ekonomike ti kundërvihemi pasojave të kësaj krize, të krizës së borxheve, do të shtrijmë procedurat dixhitale në çdo segment të veprimtarisë sonë. Shqipëria dixhitale do të jetë një nga arritjet më të mëdha të këtij mandati. Regjistri i tokës do të do të përbëjë një nga reformat më kryesore, një taks forcë është ngritur me në krye kryeministrin, është fiksuar maji i vitit 2013 për të pasur regjistrin më të përshtatshëm të tokës në Shqipëri, pas regjistrit të gjendjes civile, regjistri i pronës është regjistri kryesor i një vendi, është regjistri i parë i tregut. Reforma e pensioneve Zonja dhe zotërinj Ne sot jemi i vetmi vend që ne ia kemi dale të mbi dyfishojmë pensionet e ulta, pensionet e fshatit, secili që do le të bisedojë me përfaqësuesit e vendeve ish-komuniste sesa janë pensionet e ulta, edhe do shohë se ka 40 dollarë, 50 dollarë dhe 60 dollarë, ka edhe më shumë sigurisht. Ne dy vjet më parë ia dolëm që në fshat dhe në qytet të mos ketë pension nën 100 dollarë, tani janë rritur, tani janë mbi 120 dollarë , por ia dolëm të dyfishojmë pensionet në fshat . Po do të ecim drejt tij, natyrisht sistemi i pensioneve është i domosdoshëm për reformimin. Përgjegjësia e një mazhorance e një qeverie është që të bëjë gjithçka duke menduar për ata që vijnë më pas, për brezat që vijnë. Ne nuk mund të gjobisim gjeneratën tjetër, jo përkundrazi, do të bëjmë gjithçka në emër të një zhvillimi të qëndrueshme të vendit. Se në rast se ne u detyruam të punojmë të operojmë në kushtet më të vështirat për pensionet, sot ne fusim nga buxheti i shteti 1% të GDP , nëse deficiti buxhetor është 3%, 1/3 e tij 33% vijnë vetëm nga derdhja që bëjmë ne në fondin e pensioneve nga buxheti i shteti nga taksat e taksapaguesve, por ne duhet të bëjmë që gjenerata tjetër të mos derdhë asnjë qindarke nga buxheti i shtetit, por kjo të mbulohet nga kontributet , ne do ta bëjmë këtë. Zhvillimi i qëndrueshëm i një shoqërie e kërkon këtë. Ju do të jeni dëshmitar që krahas krizës së borxheve disa vende do të kërcënohen nga kriza e fondeve të pensioneve, kështu që me reformën e pensioneve, kemi bërë diskutime të gjera, po i afrohemi konkluzioneve përfundimtare, ne do të vendosim një sistem të atillë dhe nuk do të rrisim ne kontributet e punëtorëve, jo nuk bazohemi në këtë, bazohemi në një rishqyrtim tërësor të kontributeve dhe do të bëhet e mundur që gjenerata që vjen pas 15 vitesh 20 vitesh të mos ketë më detyrimin për të derdhur nga buxheti i shteti fonde të mëdha, siç ndodh me ne sot në fondin e pensioneve. Jetë gjatësia po zgjatet, po zgjatet në mënyre të ndjeshme , mosha 65 vjeç për pensione të caktuara në një kohë kur jetëgjatësia mesatare ka qenë 70 vjeç, kur sot jetëgjatësia mesatare po shkon rreth 78 vjeç. Nuk janë të lumtur njerëzit që dalin në pension, jo. Shumë prej tyre kërkojnë të rrinë më shumë, ndaj dhe ne do të vëmë indeksimet e zgjatjes së moshës së pensionit me zgjatjen e jetëgjatësisë. Kjo ka kuptim. Nuk është më Shqipëria e turneve, jo. Nuk është më Shqipëria e uzinave mbytëse kimike, jo. Të tjera kushte sot, ndaj dhe ne do ta shqyrtojmë me seriozitet në intensiv më të mirë të qytetarëve shqiptarë. Reforma e inspektorateve. Do të instalohen e tërë në këtë periudhë, është një arritje e madhe kjo. Gjithçka do të jete dixhitale në inspektorate. Dixhitalizimi përbën kushtin më themelor për transparencë, përben shërbimin më të mirë, por dhe transparencën më maksimale ndaj biznesit, janë thjeshtuar inspektoratet nga 36 në 11, tani do të fillojë puna dhe do të jetë Dixhitalizimi e tyre. Do të dixhitalizohet çdo proces dhe do të shkojë në sportelet vetëm për shërbim ndaj qytetarëve. Po kudo që të jepen në Theth apo në Mokër, në Çerme apo në Frashër , do të shkojë në një sportel të marrë të gjitha dokumentet që i duhen. Ky është projekti ynë jashtëzakonisht i rëndësishëm në shërbim të qytetarëve. Arsimi dhe shëndetësia Reforma të thella do të njohë arsimi dhe shëndetësia , së shpejti do të vendosim sistemin e kreditimit për studentët , më i suksesshmi, më i suksesshmi sistem i arsimit të lartë në botë. Natyrisht qeveria pas përfundimit të regjistrit, të ndihmës ekonomike dhe të dixhitalizimit të tij në një kohë të shkurtër do të japë , të gjithë mbrojtjen në nevojë përveçse do i nxjerrë ato nga mjerimi atë kontingjent familjesh, por do të japë të gjithë mbrojtjen e nevojshme sociale , familjeve që përfshihen në këtë regjistër, i cili do të pastrohet nga një informalitet i paimagjinueshëm. Por do të konsolidohet gjithnjë e më shumë, fryma , shpirti social, njerëzor i qeverisë. Lufta kundër korrupsionit Do të njohë reforma të reja, uroj dhe dëshiroj që opozita të votojë për heqjen e imuniteteve për të gjithë imunitarët . Në Shqipëri është absurde të ketë imunitet në një kohë kur korrupsioni është një problem serioz për tu luftuar , por reformat e tjera të rëndësishme të cilat kanë në themel transparencën. Lufta kundër korrupsionit mbetet drejtimi më themelor i kësaj mazhorance dhe jam i bindur se aty qëndron dhe çelësi i suksesit të të gjitha reformave. Në shëndetësi, Reformat do të njohin zhvillime te reja shumë të rëndësishme, në mekanizmin e financimeve bazuar në kostifikimin. Një projekt madhor do të nisë për atë që quhet shëndetësia dixhitale, çka do të thotë dixhitalizimi tërësor i veprimtarisë së këtij sistemi, vendoja e këtij sistemi mbi baza dixhitale, është kushti për menaxhimin më të mirë të resurseve , por dhe ndihmën më të mirë të të sëmurëve dhe zhvillimin më solid të shëndetit. Turizmi Reforma të thella do të ndërmerren në këtë sektor. Qeveria do të ndërmarrë hartimin e master- planeve në të gjitha zonat ku ato mungojnë , master-plani i hartuar për bregun Jonian është një frymëzim i vërtete dhe kjo do të jetë një nga drejtimet e para kryesore. Qeveria do të bëjë gjithçka për promovimin e potencialeve të jashtëzakonshme turistike dhe lehtësimin e investimeve në këtë sektor. Qeveria do të marrë masat më drastike për i dhënë fund llumit dhe plehut që na shoqëron, absolutisht gjeja me e pa pranueshme . Do të bëjmë gjithçka që këtë ta shndërrojmë ne çështjen e çdo qytetari . Do të bëjmë gjithçka nga kopshtet, shkollat dhe kudo që të ndahemi nga ky problem, do të vendosim gjithashtu sanksionet më të rrepta, ndaj atyre dhe qeveritarëve të papërgjegjshëm të këtij problemi. Kemi një rritje marramendëse të numrit të turistëve që vijnë , kemi një mikpritje shembullore, ushqim të mrekullueshëm, brigje të pashoqe në Mesdhe, kemi një problem që do ta zgjidhim me vendosmërinë më të madhe . Me ligj është dhënë udhëzimi të përcaktohen sanksionet direkte për autoritet përgjegjëse qofshin ata të zgjedhur apo të pa zgjedhur. Zoti kryetar i komunës, aty ku je në sezonin turistik detyra e të gjitha detyrave është pastrosh shtëpinë tënde, komunën tende, kjo është shtëpia jote. Dhe në qoftë se ti e konsideron këtë detyrën e parë dhe e fillon ditën duke e konsideruar këtë si më kryesoren ne nuk do të kemi më këtë tablo të pa pranueshme që na shoqëron. Ne do ta marrim këtë si një çështje tepër serioze. Dy projektet e mëdha kombëtare Arrorët dhe Ulliri do të njohin zhvillimet më të fuqishme. Fermerët shqiptarë kanë meritën e jashtëzakonshme, se po punojnë me pasion pothuajse çdo pëllëmbë tokë. Po qëndisin me djersën dhe mundin e tyre Shqipërinë. Tani me këto dy projekte ne do të bëjmë që Shqipëria të mbi dyfishojë të ardhurat nga bujqësia dhe këto të gjitha në interesin e fermerëve. Pra energjitë dhe optimizmi me të cilat ne hapin siparin për këto dy vjet të ardhshëm janë jashtëzakonisht inkurajuese, ndërkohë ne duhet të jemi në një dialog intensiv konstant, me qytetarin shqiptarë. Qytetari i pari, nuk është dhe nuk mund të jete çështje e fushatave elektorale , qytetari i pari është dhe do të jetë çështje e axhendës së përditshme të çdo zyrtari shqiptarë, deputetëve, ministrave zyrtarëve kudo. Gjithçka , etalon do të jetë vlerësimi, raporti i vendosur me qytetarët ku interesat hallet, dertet problematikat e tyre duhet të prevalojnë. Zotërinj deputet zonja deputete Këto ishin disa nga drejtimet më kryesore të punës së dy viteve të ardhshme dhe unë kam besim të madh në vendosmërinë tuaj në gatishmërinë dhe përkushtimin tuaj se këto reforma të një rëndësie jetike të bëhen realitet për shqiptarët. Ftoj opozitën të japë të gjithë kontributin e saj dhe e garantoj se zëri, ekspertiza mendimi i saj do të dëgjohen me seriozitetin më të madh. Faleminderit.

KOMENTE